Tuz – Komuna e Tuzit të enjten mbrëma, më 30 maj 2024, organizoi në QKI “Malësia” në Tuz, aktivitetin kulturor, “Mbrëmja e Gjakovës” në të cilin morën pjesë përfaqësues të pushteti vendor dhe qendror, ambasadorë, përfaqësues të Komunës së Gjakovës, në krye me kryetarin e Komunës dhe të Kuvendit, Ardian Gjinin dhe Arbnesha Kuqin, dhe të personaliteteve të fushave të ndryshme jetësore.
Në fjalën e rastit, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, u shpreh se ky aktivitet është një mundësi e jashtëzakonshme për të thelluar lidhjet dhe miqësinë mes Tuzit dhe Gjakovës, e për të festuar trashëgiminë e pasur kulturore që ndajnë së bashku.
“Pesë vjet më parë rikthyem statusin e Komunës së plotë dhe morëm përgjegjësinë për zhvillimin tonë. Falë përkushtimit të punonjësve, qytetarëve dhe diasporës, sot mund të mburremi me arritjet tona” u shpreh Gjelaj.
Ai ndër të tjera tha se suksesi më i madh i Komunës së Tuzit është, ulja e migrimit, sepse, siç tha ai, të rinjtë e Malësisë tani shikojnë një perspektivë që kishte humbur.
Kreu i Komunës së Tuzit theksoi se kjo mbrëmje shërben për ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditave që na lidhin.
“Detyra jonë është që t’ua përcjellim këto vlera brezave të ardhshëm, të vazhdojmë të lidhim ura miqësie dhe bashkëpunimi. Mbrëmja e Gjakovës nuk është vetëm një mundësi për të shijuar muzikën dhe artin, por edhe mundësi e shkëmbimit të përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave tona. Ne nuk harrojmë ndihmën e Kosovës, veçanërisht të Gjakovës për arsimimin e mësuesve tonë të cilët na mundësuan të ruajmë gjuhën dhe kulturën tonë” u shpreh kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Ndërkohë, Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës në fjalën e rastit, duke shprehur kënaqësi të veçantë dhe mirënjohje ndaj organizatorëve të kësaj mbrëmjeje, tha se qyteti i Gjakovës duhet t’ia ketë lakmi Tuzit për suksesin e arritur kohëve të fundit në futboll, ku KF “Deçiq” u shpall kampion i Malit të Zi.
Më tutje z. Gjini ndau disa momente historike që kur nga viti 1485 në Shkodër, Gjakova është verifikuar si qytet.
“Praktikisht prej qyteteve të mëdha në Kosovë, Gjakova është qyteti i vetëm të cilit vulën ia kanë dhënë vetëm shqiptarët. Në Gjakovë ekziston një familje e vjetër dhe shumë e respektuar me mbiemrin Tuzi, por ka familje edhe me mbiemrat Dibra, Kumanova, etj., pra prej krejt botës shqiptare kanë ardhur dhe e kanë bërë një qytet me të vërtetë të mirë, të bukur dhe të dashur” tha ndër të tjera, Gjini.
Në këtë mbrëmje, një atmosferë të ngrohtë solli grupi muzikor i të rinjve “Rilindja” i përbërë prej katër anëtarësh të rinj, por jashtëzakonisht të talentuar të cilët kënduan live disa këngë qytetare të qytetit të Gjakovës, duke prezantuar kështu thesarin e pasur të muzikës dhe kulturës së qytetit.
Në këtë mbrëmje kulturore dhe argëtuese u prezantua një monografi e cila tregon historikun e qytetit të Gjakovës, monumentet kulturore dhe historike, pasuritë kulturore dhe natyrore dhe të gjitha resurset e tjera që e karakterizojnë këtë qytet të lashtë e të bukur historik.
Kjo është hera e parë që në Tuz organizohet “Mbrëmja e Gjakovës”.
t. u.