
I nderuari Z. Nik Gjeloshaj,
Fillimisht, Ju uroj nga zemra zgjedhjen Tuaj nënkryetar të Qeverisë për politikë ekonomike dhe ministër i zhvillimit ekonomik në Mal të Zi. Suksese në detyrën Tuaj me përgjegjësi dhe dalshi faqebardhë! Veç urimit, unë kam edhe lutje vëllazërore dhe njerëzore: JU LUTEM NA E HIQNI KISHËN SERBE NGA MAJA E RUMISË!
Paraprakisht, Ju njoftoj se një urim dhe lutje të tillë (më 12 maj 2022) ia kam bërë edhe ish-kryeministrit të Malit të Zi, z. Dritan Abazoviq, por pa rezultat. Përkundrazi, ai mandatin e tij kryeministror e filloi me “zbulimin” se Gjergj Kastrioti Skënderbeu na kishte origjinë serbe dhe e përfundoi atë me Marrëveshjen Themelore midis Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe për legalizimin e uzurpimit dhe serbizimit të kishave, gërmadhave mesjetare, pronave kishtare e varrezave ortodokse (dhe jo vetëm ortodokse) në Mal të Zi, në funksion të realizimit të projektit famëkeq të “tokave serbe”.
Siç jeni në dijeni, besoj se edhe më mirë se unë, për kishën (Sveta Trojica) në Rumi është folur dhe shkruar shumë. Një krajan i kreshtave të saj shkroi dhe botoi edhe një libër me titull kuptimplotë “Kisha e sherrit”. Ka edhe një vendim gjykate për paligjshmërinë e themelimit të saj, përkatësisht të “zbritjes së saj nga qielli” në Rumi me helikopter ushtarak serbo-malazez. Kështu, Rumia e shenjtë, nga një pikë pelegrinazhi shumëshekullor për të gjithë njerëzit vullnetmirë, pa asnjë dallim, u shndërrua në një pikë referimi për projektin hegjemonist serbo-ortodoks. Nëse edhe Ju mendoni kështu si unë, e unë jam plotësisht i bindur se po, Ju lutem që duke u mbështetur në mundësitë, kompetencat, autoritetin dhe vendosmërinë Tuaj, që Ju karakterizon, të ndërmerrni nismën dhe të jetësoni vendimin e gjykatës për paligjshmërinë e ngritjes dhe heqjen e këtij institucioni hegjemonist “të sherrit” nga Rumia, nga ky mal i paqes dhe i mirëkuptimit ndëretnik, ndërfetar e ndërnjerëzor.
Vëlla dashur! Unë tani jam në moshën e “pleqërisë së mbetur”. Nuk do të doja t’i mbylli sytë e “të përshëndetëm” me Ruminë tonë të shpërfytyruar kaq keq, nga “jurishnikët e Svetosavlje-s.” E shndërruan në një varr turpi të zi si futa!
Me respekt dhe konsiderata të veçanta, Juaji Hajrullah Koliqi.
