Në Mal të Zi më tepër vdesin sesa lindin

Të dhënat e publikuara kohë më parë nga MONSTAT-i për pesë muajt e parë të këtij viti dëshmojnë se në Mal të Zi më tepër vdesin sesa lindin, nga del se këtu është e pranishme “murtaja e bardhë” që i ka përfshirë 16 komuna, proces i cili është i pranishëm vite me radhë, me pasoja jo vetëm demografike në këtë mjedis

Nail Draga

Sipas të dhënave nga MONSTAT-i, në pesë muajt e parë të këtij viti numri i të vdekurve në Malin e Zi është më i lartë sesa i të lindurve, ndërsa situata më shqetësuese është në komunat në veri të vendit. Trendi negativ i shtimit natyror të popullsisë paraqet problem demografik për Malin e Zi, çështje e cila nuk është momentale por si proces është i pranishëm vite me radhë.
Sipas të dhënave nga MONSTAT-i rënie më të lartë të shtimit natyror të popullsisë kanë Plevla, Bijello Pola dhe Plluzhina, komuna të cilat me dekada kanë rënie të numrit të popullsisë si pasojë e shtimit natyror por edhe nga procesi i migrimit.

Të rrezikuara 16 komuna
Sipas të dhënave, në pjesën e parë të këtij viti shtimi natyror negativ është i pranishëm në 16 komuna, nga 25 sa janë gjithsej në Mal të Zi. Situata më shqetësuese është në Plevlë që ka indeksin -119, pason Nikshiqi -81, Bijello Polja -62, Herceg Novi -37, Cetina -35, Danillovgradi -31, Kotorri -18, Plluzhina -17, Andrijevica, Kollashini e Mojkovaci -13, Berani e Shavniku -12, Zhablaku -10, Petnjica e Gucia -9.
Ndërsa në gjashtë muajt e parë kanë lindur 3.214 fëmijë, prej të cilëve 1.679 djem dhe 1.535 vajza. Më së paku fëmijë kanë lindur në Shavnik (3) dhe Plluzhinë (9), ndërsa më së shumti në Podgoricë (1.076) dhe Nikshiq (311).
Lëvizjet negative migruese
Dukuria e migrimit të popullsisë sipas komunave, në mes popullsisë së imigruar e asaj të emigruar, më e theksuar është në Rozhajë e Plevlë. Për këtë periudhë kohore në Rozhajë janë vendosur 10 banorë, ndërsa nga kjo komunë janë larguar 95 banorë; në Plevlë janë vendosur 14 qytetarë të rinj, ndërsa janë larguar 92 banorë. Rezultat negativ migrues kanë edhe këto komuna: Bijello Pola (-70), Cetina (-59), Shavniku (-40), Mojkovaci (-38), Berani (-31), Nikshiqi (-25), Tuzi (-24), Andrijevica (-21), Herceg Novi (-18), Petnjica (-13), Plava (-12), Zhablaku (-10), Zeta (-8), Plluzhina e Tivati (-7).

Shpopullimi, dukuri shqetësuese
Në bazë të të dhënave nga regjistrimi i popullsisë (2023) del se në Mal të Zi është i pranishëm procesi i shpopullimit të vendbanimeve. Kështu, në saje të këtyre të dhënave del se në Mal të Zi janë 277 vendbanime me më pak se 10 banorë, 73 vendbanime pa banorë të përhershëm, ndërsa në regjistrimin e vitit 2011 kanë qenë 39 vendbanime të tilla, proces i cili do të vazhdojë me rritje të tillë.
Në lidhje me këtë çështje shqetësuese, më i theksuar është migrimi i popullsisë në regjionin verior të vendit, sepse në periudhën 1991-2023, në tërësi kanë migruar 65.940 banorë, ndërsa për periudhën nga viti 2011 – 25.258 banorë.
Rënia e natalitetit dhe emigrimi i popullsisë kanë ndikuar edhe në mosshënimin e popullsisë në nivel vendi, ku pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjeç sipas regjistrimit të vitit 2011 ishte 12%, ndërsa tash është rritur në 16.8%, që paraqet pjesëmarrje të lartë.

Ende pa të dhëna sipas vendbanimeve
Ndonëse të dhënat nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2023, MONSTAT-i i ka publikuar për numrin e banorëve në nivel vendi dhe të komunave, për vendbanimet ende nuk janë publikuar. Mungesa e të dhënave të tilla nuk mund të arsyetohet, sepse opinioni i gjerë vetëm atëherë ka mundësi për analiza të strukturave të ndryshme të popullsisë në vendbanimet përkatëse.

Mërgimtarët vetëm si numër
Nga ana tjetër, për mërgimtarët, përkatësisht qytetarët nga Mali i Zi të cilët punojnë, jetojnë e shkollohen në botën e jashtme më tepër se një vit, është publikuar numri prej 44.017 banorëve, por MONSTAT-i e ka obligim t’i paraqesë të dhënat e tilla sipas strukturës kombëtare, gjuhësore e fetare, nga cilat komuna janë dhe në cilat vende jetojnë.
Cekim me këtë rast se një dukuri e tillë është paraqitur në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, pa ndonjë arsyetim, sepse çdo mërgimtar ka emrin e mbiemrin e vet dhe përkatësinë kombëtare e gjuhësore.
Kujtojmë se në bazë të regjistrimit të popullsisë, të mbajtur në vitin 2003, rreth 1/3 e mërgimtarëve ishin shqiptarë, ku në saje të rrethanave sociale e shoqërore për këto dy dekada trendi i tillë nuk ka pësuar rënie por ka vazhduar në të gjitha viset shqiptare në Mal të Zi, duke qenë popullsia me nivelin më të lartë të emigrimit në vend, që është dëshmi e statusit social e shoqëror në këtë mjedis.
Po ashtu MONSTAT-i duhet të publikojë të dhënat edhe për 46.877 shtetasit e huaj, të cilët kanë vendqëndrim në Mal të Zi, nga cilat vende janë, në cilat qytete qëndrojnë, cilës kombësi e fe i përkasin dhe cilën gjuhë e flasin.

Përfundim
Në Mal të Zi shtimi natyror i popullsisë vazhdon me trendin negativ, që paraqet alarm jo vetëm demografik, por nga ana e qeverisë përveç deklarateve të rastit nuk janë duke u angazhuar me masa konkrete për zbutjen e gjendjes ekzistuese, e cila është më e theksuar në komunat veriore të vendit.
Ndonëse në lidhje me këtë çështje qeveria aktuale ka themeluar Drejtorinë për Demografi në kuadër të Ministrisë së Përkujdesjes Sociale, Kujdesit ndaj Familjes dhe të Demografisë, rezultatet konkrete mund të priten vetëm pas disa viteve e deri atëherë opinionit i mbetet të analizojë të dhënat periodike nga ana e MONSTAT-it, të cilat janë dëshpëruese dhe me pasoja të përgjithshme shoqërore.

Të fundit

më të lexuarat