Plavë – “Përmes bashkëpunimit të mirë dhe të suksesshëm të Komunës me banorët e lagjes Kumanica në periferi të Plavës, me punën e tyre të përbashkët është asfaltua rruga lokale që kalon nëpër këtë lagje”, ka theksuar kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, i cili në vazhdim ka shtuar se “projektet të cilat realizohen me pjesëmarrje të qytetarëve, mund të jenë tejet të suksesshëm, dhe atyre gjithsesi duhet dhënë prioritet”.
Me këtë rast, kryetari Canoviq, me drejtorin për investime dhe punë publike, Fuad Feratoviq, dhe banorë vendas të kësaj lagje, të mërkurën më 6 tetor 2021, ka inspektuar punët në asfaltimin e rrugës nëpër Kumanice, e cila shtrihet përball bregut verior të Liqenit të Plavës.
Banorët e Kumanicës, me atë rast kanë shprehur kënaqësinë për cilësi të lartë të punës së bërë duke theksuar se shtresa e re e asfaltit në këtë rrugë, me të madhe do të lehtësojë lidhjen e komunikacionit me qendrën komunale – Plavën, fshatin fqinj Vojno Sellën, por edhe me vendbanime tjera rurale të komunës.
Bashkëbiseduesit kanë konstatuar se është për lëvdatë dhe vlerë kur banorët lokal janë të interesuar për punën e dobishme shoqërore dhe realizojnë aktivitete të punës për mirëqenie të bashkësisë.
“Bashkëvendësve tanë ua kemi borxh falënderimin e sinqertë në punën e përkushtuar, aktivizim e optimizëm, por edhe në besimin që ia kanë kushtuar Administratës lokale”, është shprehur në fund kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.
Sh. H.