Tuz – Në kuadër të ekspozitës së mbajtur më 8 mars në QKI “Malësia” në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit u organizua ligjërata, “Një perspektivë ndryshe”, nga Arlinda Lulgjuraj, në bashkëpunim me Komunën e Tuzit.
Të pranishëm në këtë aktivitet qenë nxënës të Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz dhe nxënës nga Shkolla Fillore “Mahmut Lekiq”.
Ky aktivitet mblodhi femra të suksesshme nga fusha të ndryshme të cilat shpalosën eksperiencat e tyre personale, ndërsa në fokus kishin barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe diskriminimin.
Në kumtesën për opinion të Komunës së Tuzit thuhet se ligjëruese në këtë aktivitet ishin: arkitektja – Dr. Ema Alihoxhiq- Jashareviq, drejtoresha e Qendrës për të Drejtat e Grave – Maja Raiçeviq, aktivistja për të drejtat e femrave – Leonora Dukaj , drejtoresha e Organizatës Turistike të Tuzit – Leonora Dedivanoviq, fotografja -Nada Vojinoviq, si dhe psikologia – Andrea Sinishtaj.
Në pjesën e dytë është mbajtur ligjërata e cila kishte për qëllim paraqitjen e po të njëjtës tematikë, nëpërmjet artit, konkretisht pikturës, të cilat u ekspozuan më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Këto aktivitete kanë për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e barazisë gjinore.
Ndërkaq, po javën e kaluar, Sekretarijati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit organizoi ligjëratat, “Dhuna mes moshatarëve” dhe “Parandalimi i lëndëve narkotike“, në të cilën morën pjesë nxënës të Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz dhe të Shkollës së Mesme, “Mehmed Fatih”.
Synimi i ligjëratave në fjalë është ndërgjegjësimi i të rinjve lidhur me këto fenomene.
t. u.
