Lundrimi i fundit i kapedanit të vjetër

Gani Karamanaga

Rrëfimi 1
Nusja në shkalla-martesa

Shumë martesa në Kala janë bërë brenda bedenave të saj.
Kanë thënë: “Vajzat e mira s’i lamë me dalë prej Kalaje”.
Edhe në këtë rast ndodhi kështu.
A. e shikonte vajzën e në sokakun tjetër të Kalasë. Ishte shumë vështirë të kishin ndonjë kontakt, Por prapëseprapë shikoheshin.
A. ishte detar i ri. Pas çdo seferit kalonte rrugicës së saj dhe mundohej që ta shihte…
Pas një kohe e çoi një shkues për ta lypë vajzën e dashur.
Fillimisht prindërit e saj ishin të rezervuar, por herën e dytë e dhanë fjalën.
A. tash prej çdo lundrimit vinte në shtëpi, me nga ndonjë gjë të bukur për nusen e tij.
Erdhi dita e martesës.
Më kujtohet: Rrugica ishte e mbushur me dasmorë, me ata të cilët kishin dalë të shihnin si ka dalë nusja. Ne fëmijët e kompletonim atë kolorit të bukur. Nusja, ndërmjet dy vëllezërve, e veshur me takëm kombëtare, me hillallyk, po ulej ngadalë-ngadalë shkallëve.
Atëherë kanë qenë të rrallë turistët e huaj. Por një çift gjerman u gjetë aty; ishin prapa dhe filluan të fotografojnë ambientin edhe nusen…
Në një moment, papritmas doli prej derës së shtëpisë babai i nuses, shumë i zemëruar dhe më zë të lartë e të ashpër, i largoi turistët nga Gjermania.
Por kjo gjë vetëm shkurt e ndërpreu gëzimin dhe atmosferën e dasmës.
Nusja mbërriti te shtëpia e dhëndrit.
A. kishte lundruar nëpër Mesdhe dhe ishte përparimtar.
Kam dëgjuar: pas dy ditëve e kanë gjetur çiftin gjerman dhe i kanë ftuar si mysafirë në shtëpinë e tyre.

Rrëfimi 2
”Pjerna”

Ishte mëngjes, ditë vjeshte.
Në atë kohë në Kala kemi pasur telefona vetëm në tri shtëpi.
Ka pasur Zejnel Ismajlaga, unë si mjek, dhe Sulejman Fazlibegu (nuk e di se pse).
Cingëroi telefoni. U lajmërova.
Një zë me ndërprerje:

  • Ovdje “Pjerna! (Këtu është “Pjerna”).
    Një moment nuk dita se kush po flet, por më tha se kjo është lidhja telefonike përmes radio-stacionit të anijes “Pjerna”, e cila në atë moment ishte duke lundruar në afërsi të Kalasë.
  • Treba nam Muradija! (Na nevojitet Muradija).
    Avdo Nimanbegu ishte oficeri i parë në anijen “Pjerna”.
    Deshi të fliste me bashkëshorten.
    Menjëherë erdhi Muradija.
    (Shtëpia e tyre ishte afër).

Rrëfimi 3
“Avdo, një kafe”

Avdo (Maliq) Nimanbegu (1930) është i moshuar, por e ka ruajtur intelektin, kujtimet. Ka qenë prej martesës së dytë të Maliq Nimanbegut.
Ka pasur edhe dy motra. Njëra ka vdekur e re, ishte e martuar për Nazmi Haxhibrahimin. Më e vogla Verja, u martua në Gjakovë ku krijoi familjen.
Pas bombardimit të Ulqinit, në vitin 1943, me familjen e dajës, Asllan Shabanbegut, shkuam në Shkodër. Ka punuar në një kafene të vogël disa vjet.
Mandej në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Tiranë.
Pas një kohe të shkurtër nëpër Shkodër, as vet nuk din se kur, u kthye në Ulqin.
Dajën me familje e kishte deportuar regjimi i Enver Hoxhës.
Hajlije Peshku – Krymi (1923-2010), kur erdhi në Ulqin, pas 30 vjetëve, në dekadën e tetë të shekullit XX, i kujtohej Avdoja, në Shkodër.
I kishte mbetur në kujtesë kur kërkonin prej Avdos:

  • Avdo, një kafe!

Rrëfimi 4

  • Lundrojmë!
    E takova Avdon këto ditë te kafene-restoranti “Pirat”, i Hasan – Cano Karamanagës (nipi im).
    Duke e përshëndetur, e pyeta për shëndet.
    Ai m’u përgjigj:
  • Lundrojmë!

Lundrimi fundit i kapedanit të vjetër:

E gastoi (e afroi) barkën (anijen) në Meteriz te Mullini i Erës.
Aty do të pushojë së bashku me detarët tjerë nga Kalaja…

Rrëfimi 5
Fishkëllima

Ditë vere, fillimi gushtit. Ishte vapë e madhe.
Para dy vjetëve miku im nga Tirana Prof Dr. Hektor Çoçoli më tregoji një anekdotë:
„Dy gra të moshuara ishin duke pritur autobusin. Ishte vapë e madhe. Njëra i drejtohet tjetrës:„ Kjo vapë po na i merr edhe një këto dy fice mend që i kemi..“
Hyra në Kala për ta vizituar Ali Peshkun. Ai ishte më tepër i lodhur nga temperaturat r larta, pleqëria..
Duke ecur nëpër rrugicat e ngushta përpara shtëpisë të Avdo Nimanbegut ishin të ulura Muradija (1935) , bashkëshortja e Avdos dhe Milliha Kapllanbegu Resulbegu ( 1943 ), motra e Muradijes.
U ndala. E pyeta Muradijen:
„ A të kujtohet fishkëllima e Avdos kur i ishte afruar shtëpisë..“
„Pa“
U qesh Muradija:
Avdoja kur ishte i ri, por edhe më vonë , gjithmonë kur ka filluar t’i afrohet shtëpisë ka fishkëllyer. Muradija e ka dëgjuar dhe menjëherë i ka dalë përpara.
E pyeta Muradijen:
„Si e ke dëgjuar aq larg nga shtëpia fishkëllimën e tij..“
„ E kam pasur gjithmonë në vesh dhe në zemër“.
Mbas pak kohe erdhi edhe Avdoja. Biseduam. I ruajtur intelekti, kuptimi, biseda.
Kënaqësi, pleqëri e bukur…

Rrëfimi 6
Dashuria

Këto ditë e takova nusen e kapedanit, Muradijen. Duke biseduar konstatova:
“Kur jeni martuar me Avdon në vitin 1956 nuk keni pasur shtëpinë tuaj”?
Muradija tha: “Na mori në shtëpinë e tij Vehbi Zejnelaga. Kemi pasur vetëm një dhomë, me ne ishte edhe motra e Avdos, Vera.” Duke e nxitur të fliste më gjatë, duke qeshur e pyeta:
Po si keni fjetur, kur ishte edhe Vera me ju?”.
Muradija vazhdoi: “Fillimisht Avdoja ishte në det”, unë ja ktheva: “Po kur ishte në Ulqin?”
Ajo u përgjigj: “Te komshinjtë tonë ishte Laje Nimanbegu, e cila kishte dy vajza, Valdeten dhe Ylfeten. Laja shpesh here i thoshte Verës eja të flesh me vajzat e mija, sepse ato kanë dëshirë të rrinë me ty. Ja kështu kemi mbetur vetëm ne të dy” tha ajo duke buzëqeshur.
Më pas ajo tregoi: “Më vonë kemi blerë shtëpinë e Muhamed Zejnelagës në Kala, Avdoja fitoi të hollat në lundrimet e tij, unë shita hillallykun (kapelën me floririn arit, pjesë e veshjes nacionale). Më vonë erdhën në jetë edhe fëmijët.
Për fund: Nusja e kapedanit është shembull i gruas së detarit, e cila ruajti shtëpinë, familjen dhe rriti fëmijët.

Të fundit

më të lexuarat