Manifestim shumëdimensional i ndriçimit dhe reflektimit të vlerave kombëtare shqiptare

Vuthaj – Në Vuthaj të Komunës së Gucisë, të martën më 1 gusht 2023, u mbajt manifestimi tradicional mbarëkombëtar shqiptar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare Vuthaj 2023”, i 26-ti me radhë.
Dita me mot të bukur ka mundësuar që në nënqiellin e hapur, në hapësirën skaj bregut të djathtë të Lumit Grla, të këtij vendbanimi piktoresk e përballë Alpeve Shqiptare, të tubohen ca mijëra qytetarë nga Vuthajt, Gucia e Plava me rrethinë, Malësia e Madhe, Ulqini, Tivari, Rozhaja, nga viset e ndryshme të Kosovës e Shqipërisë, nga Maqedonia e Veriut dhe të tjerë, si dhe bashkëvendës mërgimtarë në diasporë, të cilët pushimet verore e vjetore kanë ardhur t’i kalojnë në vendlindje. Me këtë rast ata vërtetë përjetuan çaste të këndshme pushimi, dëfrimi dhe argëtimi në programin e begatë të manifestimit tradicional në fjalë, të gërshetuar me pika të larmishme të zhanreve dhe opuseve kulturore, artistike, muzikore dhe sportive, në kuadër të cilit edhe këtë vit u mbajt festivali folklorik kombëtar shqiptar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, i 6-ti me radhë me kohëzgjatje njëditore, i cili këtë herë nuk kishte karakter garues por vetëm prezantues e argëtues. I gjithë manifestimi ka filluar në orët e mesditës dhe ka vazhduar deri në orët e para të mbrëmjes në atmosferë vërtet solemne dhe festive.
Me sloganin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2023”, nën valëvitjen e flamujve kuq e zi me shkabën dykrenare në mes, manifestimin e kanë hapur dy anëtaret e Këshillit organizativ të Shoqatës “Alpet Shqiptare”, vashëzat simpatike – vuthjanet vizionare, Arbërore dhe Rilinda Gjonbalaj, të cilat kanë moderuar programin manifestues, kanë përformuar në programin e SHKA-së “Maja e Karanfilit”, anëtare të së cilës janë dhe kanë përshëndetur gjithë të pranishmit, me theks të veçantë në mysafirët pjesëmarrës nga trojet shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi dhe mërgimtarët të shumtë në numër e bashkëvendës e bashkëkombës në diasporë, ndër të cilët kanë veçuar vëllain e dy heronjve të rënë në Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe njëherazi pjesëmarrësin e UÇK-së, Fadil Fazliun, i cili vazhdimisht është i pranishëm në manifestime të këtilla, Arben Krasniqin, i cili enkas ka ardhur nga Zvicra për të marrë pjesë në manifestim dhe për të nderuar manifestimin. Po ashtu përshëndetje të veçanta moderatoret Gjonbalaj shprehën edhe për mjeshtrin e madh nga Shqipëria e Veriut, zotëri Deli Metalia, i cili për vite të tëra ka dhënë kontributin e jashtëzakonshëm në punën e SHKA “Maja e Karanfilit”, ai njëherazi është edhe nip vuthjan. Respekt dhe përshëndetje madhore moderatoret u shprehën dy stërnipave Valon Çelaj dhe Ismet Ahmeti të bajraktarit të Rugovës, Çel Shabani, i cili heroikisht u vra në Betejën e Nokshiqit bashkë me Jakup Ferrin. Përshëndetje dhe mirëseardhje u shprehen edhe dy miqve dhe bashkëkombësve nga Komuna e Tuzit, deputetit të Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj dhe nënkryetarit të Komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj.
Manifestimin solemnisht e shpalli te hapur kryetari i Këshillit organizativ, Tahir Gjonbalaj, i cili i përshëndeti gjithë të pranishmit, e mysafirëve të nderuar u dëshiroi mirëseardhje dhe falënderim për pjesëmarrje.
Programi muzikor i manifestimit tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2023”, këtë vit filloi me prezantimin e programeve të SHKA-ve dhe grupeve artistike (pesë sosh) nga trevat etnike shqiptare pjesëmarrëse në festivalin folklorik kombëtar shqiptar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon” (dy nga Shqipëria, një nga Kosova dhe dy nga Mali i Zi), në të cilin me programet e veta të gërshetuara me këngë dhe valle burimore autoktone që i përfaqësojnë kanë marrë pjesë: nga Shqipëria – Grupi artistik “Konispoli” nga Konispoli i Krahinës së Çamërisë, Grupi artistik “Devolli” nga Devolli i trevës së Voskopojës, Nga Kosova – SHKA “Jonuz Ramadani” nga fshati Smirë i Komunës së Vitisë dhe nga Mali i Zi – SHKA “Koha” nga Dinosha e Komunës së Tuzit dhe SHKA vendase (nikoqire) “Maja e Karanfilit”, e cila edhe e filloi programin e festivalit në fjalë.
Theksojmë se pos grupeve artistike dhe SHKA-ve, të pranishmit në manifestim me përformansat e veta nga repertoari i begatë muzikor i argëtuan këngëtari i ri nga Tuzi Jasmin Nikaj dhe këngëtarja e famshme dhe e mirënjohur nga Malësia e Madhe, Marie Lajçaj.
Manifestimin popullor mbarëkombëtar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2023” e kanë bërë madhështor edhe pikat e programit sportiv në ca disiplina garuese, ku janë kyçur shumë të rinj, ndër të cilat janë veçuar: hedhja e gjyles prej 7,275 kg nga krahu, ku vendin e parë ndër 16 garues e zuri fituesi edhe i ca viteve të kaluara me radhë, i riu nga Vuthajt, Besfort Dedushaj, të cilit i është ndarë shpërblimi prej 100 euro dhe kupa, vendin e dytë e zuri edhe këtë vit vëllai i tij Donati, i cili bashkë me Luan Kukajn, i cili e zuri vendin e tretë, nga organizatori u shpërblyen me të holla. Në vrapin e kuajve – për marrjen e “koçisë”, këtë vit është interesant se garuan tre vëllezërit Hoti, djemtë e Rexhep Omerit i vëllazërisë Hysenaj të fshatit Hoti i Kujit i Komunës së Plavës. Vendin e parë me kalë e zuri dhe “koçinë” e mori Edon Hoti, i cili u shpërblye me 500 euro dhe kupë, vendin e dytë e zuri Suad Hoti, të cilit i takuan 100 euro shpërblim dhe vendi i tretë i takoi Valdrin Hotit dhe shpërblimi në të holla prej 50 euro.
Në fund të programit sportiv, në stadiumin ku u mbajt manifestimi u zhvillua ndeshja finale e turneut në futboll të vogël në mes të ekipeve “Vuthaj” nga Vuthajt dhe “Dardania” e vëllazërisë Haxhaj nga fshati Hot i Kujit, në të cilin fitoi ekipi “Dardania” me rezultat 1:0, të cilit i takoi kupa dhe shpërblimi në të holla prej 250 euro, kurse ekipit humbës “Vuthaj” shpërblimi modest prej 50 euro.
Në fund, theksojmë se shumë adhurues të natyrës ca çaste i kanë kaluar duke vizituar bukuritë e rralla e magjepsëse natyrore me të cilat begaton ky fshat piktoresk dhe ca vende të tjera tërheqëse e piktoreske rrëzë e përballë Alpeve Shqiptare.
Sponsor dhe organizues i këtij manifestimi është shoqata “Alpet Shqiptare” nga Vuthaj, e cila është mbështetur dhe përkrahur nga ca mërgimtarë vendas në diasporë.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat