Ndezja e zjarreve në hapësirë, rrezik serioz për shumë vende

Tuz – Të ndodhur në periudhën kohore kur temperaturat kanë tendencë rritjeje gjithnjë e më shumë, ndezja e zjarreve në hapësirë dhe zjarrvëniet e qëllimshme, përbëjnë një kërcënim serioz, ku hektarë të tërë të pronave dhe pyjeve, përfshihen nga zjarret të cilat lënë pas, pasoja kolosale.
Nga viti në vit, qeveri, dikastere të ndryshme dhe shoqata joqeveritare apelojnë tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë zjarre në hapësirë.
Për të shmangur akte të tilla, Komuna e Tuzit, edhe këtë vit solli urdhër mbi ndalimin e ndezjes së zjarreve në hapësirë, sipas të cilit, ndalohet ndezja dhe përdorimi i zjarrit në sipërfaqe të hapura në territorin e komunës së Tuzit prej datës 1 qershor deri më 30 shtator 2024; në periudhën e përmendur në pikën 1 të këtij Urdhri, ndezja e zjarrit në tokat bujqësore, kampe dhe hapësira të tjera të hapura është e mundur vetëm me miratimin e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit të Podgoricës; personat juridikë dhe fizikë të cilët me veprimet e tyre të pakujdesshme shkaktojnë shfaqjen dhe përhapjen e zjarrit, dënohen në pajtim me dispozitat e Ligjit për mbrojtje dhe shpëtim.
Shpërthimi i vatrave të zjarrit gjatë stinës së verës, është bërë tashmë një kërcënim serioz për shumë shtete, pasi që nga viti në vit, ato luftojnë me vatra zjarresh.
Çështjen e zjarrëvënieve të qëllimshme apo të shpërthimit të zjarreve gjatë stinës së verës e kemi trajtuar me dhjetëra herë, duke apeluar për kujdes, që të ndalohet ndezja e zjarreve në ambiente të hapura publike, në mënyrë që të shmangen pasojat, si në njerëz, ashtu edhe natyrë dhe në prona.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat