
Me ndërtimin e Maternitetit të Ulqinit në vitin 2004 u bë edhe rregullimi i hapësirës rreth Shtëpisë së Shëndetit. Më qëllim parkingu u ndërtua në vendin e sotëm, si edhe ai përballë godinës së Maternitetit.
Sipas Sekretariatit për Urbanizëm të Komunës së Ulqinit, hapësira e lirë e cila gjendet në pjesën jugore të Shtëpisë së Shëndetit në afërsi të Maternitetit dhe repartit teknik është lënë e lirë dhe e paraparë për Spitalin e dikurshëm në Ulqin. Në atë kohë, sekretare e Urbanizmit në Komunën e Ulqinit ishte znj. Zana Sarvan.
Me ndërtimin e Maternitetit ashensori me qëllim është ngjitur deri në pllakë-pullaz. Është menduar që aty të vazhdohet ndërtimi për sallën kirurgjikale dhe shërbimin intensiv.
Spitali i ardhshëm në Ulqin duhet të jetë me katin përdhes dhe dy kate, për tre reparte: pediatri, kirurgji dhe sëmundjet e brendshme. Ndërsa reparti i gjinekologjisë mund të jetë në godinën e Maternitetit.
Është e ditur se për këto projekte duhet pëlqimi i Qeverisë së Malit të Zi, konkretisht i Ministrisë së Shëndetësisë. Prandaj duhet të jetë më i madh angazhimi i faktorëve, qofshin ato lokalë nga Komuna e Ulqinit, si dhe e përfaqësuesve tanë në Qeverinë e Malit të Zi. Është i ditur edhe fakti se në disa vitet e fundit nuk ka pasur angazhime rreth maternitetit. Mosangazhimi i takon udhëheqësisë, më së pari, e mandej edhe humbja e euforisë dhe angazhimi i stafit mjekësor, të cilët nuk kanë pasur përkrahje për punën e tyre.
Pas ndryshimeve në udhëheqësinë e Shtëpisë së Shëndetit, e cila pritet së shpejti, menanxhmenti i ri duhet të fokusohet në ringjalljen e Maternitetit.
Hapi i dytë duhet të jetë transfuzioni në kuadër të Institutit për Transfuzion nga Podgorica. Transfuzioni e ka vendin në katin përdhes të Maternitetit. Për këtë shërbim, një pjesë e madhe e aparaturës mjekësore është ofruar para dhjetë viteve.
Në vazhdim duhet të luftohet për ndërrimin dhe plotësimin e sistematizimit lidhur me veprimtarinë dhe vendet e punës së Shtëpisë së Shëndetit të Ulqinit. Me sistematizimin e ri, Shtëpia e Shëndetit në Ulqin, përveç veprimatarisë jospitalore duhet të ketë edhe atë spitalore.
Në dekadën e fundit kanë kryer studimet shumë mjekë, stomatologë, farmacistë shqiptarë. Disa prej tyre janë edhe në specializime në Prishtinë, Podgoricë, Beograd etj. Kështu do të formohet edhe personeli mjekësor i nevojshëm për spitalin e ardhshëm.
Ulqini si vend ku shumicën e popullatës e përbejnë shqiptarët, vend atraktiv dhe turistik, e meriton një vend të posaçëm sa i takon rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht Qeverisë së Malit të Zi.
Pse mos të thuhet, Spitali i Tivarit me ato shërbime që ofron është planifikuar edhe për komunën e Ulqinit. Ndodhitë lidhur me pandeminë Covid-19 dhe shkalla e lartë e infektimeve të banorëve të Ulqinit, e cila rezultoi me shumë raste vdekjesh, me siguri duhet të jetë një arsye më tepër për nismën për ndërtimin e spitalit. Mjetet financiare që i takojnë Spitalit të Tivarit, si edhe personeli mjekësor mund të drejtohet nga spitali i ardhshëm në Ulqin.
Një moment i rëndësishëm është edhe diaspora, e cila gjithmonë ka qenë në dispozicion për ndihmë.
Stacioni shëndetësor në Katërkollë
Pacientët të cilët gravitojnë në trevën e Anës së Malit duhet të kenë një shërbim shëndetësor më të gjerë. Nënkuptohet, mjeku i zgjedhur tërë ditën, në dy turne, pediatri çdo paradite. Barnatorja më e pajisur me medikamente, si dhe laboratori biokimik. Duhet të mendohet edhe për mbrojtjen shëndetësore të grave me specialistin e gjinekologjisë për çdo ditë.
Në fund, është koha dhe momenti që të mendohet për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm në Ulqin.

