Në fokus, ndërtimi i rrugës përmes Qafës së Vranicës

Në takimin dypalësh, në qendër të diskutimeve ishte mundësia e realizimit të një lidhjeje rrugore strategjike midis Plavës dhe Tropojës përmes Qafës së Vranicës - pikës kufitare në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë

Plavë – Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Eduard Shalsi, të martën, më 2 shtator 2025, kanë qëndruar në vizitë njëditëshe pune në komunën e Plavës.
Ata në ambientin e Komunës për takime, tubime dhe veprimtari të tjera pune, i priti dhe u dëshiroi mirëseardhje kryetari i Komunës, Nihad Canoviq me bashkëpunëtorë.
Në takimin dypalësh, në qendër të diskutimeve ishte mundësia e realizimit të një lidhjeje rrugore strategjike midis Plavës dhe Tropojës përmes Qafës së Vranicës – pikës kufitare në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Gjatë takimit u theksua se Komuna e Tropojës ka nisur punimet në mbushjen dhe zgjerimin e rrugës në territorin e vet, ndërsa Komuna e Plavës është në fazën përfundimtare të projektit të ndërtimit të një segmenti rrugor prej 6 kilometrash.
Në fund, palët u pajtuan se ky projekt i përbashkët, ka vërtet rëndësi të veçantë, pasi synon jo vetëm të nxisë zhvillimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, por edhe të vlerësojë potencialin e jashtëzakonshëm turistik që posedojnë dy komunat – ajo e Plavës në Malin e Zi dhe e Tropojës në Shqipëri.
Përmirësimi i infrastrukturës do të krijojë mundësi që pasuritë natyrore, trashëgimitë kulturore dhe potencialet malore të Plavës dhe Tropojës të zënë vendin e merituar në hartën turistike rajonale dhe ndërkombëtare, ishte konkludimi i përbashkët i palëve të takimit.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat