Dinoshë- Në afërsi të depos së grumbullimit të mbeturinave e cila ndodhet në periferi të Podgoricës, ka zënë vend një depo ilegale e mbetjeve të shumëllojshme e cila shtrihet në një sipërfaqe relativisht të gjerë, mbeturina këto të cilat vite me radhë i shkarkojnë njerëz të papërgjegjshëm të cilët për fat të keq ndotin ambientin jetësor dhe rrezikojnë shëndetin e qindra banorëve të cilët gravitojnë në afërsi të kësaj sipërfaqeje të shëmtuar.
Janë plotë pesë fshatra, banorët e të cilave pothuajse çdo ditë janë të detyruar të thithin në organizmin e tyre toksina të cilat nxjerrin mbetjet e ndryshme, përfshirë djegie të gomave të automjeteve e deri tek aromat shumë të rënda dhe të padurueshme të cilat vijn; nga kafshët e ngordhura që hedhen në këtë sipërfaqe e cila shtrihet përgjatë një pjesë ku kalon Lumi Cem.
Banorët e fshatrave Rogath, Dinoshë, Milesh, Omerbozhaj por dhe Rakiqi pranë lumit Cem, përballen me këtë problematikë që zgjatë që prej katër-pesë vitesh por që ende nuk ka marrë zgjidhje, ndërsa shqetësimi i banorëve për këtë fenomen sa vjen e rritet çdo ditë.
“Ka disa vite me radhë që të gjithë jemi të detyruar të jetojmë në një mjedis jashtëzakonisht të ndotur dhe të rrezikshëm pasi nga mbetjet e llojllojshme të cilat i ndezin, krijohet një re e zezë e tymi që shtrihet përgjatë gjithë fshatrave që gravitojnë në afërsi të kësaj sipërfaqeje, duke sjellë me vete erëra të pakëndshme dhe herë-herë të padurueshme. Ndotjen më të madhe e shkaktojnë gomat të cilave në një sasi të madhe ju vënë flakën në orët e vona të mbrëmjes, të cilat i ndezin kryesisht pjesëtarë të komunitetit rom, por jo vetëm ata, pasi disa të tjerë hedhin edhe kafshë të ngordhura që vërtetë shkaktojnë një atmosferë të padurueshme dhe të dëmshme. Ne bëjmë apel te të gjithë organet kompetente që të ndërmarrin masa urgjente për pastrimin e ambientit në fjalë dhe të ndalojnë njëherë e mirë hedhjen e mbetjeve të cilat po na rrezikojnë shëndetin vite me radhë”, u shpreh për “Koha Javore”, Shtjefën Kolçaj, banor i fshatit Omerbozhaj duke shtuar se deri më tani u janë drejtuar disa institucioneve për zgjidhjen e këtij problemi, por deri më tani, përpjekjet e tyre nuk kanë pasur sukses.
Ndërkaq, edhe Admir Nikaj, banor i fshatit Rogath në prononcimin për “Koha Javore”, shpreh brengosjen e tij për situatën e krijuar në këtë vend, duke thënë se mjedisi jetësor është duke u ndotur çdo ditë e më shumë, duke sjellë dhe pasoja në shëndetin e gjithsecilit që detyrohet të bashkëjetojë dita-ditës më këtë ambient të ndotur jetësor.
“Banorët e këtyre fshatrave janë në një situatë aspak të volitshme duke qenë se mjedisi ku jetojnë është jashtëzakonisht i ndotur nga një sipërfaqe e gjerë e mbetjeve të ndryshme të cilat që disa vite janë rrënjosur aty, duke rrezikuar dhe shëndetin e njerëzve. Është koha që dikush të marrë hapa konkretë që ky problem të marrë fund njëherë e përgjithmonë, pasi vërtetë bëhet fjalë për një problematikë shqetësuese dhe që kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, u shpreh Nikaj.
Banorët e këtyre fshatrave nëpër të cilat shtrihen shtëllunga tymi të zi me erëra të pakëndshme dhe toksike, pohojnë se deri më tani u janë drejtuar disa institucioneve për zgjidhjen e këtij problemi si: Inspeksionit për Ekologji, Ministrisë për Mbrojtje të Mjedisit Jetësor, etj, por siç u shprehën, askush deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa seriozë për t’i dhënë fund kësaj çështjeje. t.u.