Shqiptarët në Malin e Zi nuk kanë institucione kulturore dhe shkencore në nivel shtetëror, por as të arsimit të lartë, me përjashtim të Programit studimor për arsimimin e mësuesve në gjuhën shqipe, i cili funksionon në kuadër të Universitetit të Malit të Zi.
Kërkesa e partive politike shqiptare që prej fillimit të pluralizmit politik në Malin e Zi ka qenë themelimi i institucioneve shkencore, arsimore e kulturore që do të financohen nga shteti, por deri tani nuk është bërë asgjë konkrete në këtë drejtim dhe ato kanë mbetur në nivelin e dëshirave dhe kërkesave.
Në fund të vitit të kaluar, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka propozuar themelimin e Institutit Albanologjik në Malin e Zi, një nismë që ka fituar mbështetje fillestare në Kuvend.
Ai e ka arsyetuar kërkesën për themelimin e Institutit Albanologjik me veçoritë që e karakterizojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe trashëgiminë historike të shqiptarëve, si dhe me realitetin specifik të Malit të Zi si shtet multietnik.
“Shqiptarët janë pjesë përbërëse e rëndësishme e këtij shteti dhe kontributi i tyre historik, kulturor dhe gjuhësor meriton trajtim institucional dhe shkencor të veçantë”, thotë Camaj.
Sipas konceptit të propozuar prej tij, themelues i këtij instituti do të jetë Kuvendi i Malit të Zi dhe financimi do të bëhej prej buxhetit shtetëror.
“Kjo do t’i jepte institucionit legjitimitet të plotë institucional dhe do ta garantonte pavarësinë e tij në veprimtarinë shkencore dhe kulturore. Financimi do të sigurohet nga buxheti shtetëror i Malit të Zi, ashtu siç financohen edhe institucionet e tjera publike me karakter shkencor dhe kulturor, por besoj se falë angazhimit dhe profesionalizmit të drejtuesve e të punësuarve, buxheti do të shtohej edhe me donacione të ndryshme, nga subjekte e individë, që mbështesin veprimtaritë kulturore e kombëtare”, thotë ai.
Ndërkaq, lidhur me mënyrën e funksionimit të tij, Camaj thotë se ideja është që Instituti Albanologjik në Malin e Zi të themelohet dhe të funksionojë si një institucion i pavarur shkencor dhe kulturor, për fatin dhe drejtimin e të cilit do të vendosë Kuvendi i Malit të Zi.
“Bëhet fjalë për një institucion që do të veprojë në përputhje me standardet bashkëkohore të institucioneve të ngjashme në rajon dhe më gjerë, duke u mbështetur në praktikat më të mira akademike dhe shkencore. Në këtë drejtim, do të ketë konsultime me institutet tjera albanologjike, me qendra studimore shqiptare, pra me institucione homologe, me qëllim që të ndërtohet një model funksional dhe i qëndrueshëm”, shprehet ai.
Sipas Camajt, misioni kryesor i kësaj Qendre, respektivisht Instituti, do të jetë “studimi, ruajtja dhe promovimi i gjuhës shqipe, i trashëgimisë kulturore dhe i identitetit kombëtar të shqiptarëve, veçanërisht në Malin e Zi, por jo veç, si edhe promovimi i realitetit multietnik të këtij shteti, i cili duhet të bazohet në respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe gjuhësore”.
Ky institut nuk do të kishte rëndësi vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë Malin e Zi.
“Instituti Albanologjik duhet të jetë jo vetëm një qendër studimore, por edhe një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së diversitetit kulturor dhe forcimit të barazisë ndërmjet komuniteteve në Malin e Zi. Ai duhet të kontribuojë në dokumentimin, studimin dhe afirmimin e trashëgimisë së etnisë shqiptare, duke e pasuruar njëkohësisht mozaikun kulturor të Malit të Zi në tërësi”, shprehet Camaj.
Sa i përket numrit të punonjësve që do të ketë Instituti Albanologjik, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi thotë se ai do të përcaktohet me aktet përkatëse themeluese dhe organizative të Institutit.
“Ky numër do të parashihet në përputhje me nevojat reale të institucionit dhe në analogji me institutet e ngjashme në rajon. Fillimisht, Instituti mund të funksionojë me një staf më të kufizuar, i cili me kalimin e kohës do të zgjerohet, në varësi të projekteve, programeve kërkimore dhe kapaciteteve financiare”, shprehet Camaj.
Studiuesi Dr. Haxhi Shabani përshëndet idenë dhe nismën për themelimin e Institutit Albanologjik, duke e vlerësuar si një projekt të domosdoshëm për shqiptarët në Malin e Zi.
Duke nënvizuar faktin se kërkimet shkencore në tri fushat themelore, siç janë: gjuha, letërsia e historia, në trevat e shqiptarëve në Malin e Zi janë bërë aty-këtu nga studiues të veçantë dhe në mënyrë periferike nga institucionet e këtilla të dijes jashtë Malit të Zi, ai thekson se “themelimi i Institutit Albanologjik në Malin e Zi është i domosdoshëm, për të studiuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe afatgjate me përkrahje të sigurt financiare dhe nga studiues me përvojë dhe nga të rinj, të cilët do të përgatiten për t’u marrë me kërkime në fushat e përmendura të dijes”.
Gjuhëtari vlerëson se për t’u themeluar, funksionuar dhe pasur rezultate të pritshme, para së gjithash profesionale dhe shkencore, duhen plotësuar disa kushte themelore.
“Ky institucion nuk duhet të jetë peng i militantizmit politik, institucionin në aspektin profesional duhet ta udhëheqin njerëzit e dijes, të jetë vendi ku do të punojnë njerëzit e dëshmuar profesionalisht në fushat përkatëse të shkencave dhe të rinj që mund të bëhen të këtillë si dhe të ketë financim të sigurt. Po të ketë vullnetin e duhur, për t’u plotësuar kriteret e përmendura, mendoj se ky Institut mund të themelohet dhe të funksionojë; normalisht duke hequr dorë nga paragjykimet se nga duhet të jetë ai/ajo që e udhëheq, ata/ato që do të punojnë; sepse shkenca dhe shkencëtarët nuk janë bërë të njohur asnjëherë për faktin se nga janë, por me rezultatet apo jo që (s’)kanë arritur”, thotë Shabani.
Si iniciator për themelimin e Institutit Albanologjik në Malin e Zi, Nikollë Camaj e pranon se ky projekt është krejt në fillimet e veta, megjithatë është optimist dhe shpreson se do të realizohet shumë më shpejt se disa projekte të tjera, siç janë edhe ato në fushën e informimit në gjuhën shqipe.
I. Kallaba
