Në Krajë numri inxënësëve në rënie

Ali Gjeçbritaj

Në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Ostros në këtë vit shkollor u regjistruan vetëm shtatë fillestar, tregues që flet për rënien drastike të numrit të nxënësve në këtë institucion arsimor, i vetmi në komunën e Tivarit ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Në fillim të këtij viti shkollor sipas fjalëve të drejtorit të shkollës Sami Dodiq në shkollën qendrore dhe në tri paralelet e ndara të saj janë regjistruar gjithsej 62 nxënës, nga të cilët shtatë janë fillestarë. Drejtori i shkollës për të përjavshmen “Koha Javore” ndër të tjera vë në dukje se në paralelet e ndara në Arbnesh, Bobosht dhe Skje mësimin e ndjekin shtatë nxënës dhe atë në Arbnesh dy nxënës, në Bobosht katër nxënës dhe në Skje një nxënës. Në shkollën amë, pra në shkollën qendrore nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë mësimin e ndjekin 55 nxënës. Deri më sot asnjëherë numri i nxënësve nuk ka qenë kaq i vogël. Pa asnjë dilemë, ky është një shqetësim i madh jo vetëm për Krajën, por për gjithë komunitetin shqiptar. Kujtojmë se dy paraleleve të ndara në Ftjan dhe në Kështënjë u është vënë dryni këtu e shumë vjet më parë. Nëse vazhdon ky trend negativ në shoqëri një fat tillë së shpejti pret edhe paralelet tjera të ndara.
“Përgatitjet për fillim të mbarë të punës këtu kanë nisur më kohë”, na thotë drejtori. “Gjatë pushimit veror personeli arsimor, mësimdhënësit dhe punëtorët teknikë janë angazhuar bashkërisht në rregullimin e objektit shkollor, klasave dhe kabineteve në shkollën qendrore dhe në paralelet e ndara, në mënyrë që nxënësit që në ditën e parë të shkollës të kenë kushte të pranueshme për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor. Sa u përket kushteve mund të them me plot gojë” shton ai “se këtu ata janë në nivelin më të lartë të mundshëm. Planifikojmë që në një të ardhme të afërt të bëjmë edhe disa renovime të objektit në shkollën qendrore, sidomos ndërrimin e disa dritareve dhe riasfaltimin e poligonit sportiv të shkollës. Sa i përket kuadrit mësimor shkolla ka bërë përpjekje maksimale që të sigurojmë kuadrin e kualifikuar më kualifikime profesionale, ngase gjithnjë na paraqitën vështirësi në këtë drejtim, por qëllimi jonë kryesor është që të sigurojmë për të gjitha lëndët mësimore mësimdhënës të kualifikuar. Ministria e arsimit, shkencës dhe inovacionit siç dihet botërisht edhe për këtë vit ka siguruar tekstet shkollore falas për nxënësit. Gjithashtu ka siguruar kompjuterë dhe televizorë pothuaj për të gjitha klasat dhe kabinetet ku mbahet mësimi. Shpërndarja e tyre është bërë gjatë verës në mënyrë që vënia e tyre në funksion të bëhet me kohë, e që nxënësit t’i kenë në klasa dhe kabinete qysh në ditën e parë të shkollës. Edhe këtë vit shkollor Ministria e Arsimit ka siguruar mjetet për transportin e nxënësve nga vendbanimi i tyre deri në shkollë dhe anasjelltas. Ne si shkollë për një udhëtim të rregullt dhe të sigurt kemi menduar me kohë, duke bërë mirëmbajtjen dhe rregullimin e minibusëve të shkollës. Përndryshe shkolla posedon minibusë (furgonë) , tre sish për transportin e nxënësve. Edhe në këtë drejtim mjetet për transportin në fjalë i kemi siguruar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Inovacionit”, përfundon drejtori Sami Dodiq.

Të fundit

më të lexuarat