Në sallën e Kuvendit të Komunës së Pejës, të premten më 11 prill 2025, është mbajtur edicioni i dytë i manifestimit rajonal dimëror “Një ditë, një majë, skiator i tre shteteve” – Trekufiri 2025, në të cilin ishin të pranishëm përfaqësuesit e gjashtë komunave të tre shteteve rajonale: tri të Republikës së Kosovës – Peja, Deçani e Juniku, dy të Malit të Zi – Plava e Gucia dhe një e Shqipërisë – Bashkia Malësi e Madhe (Tropoja).
Të pranishmit i ka përshëndetur kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Pejës, Rexhep Kurtbogaj, i cili në fjalën e vet është shprehur se “është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua, që në emër të Komunës së Pejës dhe si nikoqir i këtij manifestimi t’ju uroj mirëseardhje në qytetin tonë, në Pejën turistike apo siç njihet ndryshe ‘Destinacioni i gjelbër dhe vital’. ‘Turizmi nuk njeh kufi’, prandaj kjo është arsyeja që sot jemi të mbledhur këtu për të bashkuar forcat, për të diskutuar ide konkrete, për të ndërtuar plane të përbashkëta, që do të na mundësojnë promovimin dhe zhvillimin e këtij territori, si një destinacion i përbashkët turistik, me një ofertë gjithëpërfshirëse dhe atraktive”.
Të pranishmit i kanë përshëndetur kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, zëvendëskryesuesi i Komunës së Pejës, Skender Kandiq, iniciatori i manifestimit dh kryetari i PSK (KAS) “Hrid” në Plavë, Enes Dreshkoviq, zëvendëskryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Sytki Ndrecaj, dhe drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Pejës, Nasret Hajrizi.
Para hapjes solemne të manifestimit është mbajtur takimi me kryetarët e komunave, me moton – Manifesti i projektit “Trekufiri” në Pejë, në të cilin kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, Rexhep Kurtbogaj me bashkëpunëtorë ka pritur kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kryetarin e Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, kryetarin e Komunës së Gucisë, Sanell Balliq dhe zëvendëskryetarin e Bashkisë Malësi e Madhe, Sytki Ndrecaj.
Gjatë takimit është diskutuar për manifestimin e projektit “Trekufiri” në Pejë, projekt ky i cili ka për qëllim promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e turizmit të qëndrueshëm ndërkufitar, për vlerësimin e marrëveshjes dhe zbatimin e saj deri më tani, hapat e ardhshëm dhe propozimet për përmirësime, organizimin e edicionit të ardhshëm 2026, ku u përcaktua që komuna nikoqire për vitin e ardhshëm të jetë Komuna e Deçanit, për menaxhimin e buxhetit të përbashkët të manifestimit, organizimin e ditës së ambientit në gjashtë komunat “Një rajon, një ambient”, si dhe mirëmbajtja e shtegut “Majat e Ballkanit”. Gjatë takimit janë prezantuar edhe videot promovuese të Pejës, prezantimi i projektit “Trekufiri” përmes një filmi të shkurtër.
Në akademinë solemne të manifestimit në fjalë kanë qenë të pranishëm numër i madh funksionerësh të lartë shtetërorë nga të gjitha komunat pjesëmarrëse, me çka është konfirmuar roli dhe rëndësia e kësaj iniciative, e cila i tejkalon kufijtë dhe i kontribuon fuqizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare përmes sportit, turizmit dhe projekteve të përbashkëta.
Nga pjesëmarrësit e manifestimit në fund është konkluduar se do të përgatitet raporti zyrtar mbi realizimin e manifestimit të sivjetmë me propozimet konkrete dhe porositë për organizimin e manifestimit të tretë me radhë vitin e ardhshëm.
Sh. Hasangjekaj