Tuz – Komuna e Tuzit dhe Agjencia “Laganoo”, janë dakorduar të mbështesin bizneset lokale në Malësi, dhe mbi këtë, palët kanë firmosur marrëveshje javën e kaluar në Komunën e Tuzit.
Sipas njoftimit për opinion të faqes zyrtare të fejsbuk-ut të Komunës së Tuzit, thuhet se me këtë projekt është siguruar hartimi i ueb-faqeve falas si dhe hostingu me kohëzgjatje prej një viti për 20 ndërmarrësit e parë të paraqitur.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj shprehu falënderim dhe kënaqësi për këtë bashkëpunim.
Ai konsideron se në këtë mënyrë qytetarëve u mundësohet avancimi i punës që do të ndikojë në zhvillimin e mëtejmë të komunës. Ai gjithashtu theksoi se përkrahja e qytetarëve është në rend të parë dhe ky është njëri prej projekteve që e siguron këtë.
“Kemi kënaqësinë që kemi lidhur bashkëpunim dhe jemi krenarë që do të jemi pjesë e transformimit digjital në Komunën e Tuzit. Me këtë projekt është planifikuar që të nxitën afaristët që veprimtarinë e tyre ta zhvillojnë online duke prezantuar biznesin e tyre para miliona përdoruesve. Tregtia online çdo ditë e më shumë është duke fituar terren duke sjellë benefite të mëdha, si për blerësit ashtu edhe për shitësit. Punëdhënësve iu sigurohet reklamimi më i madh, pagesa në çast si dhe qasja në oferta 24/7. Në anën tjetër, blerësve u mundësohet blerja komode nga shtëpitë e tyre”, tha drejtoresha e marketingut dhe zhvillimit të biznesit e agjencisë “Laganoo”, Tamara Blazhiq.
Në mbledhje morën pjesë kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, sekretari i Sekretariatit për zhvillim ekonomik në Komunën e Tuzit Shefko Kurpejoviq dhe drejtoresha e marketingut dhe zhvillimit të biznesit të agjencisë “Laganoo” Tamara Blazhiq.
Sipas njoftimit, afati i paraqitjes do të zgjasë 30 ditë nga dita e publikimit të thirrjes publike, e cila do të shpallet nga fundi i gushtit. Të drejtë paraqitjeje do të kenë të gjithë afaristët të cilët janë të regjistruar në territorin e Komunës së Tuzit.
t. u.