Bashkimi Evropian është gati të ndërtojë një terminal të gazit të lëngshëm natyror në portin e Tivarit në partneritet me Malin e Zi.
Këtë e ka bërë të ditur komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, njoftoi Qeveria e Malit të Zi.
“Ndërtimi i një terminali të gazit në Tivar do të ishte i një rëndësie të madhe për Malin e Zi dhe rajonin, duke pasur parasysh krizën energjetike të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës. Me ndërtimin e tij, Mali i Zi do të shndërrohej në një qendër për vendet e tjera të rajonit , në veçanti për gazin e lëngshëm”, tha Varhelyi.
Kryeministri në largim Dritan Abazoviq me këtë rast tha se “kjo është e një rëndësie historike për Malin e Zi dhe një tregues që krahas bindjes së partnerëve tanë evropianë për rëndësinë e këtij projekti, ne po ecim në drejtim të diversifikimit të ekonomisë sonë dhe tema të tilla po marrin rëndësi”.
“Qeveria më parë nënshkroi një memorandum me investitorët amerikanë në lidhje me terminalin të gazit në portin e Tivarit. Mendoj se kjo është një punë vërtet e madhe për Malin e Zi,” tha Abazoviq.
Siç dihet më 12 maj, përfaqësues të qeverisë malazeze dhe të kompanive amerikane nënshkruan në Podgoricë një memorandum për zbatimin e dy projekteve të infrastrukturës energjetike, të cilat, siç tha asokohe kryeministri Abazoviq, “ do të zvogëlojnë varësinë nga gazi rus”.
Bëhet fjalë për ndërtimin e një terminali për importin e gazit të lëngshëm natyror në Mal të Zi dhe instalimin e një termocentrali me gaz, furnizimi i të cilit do të vinte nëpërmjet terminalit. Projektet e terminalit dhe termocentralit do të jenë në Portin e Tivarit.
Memorandumi u nënshkrua nga kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, Phil Pyle përfaqësues i Enerflex Energy Systems dhe Olin L. Wethington, president dhe shef ekzekutiv i Wethington Energy Innovation.
Nënshkruesit e memorandumit pajtohen se ky është një projekt që do të sigurojë siguri energjetike dhe do të krijojë perspektiva të mira për përparimin e mëtejshëm energjetik dhe të ekonomisë së përgjithshme të Malit të Zi.
a.s