Të ndikosh në jetën e tjetrit ose të ndikojnë të tjetrët në jetën tënde është një temë paksa delikate. Kjo për faktin se jo çdo ndikim është i barazvlefshëm. Kjo do të thotë që jo çdokush ndikon njëlloj tek ne. Ndikimi mund të ushtrohet në shumë forma: që nga një fjali (sa e/i bukur ose e/i shëmtuar je), e deri tek format e të vepruarit që mund të jenë kufizime të caktuara nga prindërit tanë (sot nuk do dalësh me xy shokun/shoqen), etj. Mos të harrojmë të përmendim që ndikimet mund të kenë efekte pozitive ose negative, në varësi të mënyrës së përdorimit ose edhe fuqisë së ndikuesit.
Në qoftë se një fjalë me kuptim negativ e thënë nga një i huaj ose nga dikush që nuk na intereson aq, atëherë ajo fjalë sado negative të jetë nuk na godet sa na godet e njëjta fjalë e thënë nga dikush që ka një rol të rëndesishëm në jetën tonë. Është e lehtë të ndikosh negativisht , t’i drejtosh njërëzit e tu të afërm, të dashurit e shoqërinë në rrugën e gabuar dhe po aq e vështirë të ndikosh pozitivisht, t’i udhëheqësh në drejtimin e duhur. Shoqëria mund të ndikojnë negativisht tek ne në gjërat si vijojnë: përdorimi i lëndeve narkotike, pirja e alkoolit, e gjërave të tjera. Por shoqëria mund të ndikojë edhe pozitivisht, duke na mbështetur e duke bërë tifo për sukseset tona, por edhe për dështimet duke qënë afër nesh në momente të tilla. E njëjta gjë vlen edhe për rolin e familjes. Ata ndikojnë në një mënyrë ose në një tjetër ashtu si edhe shoqëria në formimin e personalitetit që do të bëhëmi më vonë. Nëse aprovimi ose kundërshtimi lidhur me gjëra të caktuara nuk është i pranishëm, atëherë ne trishtohemi,rebelohemi e madje mund të bëjmë e të themi gjëra për të cilat do të pendohemi më vonë.
Ne jemi qënie të cilat ndikohen paksa nga të tjerët, ngaqë jemi edhe qënie shoqërore, por kjo nuk do të thotë që ta jetojmë jetën tonë nga ndikimi i të tjerëve, vetëm nëse ju çon përpara ose ju formon si njëri më të mirë, vetëm atëherë po. Mos të harrojmë se edhe ndikojmë në jetën e të tjerëve, pasi që ndërveprojmë me të tjetrët. Pse mos të na mbajnë mend për ndikime pozitive? Falë teje, sot unë jam kjo/ky që jam, ose jam këtu ku jam!
Donika Lulgjuraj