Millo Gjukanoviq fitues i shumicës absolute të votave

Plavë/Guci – Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 2 prill 2023, në të cilat për President të Malit të Zi garuan dy kandidatë – kandidati i PDS-së Millo Gjukanoviq dhe i Lëvizjes “Evropa Tani” Jakov Millatoviq, në Komunën e Plavës u mbajtën në 22 vendvotime: 4 në Plavë, 1 në Murinë dhe 17 në vendbanimet në periferi të tyre.
Në këto zgjedhje të cilat u zhvilluan në atmosferë të qetë dhe pa vërejtje, të drejtën e votës e shfrytëzuan 5.168 qytetarë të moshës madhore ose 55.1% prej gjithsej 9.374 personave me të drejtë vote sa ishin të regjistruar në listat zgjedhore. Në krahasim me zgjedhjet e raundit të parë, të mbajtura më 19 mars 2023, në raundin e dytë votuan më shumë 772 qytetarë ose 8.2%.
Pas numërimit të votave, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve konfirmoi se prej gjithsej 5.166 qytetarëve që dolën në vendvotime, 5.141 ishin vota të vlefshme, kurse 27 të pavlefshme dhe se shumicën absolute të votave – 3.721 ose 72% e fitoi kandidati i PDS-së Millo Gjukanoviq, ndërsa kandidatit të Lëvizjes “Evropa Tani”, votën ia dhanë 1.420 votues ose 28%.
Në Komunën e Gucisë zgjedhjet presidenciale u mbajtën në 10 vendvotime: 3 në Guci dhe 7 në vendbanimet rurale në periferi, të cilat po ashtu u zhvilluan në atmosferë të qetë dhe pa ndonjë problem eventual. Në raundin e dytë të zgjedhjeve në fjalë, të drejtën e votës e shfrytëzuan 1.726 qytetarë të moshës madhore ose 37.9%, prej gjithsej 4.550 personave me të drejtë vote sa ishin evidentuar në listat zgjedhore. Në krahasim me raundin e parë, edhe në këtë komunë në raundin e dytë të drejtën e votës e shfrytëzuan 356 qytetarë ose 7.8% më shumë.
Edhe në këtë komunë, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve pas numërimit të votave konstatoi se prej gjithsej 1.726 qytetarëve që dolën në vendvotime, 1.704 vota ishin të vlefshme, kurse 22 të pavlefshme dhe se shumicën absolute të votave – 1.513 ose 72% e fitoi kandidati i PDS-së Millo Gjukanoviq, ndërsa kandidatit të Lëvizjes “Evropa Tani” Jakov Millatoviq, votën ia dhanë 191 qytetarë ose 28%.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat