Fondacioni Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona”, i cili vepron në kuadër të Shoqatës “Ana e Malit” në Nju Jork, ka ndarë 70 bursa për studentët shqiptarë nga Ulqini të cilët studiojnë në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe vende të tjera.
Aktivistë të këtij fondacioni në vendlindje kanë bërë gjatë fundjavës ndarjen e bursave për studentët përfitues, njofton portali Ulqini Online.
Aktivistja e këtij fondacioni në vendlindje, Vjollca Lika – Çobaj, ka treguar se kriteret kryesore për përfitimin e bursës së Fondacionit “Trojet tona” kanë qenë nota mesatare në studime, ndjekja e studimeve në fushat me kuadro deficitare, studimet në universitetet publike shqiptare por jo vetëm, si dhe gjendja ekonomike e familjarëve të studentëve.
Shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara për bursa është 34 mijë dollarë amerikanë.
Puna e Fondacionit “Trojet tona” bazohet në ndihmën ndaj vendlindjes Anës së Malit dhe është i përqendruar në tri fusha kryesore: fushën sociale (bamirësi), arsim, kulturë dhe trashëgimi kulturore.
Ndonëse i themeluar pak kohë më parë, ky fondacion ka qenë shumë aktiv sidomos vitin e fundit, duke ndihmuar me pajisje mjekësore dhe ilaçe institucionet shëndetësore dhe individët e prekur nga COVID-19.
(Kohapress)
