Ndihmë për Malin e Zi në përballjen e sulmeve

Mbi sulmet kibernetike që po përjeton Mali i Zi kohëve të fundit, kanë reaguar shumë zyrtarë të lartë vendas dhe të huaj.
Mbi këto sulme është deklaruar shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa e cila ka thënë se dëshiron që ta shohë Malin e Zi të mbrojtur nga kërcënimet kibernetike, ndërsa ka paralajmëruar ndihmë për Malin e Zi në përmirësimin e kapaciteteve operative në menaxhimin e incidenteve kibernetike.
“Kolegët tanë nga shërbimet për instrumente të politikës së jashtme janë para fillimit të projektit të shumë shteteve, qëllimi i të cilit është fuqizimi i qëndrueshmërisë kibernetike në Mal të Zi. Në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, ekspertët nga Akademia e e-administratës, do të ndihmojnë Malin e Zi që të përmirësojë kapacitetet e saj operative në menaxhimin e incidenteve kibernetike, që të sigurojë mbështetje teknike dhe trajnime për grupin malazez (CIRT) dhe të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, ka shkruar Popa në llogarisë e saj të tuiterit.
Ndërkaq, mbi këto sulme është deklaruar ministri i Administratës Publike në qeverinë teknike të Malit të Zi, Marash Dukaj, i cili ka thënë se me iniciativë të vet, partnerët ndërkombëtarë nga FBI-ja, (Byroja Federale e Hetimeve), janë tashmë në terren dhe po ndihmojnë që të tejkalohet njëri ndër sulmet më komplekse në infrastrukturën digjitale në historinë e ndonjë shteti.
Dukaj në një postim në tuiter, ka falënderuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që SHBA-ja i ofron Malit të Zi.
Kujtojmë që strukturat shtetërore të informacionit të Qeverisë së Malit të Zi, kanë përjetuar të premtën një sulm të fuqishëm kibernetik, për të cilin Agjencia për Siguri Nacionale e Malit të Zi (ANB), ka bërë përgjegjëse shërbimet ruse.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat