Tuz – Qendra Kulturore-Informative “Malësia”, të premtën mbrëma (10 shkurt 2023) organizoi shfaqjen e koncertit të muzikës së dhomës “Suonos Albanicus”, ku disa nga artistët e e Teatrit të Operas dhe Baletit – Tiranë, interpretuan me shumë mjeshtëri dhe profesionalizëm këngë dhe kompozime të shumta të këngës tradicionale qytetare dhe popullore dhe të muzikës së kualifikuar bashkëkohore.
Fillimisht, publikun e pranishëm e përshëndeti drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, violinistja me një karrierë të ndritur nga teatrot më të njohura italiane, Abigeila Voshtina e cila duke falëndëruar QKI-në “Malësia” për ftesën e bërë, tregoi se ideja për shfaqjen e këtij koncerti ka lindur si një projekt i cili do të tregonte gjuhën shqipe në Itali.
“Pas kësaj, duke parë suksesin që pati koncerti me pjesët e zgjedhura, me jaret shkodrane që janë kaq afër jush, domethënë këngët e të dashuruarve kemi pasur shumë e shumë ftesa për ta luajtuar shpesh herë këtë koncert. Jam e sigurt se vërtetë do t’ju rrëmbejë zemrën, sepse është një muzikë e cila flet vetë nëpërmjet gjuhës tonë, por edhe nëpërmjet asaj muzike që nuk harrohet kurrë”, u shpreh Voshtina.
Programi artistik filloi me Gjon Simonin nga opera e parë shqiptare “Mrika”, për të vijuar më pas me interpretim të këngëve nga sopranoja Besa Llugiqi: “Pranvera filloi me ardhë”, “Luleborë”, “Dashnor tu bana”, “Në zaman t’njasaj furie”, “Valle Antike”, “Çelni ju lule”, “Për mue paska kënun kismet”, etj.
Ky koncert i cili zgjati diçka më shumë se një orë, u ndoq me shumë entuziazëm dhe ngrohtësi nga audienca.
Ky format ka zhvilluar tashmë një profil të vetin nëpërmjet përformancave kombëtare dhe ndërkombëtare në Evropë dhe më gjerë. Repertori i tij, përveç një berthame të klasikëve të famshëm, ka arritur të përfshijë një shumëllojshmëri zhanresh duke filluar nga këngët tradicionale shqiptare deri te vargjet muzikore bashkëkohore të interpretuara me një shije të veçantë.
t. u.