Më shumë të drejta për të punësuarit

“Ky është tani dokumenti më i rëndësishëm edhe për anëtarët/et e Sindikatës së Medias dhe për të punësuarit në media, për shkak se Marrëveshja kolektive sektoriale për fushën e medias pushoi së vlefshmi para dy vitesh”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Medias

Nga fundi i muajit dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Malit të Zi, Unioni i Punëdhënësve, Asociacioni i Sindikatave dhe Unioni i Sindikatave të Lira, firmosën Marrëveshjen e re të përgjithshme kolektive.
Nga Sindikata e Medias në Mal të Zi, këtë marrëveshje e kanë cilësuar si dokumentin më të rëndësishëm për të gjithë të punësuarit në Mal të Zi i cili, siç kanë thënë, jep më shumë të drejta në raport me Ligjin e punës.
“Ky është tani dokumenti më i rëndësishëm edhe për anëtarët/et e Sindikatës së Medias dhe për të punësuarit në media, për shkak se Marrëveshja kolektive sektoriale për fushën e medias pushoi së vlefshmi para dy vitesh”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Medias.
Ata kanë sqaruar se gjatë bisedimeve mbi Marrëveshjen e re të përgjithshme kolektive, pika që ka sjellë më shumë pengesa ka qenë ajo e ngritjes së pagesës ditore për punë gjatë të dielave për të punësuar në media në nivelin prej 80 përqind.
“Pronarët e mediave lokale kanë kërkuar që të punësuarit në këto media të jenë të përjashtuar nga kjo rritje e pagesës ditore, duke pohuar se kjo do të rrezikonte qëndrueshmërinë e këtyre mediave. Këshilli kryesor i Sindikatës së Medias, në fund ka pranuar që rritja e pagesës ditore në media të shtyhet për gjashtë muaj, në mënyrë që Marrëveshja e re kolektive e përgjitshme të firmoset, por dhe që t’i jepet shans që gjatë kësaj periudhe të bisedimeve të vihet deri tek Marrëveshja kolektive sektoriale për fushën e medias. Nëse kjo nuk do të miratohet për gjashtë muaj, automatikisht do të vazhdojë të vlejë rritja e pagesës ditore për punë në media gjatë të dielave. Kjo thuhet në Nenin 37 të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive”, theksojnë nga Sindikata e Medias.
Më tutje, sipas raportimit të Sindikatës së Medias, thuhet se nëse do të miratohet Marrëveshja kolektive sektoriale në gjashtë muajt e ardhshëm, ajp nuk mund të përmbajë më pak të drejta në raport me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive, çfarë thuhet edhe në Nenin 3 të Marrëveshjes të përgjithshme kolektive. Kjo do të thotë që të punësuarit në media, pavarësisht nga të gjitha, do të fillojnë të paguhen me rritje të pagesës ditore për punë të dielave për gjashtë muaj.
Nga kjo sindikatë ndër të tjera tregojnë se të punësuarit në media të cilët paguhen me pagë minimale 450 euro, e të cilët punojnë përtej orarit të punës, gjatë natës, në kujdestari, apo që punojnë gjatë festave dhe të dielave, me Marrëveshjen e re të përgjithshme kolektive, menjëherë do të marrin pagë të ngritur.
Me Marrëveshjen e re të përgjithshme kolektive rriten pagesat ditore edhe për punë të dyfishtë me 10 përqind, ndërsa janë të garantuara edhe një sërë të drejtash të tjera për të punësuarit. Nga ana tjetër, me këtë marrëveshje ndërpritet masa disiplinore, por të punësuarit, ashtu sikurse edhe deri më tani të drejtat e tyre mund t’i mbrojnë me procedim gjyqësor.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat