Organizata joqeveritare “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi) pranoi një donacion nga Shoqata “Jehona e Malësisë” me seli në Miçigan, për blerjen e mjeteve didaktike për fëmijët me autizëm të cilët trajtohen në këtë qendër.
Shpërndarja e këtyre mjeteve për trembëdhjetë fëmijët u bë të mërkurën, më 8 tetor 2025, në ambientet e kësaj organizate joqeveritare.
Drejtoresha ekzekutive Sabra Deçeviq, në prononcimin për gazetën “Koha javore”, e vlerësoi këtë donacion duke theksuar se pa mbështetje kjo qendër nuk mund ta realizojë misionin e saj në shërbim të fëmijëve me pengesa në zhvillim.
Duke u ndalur te mbështetja që i ofron nga viti në vit Komuna e Tuzit, si shoqatë që gëzon status të veçantë, Deçeviq u shpreh se si organizatë joqeveritare ata financohen nga projektet, dhe se çdo vit ky institucion u siguron një sasi të caktuar mjetesh financiare për funksionimin e shoqatës, mjete që, siç tha ajo, janë të destinuara për ofrimin e shërbimeve falas për fëmijët dhe të rinjtë me pengesa në zhvillim.
“Këtë vit e kemi firmosur kontratën në muajin mars dhe shuma që kemi marrë nga Komuna e Tuzit është 4 500 euro, mirëpo kjo shifër nuk i përmbush kërkesat tona për arsye se funksionimi i një qendre të tillë dhe i një numri të madh të fëmijëve që ne u ofrojmë shërbime, është i pamjaftueshëm që ne t’i realizojmë të gjitha qëllimet që kemi për këtë vit dhe t’u jemi pranë fëmijëve dhe familjarëve të tyre për ofrimin e këtyre shërbimeve”, u shpreh drejtoresha ekzekutive e OJQ “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi).
Organizata joqeveritare “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi) ka status të veçantë që nga viti 2019, kur me vendim të Kuvendit të Komunës së Tuzit, në seancën e dhjetë të rregullt të mbajtur në nëntor të atij viti, e fitoi këtë status.
t. u.
