Ndërrohen dyert e sallës së fizkulturës dhe blehen rekuizitat sportive për 85 fëmijë

Dy aksionet e fundit të këtij fondi kanë të bëjnë me mbështetjen financiare për ndërrimin e dyerve të sallës së edukimit fizik në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, gjatë muajit të kaluar, me vlerë 2 500 euro, dhe blerjen e rekuizitave të domosdoshme për fëmijët e Klubit të Karatesë “Ulqini” në Anën e Malit, me vlerë 5 000 euro

Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona” nga Nju Jorku ka vijuar të ndihmojë vendlindjen me projekte të ndryshme.
Dy aksionet e fundit të këtij fondi kanë të bëjnë me mbështetjen financiare për ndërrimin e dyerve të sallës së edukimit fizik në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, gjatë muajit të kaluar, me vlerë 2 500 euro, dhe blerjen e rekuizitave të domosdoshme për fëmijët e Klubit të Karatesë “Ulqini” në Anën e Malit, me vlerë 5 000 euro.
“Duke parë gjendjen e këtyre dyerve, të cilat ishin pothuajse tërësisht të amortizuara si dhe pasojat që mund të kenë në shëndetin e nxënësve që ndjekin mësimin apo dhe fëmijëve të tjerë që i shfrytëzojnë këto hapësira, ishte e domosdoshme ndërhyrja. Në këtë mënyrë drejtuesit e Fondit ‘Trojet tona’, pas njoftimit për gjendjen e ambienteve të sallës së edukatës fizike, vendosën të ndajnë mjetet për vendosjen e dyerve të reja”, thuhet në deklaratën për shtyp të këtij fondi.
Udhëheqësia e shkollës dhe nxënësit e SHF “Bedri Elezaga” kanë falënderuar Fondin Humanitar “Trojet tona” për këtë ndërhyrje më se të domosdoshme.
“Në emër të të gjithë nxënësve të shkollës dhe të gjithë të punësuarve falënderojmë Fondin Humanitar ‘Trojet tona’ në SHBA për kontributin e dhënë në ndërrimin e të gjitha dyerve në sallën e edukatës fizike. Ju jeni ambasadorët e shkollës sonë!”, thuhet në falënderimin e kësaj shkolle.
Aksioni tjetër i Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” është pajisja me veshje sportive kimono por edhe rekuizita të tjera të domosdoshme për 85 fëmijët e Klubit të Karatesë “Ulqini”, që vepron në Anën e Malit.
Nga ky klub kanë falënderuar Fondit Humanitar “Trojet Tona” për këtë ndihmë.
Duhet shtuar se në dhjetor të vitit të kaluar, Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” inicoi hapjen e KK “Ulqini” për Anën e Malit. Me këtë rast, Fondi investoi 15 000 dollarë për përshtatjen dhe kompletimin e objektit për stërvitje të anëtarëve të KK “Ulqini” në Katërkollë. Ky fond po ashtu falënderon sponsorët Safet Tahirin, Lemo Gogën dhe Bernard Skardën për pagesën e qirasë vjetore të objektit të stërvitjes, që kap shumën 2 250 dollarë amerikanë.
Që prej fillimit të punës së tij, Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” ka ndihmuar në vazhdimësi SHF “Bedri Elezaga” dhe shkollat tjera. Nga ky fond kanë deklaruar se edhe në të ardhmen do të vijojnë të ndihmojnë shkollat shqipe në Malin e Zi, për të mirën e nxënësve dhe fëmijëve tanë, si dhe aktivitetet sportive, sidomos kur bëhet fjalë për aktivizimin masiv të fëmijëve në sporte të ndryshme.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat