Ulqini është një qytet, i cili njihet për lashtësinë dhe kulturën e tij. Këto veçori mund ta shndërronin atë në një qytet me dhjetëra muze, por fatkeqësisht mungojnë investimet.
Muzeu i Ulqinit, i cili ndodhet brenda Kalasë, është një destinacion që nuk duhet humbur. Ai funksionon si një tërësi e përbërë nga seksioni arkeologjik, etnologjik dhe galeria e arteve. Çdoherë që e kam vizituar kam vënë re se Muzeu Arkeologjik është ai që tërheq më shume vëmendjen e vizitorëve të huaj. Jo vetëm nga ajo se çfarë ka brenda, por edhe nga pamja e jashtme. Një kishë e kthyer në xhami e më pas në muze, duket një ndërtesë vërtet intriguese. Për t’u futur brenda duhet të ngjisësh shkallët dhe të hapësh derën prej druri me një mbishkrim në gjuhën latine. Në brendësi, ndërtesa ka elemente të të dy besimeve që e kanë përdorur këtë vend si objekt kulti. Ajo ka strukturën e një xhamie që pas pushtimit turk, por edhe sot akoma mund të dallohen kryqat e vegjël të gdhendur në mur. Tashmë kishë-xhamia nuk kryen më funksionin e saj të dikurshëm. Prej më shumë se 45 vitesh ajo është e mbushur me vitrina tipike të një muzeu. Në ato vitrina ekspozohen sende të lashta të gjetura nën tokë nga arkeologët gjatë gërmimeve të tyre. Shumica prej tyre u përkisnin të parëve tanë – ilirëve. Nuk mungojnë as objektet romake, greke, turke që kanë mbetur në Ulqin si pasojë e tregtisë dhe pushtimeve. Si “gjërat më me vlerë” të këtij muzeu cilësohen mbishkrimet kushtuar perëndeshave greke: Artemisa dhe Athena. Nga ekskursionet shkollore si fëmijë mbaj mend se sendet që na zgjonin kurreshtjen ishin monedhat e lashta, poçat, sëpatat ilire, varëset prej floriri dhe një piano i shek. XVIII që nuk guxonim ta preknim. Pas vëzhgimit të çdo cepi të këtij muzeu, vizitorët zakonisht shkojnë në atë etnologjik që ndodhet aty pranë. Aty ekspozohen veshjet dhe veglat e punës që përdoreshin në të kaluarën. Në dhomën ku gjenden veshjet, ka pëlhura nga më të ndryshmet me lloj-lloj ngjyrash. Veshjet e ekspozuara vijnë nga çdo krahinë në afërsi të Ulqinit: Ana e Malit, Shtoji, Kraja, Shestani, Malësia. Më e vjetra prej tyre është padyshim xhubleta e Malësisë, e vjetër rreth 4.000 vjet. Ky fakt më kujton një shprehje që thotë: “Historitë e popujve të tjerë janë të gdhendura në gur, ndërsa historia shqiptare është e qëndisur në xhubletë.”
Ndoshta jo të gjithë e dinë se viteve të fundit Ulqinit i është shtuar edhe një muze tjetër, një muze larg zhurmave të qytetit. E kam fjalën për Muzeun Etnografik në fshatin Draginë të Anës së Malit. Gjithçka nisi si një koleksion personal i sendeve të vjetra, ndërsa sot është kthyer në një muze te mirëfilltë. Muzeu gjendet në katin e parë të shtëpisë së vjetër të familjes Kovaçi. Dhoma ku ndodhet sot muzeu është e vetmja pjesë e shtëpisë që i rezistoi tërmetit në vitin 1979. Deri më sot ky muze numëron mbi 700 eksponate nga fshatra të ndryshme të kësaj krahine. Ato karakterizojnë jetën e përditshme të një fshati shqiptar në shek. XX. Sapo futesh në muze dallon një sofër tipike shqiptare. Pranë saj ndodhen djepi, tezgjahu, dybeku¹, arka, furra, që dikur gjendeshin në çdo shtëpi. Në rafte janë të ekspozuara enë të ndryshme, foto bardhezi, makina shkrimi, pllaka gramafoni, para të vjetra. Gjëja që më bëri më shumë përshtypje ishte një helmetë gjermane nga Lufta e Dytë Botërore. Një të tillë e kisha parë vetëm në filma shqiptarë. Njëra faqe e murit shërben si ekspozitë për veglat e punës, siç janë: drapri, sëpata, kazma e parmenda. Të gjitha këto përdoreshin për punë në ara atëherë kur “jeta ishte e vështirë, ndërsa njerëzit të lumtur”.
Përderisa në Kala mund të mësoni rreth kohës së Ilirisë, në Muzeun Etnografik në Draginë do të mësoni se si ka qenë jeta gjatë shekullit të kaluar. Çdo pyetje e juaja rreth jetës së gjyshërve tanë do të marrë një përgjigje.
¹Tundësi i qumështit. Në të folurën tonë njihet me emrin tini.
Anesa Veliq
Ky shkrim publikohet në kuadër të trajnimit për të rinj „Sapere aude – guxo të jesh i mençur“, i mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
