Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka zhvilluar gjatë javës së kaluar (18-19 mars 2025) një vizitë dyditore në Shqipëri, ku është takuar me përfaqësues të lartë të pushtetit qendror dhe vendor.
Në ditën e parë të vizitës, ai është takuar me kryetarin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve, sidomos në fushën e ekonomisë dhe kulturës, por kanë vlerësuar bashkërisht nevojën e avancimit të këtij bashkëpunimi përmes projekteve infrastrukturore me rëndësi strategjike, si dhe valorizimit më të mirë të pasurive të përbashkëta të liqenit të Shkodrës, lumit Buna dhe lumit Cem.
“Në këtë kontekst është diskutuar edhe për mundësinë e hapjes së vendkalimit të ri kufitar dhe ndërtimit të urës në lumin Buna, që do ta lehtësonte ndjeshëm lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, si dhe do t’i kontribuonte zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të zonave kufitare”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kuvendit të Malit të Zi.
Camaj e ka vazhduar vizitën me takimin me kryetaren e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Integrimit të Kuvendit të Shqipërisë, Jorida Tabaku, ku kanë konstatuar se Mali i Zi dhe Shqipëria janë partnerë strategjikë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi ka theksuar rëndësinë e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut për të dy vendet, duke nënvizuar se nismat e tilla rajonale mund t’i kontribuojnë integrimit evropian dhe stabilitetit të rajonit.
Ditën e parë të vizitës, Camaj e ka përfunduar me drekën e punës me anëtarët e Grupit parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Mali i Zi. Temë kryesore e këtij takimi ka qenë bashkëpunimi parlamentar dhe integrimi evropian i shteteve.
Ndërkaq, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shqipëri, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi e ka filluar me takimin me kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Camaj e ka falënderuar Bashkinë e Tiranës për projektet e realizuara në Komunën e Tuzit. Bashkëbiseduesit kanë folur për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Tiranës dhe komunave të Malit të Zi, me theks të veçantë në avancimin e lidhjeve kulturore dhe turistike, si dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit urban.
Pas Tiranës, nënkryetari Camaj e ka vazhduar vizitën zyrtare me takimin në Vlorë me kryetarin e Bashkisë, Ermal Dredha.
Po në Vlorë, ai është takuar edhe me nënkryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Bledi Çuçi, me të cilin kanë biseduar për sistemet zgjedhore dhe legjislacionin zgjedhor në dy shtetet, duke shkëmbyer përvojat e mira me qëllim të avancimit të proceseve demokratike.
“Theks i veçantë është vënë në transparencën e procedurave zgjedhore dhe forcimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kuvendit të Malit të Zi.
Gjatë vizitës së tij, nënkryetari Camaj ka zhvilluar një takim të shkurtër edhe me disa studentë shqiptarë nga Mali i Zi të cilët studiojnë në Tiranë.
Në takimet e nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, gjatë vizitës së tij në Shqipëri ka marrë pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi, Zhaklina Peto.
(Kohapress)