Modernizohet ndriçimi publik në Plavë

Plavë – Eko-Fondi dhe Komuna e Plavës kanë nënshkruar kontratën për ndarjen e subvencionit për realizimin e projektit të efikasitetit energjetik të ndriçimit publik me emërtimin “Ndërrimi i llambave konvencionale të ndriçimit rrugor me llamba elektrike të reja LED”.
Qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i shpenzimit të energjisë elektrike dhe i emisionit CO² përmes modernizimit të sistemit të ndriçimit publik, thuhet në komunikatën për shtyp.
Vlera e përgjithshme e projektit, me afat të realizimit 12 muaj prej nënshkrimit të kontratës,
është 29.928,10 euro, derisa Eko-Fondi bashkëfinancon shumën prej 11.971,24 euro.
Siç theksojnë më tej palët kontraktuese, pritet që futja e ndriçimit me llamba elektrike LED të kontribuojë dukshëm në zvogëlimin e shpenzimeve të energjisë elektrike, përmirësimin e cilësisë së ndriçimit dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Drejtori ekzekutiv i Eko-Fondit, Drashko Boleviq ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së nismave të këtilla të cilat kontribuojnë në efikasitetin energjetik dhe qëndrueshmërinë ekologjike.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ka shprehur kënaqësinë për këtë projekt, duke theksuar rëndësinë e tij për avancimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bashkësisë lokale.
“Me këtë projekt Komuna e Plavës bën hap të rëndësishëm kah modernizimi i infrastrukturës komunale dhe shpenzimi racional i energjisë elektrike, në harmoni me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor”, kanë konkluduar në fund palët nënshkruese të kontratës në Plavë.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat