Plavë – Nën patronatin e Komunës së Pejës, në krye me kryetarin Gazmend Muhaxheri, e në bashkëpunim me Komunën e Plavës, të premten, më 12 shtator 2025, me rastin e shënimit të 27-vjetorit të shpërnguljes së qytetarëve nga Kosova në territorin e Plavës dhe Gucisë në vitet 1998-1999, u organizua akademi solemne.
Ceremonia u mbajt në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në praninë e një numri të madh qytetarësh nga Plava e Gucia me rrethina, Rozhaja, Tuzi, Peja, Deçani e Juniku, në mesin e të cilëve edhe kryetarët e katër komunave me ekipet dhe bashkëpunëtorët e vet – Gazmend Muhaxheri i Komunës së Pejës, Ruzhdi Shehu i Komunës së Junikut, Nihad Canoviq i Komunës së Plavës dhe Sanell Balliq i Komunës së Gucisë.
Në këtë aktivitet Komunës së Plavës iu dorëzua “Plaketa falënderuese” e mirënjohjes për kontribut dhe u shfaq premiera e filmit dokumentar “Plavjanët nuk u dorëzuan”, autor dhe regjisor i të cilit është gazetari i njohur kosovar Zekë Sinanaj, kurse përgatitja e tij zgjati tre muaj.
Pas intonimit të himneve të Malit të Zi dhe Kosovës si dhe prezantimit e përshëndetjeve të të pranishmëve, në veçanti të mysafirëve nga moderatoret udhëheqëse të programit të akademisë, Llejlla Srdanoviq në gjuhën boshnjake dhe Arlinda Kukaj – Sinanaj në gjuhën shqipe, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq në fjalën përshëndetëse u shpreh se sot nuk jemi vetëm për të shikuar një film.
“Jemi tubuar të shikohemi në pasqyrën e së kaluarës sonë jo të largët. Dokumentari të cilin e shikojmë nuk është vetëm rrëfim mbi kolonat e të shpërngulurve, por edhe mbi trimërinë edhe të atyre të cilët ua kanë shtrirë dorën. Me këtë tubim shënojmë ngjarjen, e cila ka qenë tragjike por në të cilën me krenari shikojmë mënyrën në të cilën populli ynë ka vepruar, sepse pikërisht atëherë është dëshmuar rregulli i vjetër i së kaluarës sonë jo të largët ‘Trimat ndihen në vështirësi’”, është shprehur ai, duke shtuar se “Në momentet kur të tjerët kanë humbur shtëpitë e veta, ne i kemi hapur dyert tona. Kur njerëzit kanë hapëruar në frikë, ne u kemi ofruar siguri”.
Canoviq ka falënderuar bashkëqytetarët dhe të gjithë ata të cilët kanë qenë strehues për miqtë tanë dhe fenerë ndriçimi në kohërat e errëta, ata që janë përmendur në film, si dhe ata të cilët kanë pasur rolin vendimtar në këto veprime heroike.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ideatori dhe organizuesi i akademisë solemne në fjalë, në fjalën e vet të rastit, i emocionuar e i mallëngjyer, me fjalë prekëse e me ndjenja shpirtërore falënderoi përzemërsisht popullatën humane, bujare, mikpritëse e liridashëse të trevës së Plavë-Gucisë për strehimin, ndihmën, përkujdesjen, respektin dhe veprimet e denja dhe të paepura e pamohueshme ndaj kosovarëve të shpërngulur gjatë luftës në vitet 1998-1999, me ç’rast në shenjë mirënjohjeje kryetarit të Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ia ka dorëzuar “Plaketën e falënderimit”.
Në fund të akademisë solemne është shfaqur premiera e filmit dokumentar “Plavjanët nuk u dorëzuan” të autorit Zekë Sinanaj nga Kosova, i cili tregon dhimbjen dhe sakrificën e popullit kosovar në ato kohëra të vështira, si dhe gatishmërinë e popullatës së Plavës dhe Gucisë për t’ju dhënë ndihmë motrave dhe vëllezërve nga Kosova.
Sh. Hasangjekaj
