8 Marsi- Dita Ndërkombëtare e Gruas është një datë e cila çdo vit, në Mal të Zi, rajon dhe nëpër vende të tjera të Evropës dhe Botës, zgjon vëmendjen e shoqërisë civile, të mediave dhe të shoqatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të gruas, ku nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme sensibilizuese apo protestuese, ngrenë zërin për të qenë të barabarta në shoqëri, që të mos dhunohen, diskriminohen, apo të mos vriten.
Njëjtë sikurse viteve të mëparshme, edhe sivjet Qendra për të Drejtat e Grave organizoi në Podgoricë, (e premte më 8 mars 2024), një marshim të cilit iu bashkëngjitën një numër i madh i qytetarëve, të përfaqësuesve të partive politike, të qeverisë dhe të organizatave joqeveritare, duke mbajtur në duar pankarta me mesazhe të ndryshme, dhe me sloganin “Është koha për drejtësi”.
8 marsi i çdo viti, do të duhej të bëhej shkas për të vepruar në përmirësimin dhe avancimin e drejtave të gruas, e mbi të gjitha, kjo datë do të duhej të tërhiqte vëmendjen e shoqërisë civile, organizatave joqeveritare, mediave dhe institucioneve shtetërore që të mobilizohen për mbrojtjen ndaj dhunës dhe diskriminimit ndaj gruas, por edhe që gruaja të ketë gjithnjë e më shumë një status të admirueshëm dhe të barabartë në shoqëri
Nga kjo qendër kanë thënë se, gjenerata të tëra po luftojnë për ligje të cilat do të dënojnë dhe që do ta shtypin pabarazinë dhe diskriminimin, e para së gjithash që do të mbrojnë të drejtën elementare, atë për të jetuar.
“Sot këto ligje i kemi, por mungon drejtësia”, është shprehur, ndër të tjera, Tanja Markush nga Qendra për të Drejtat e Grave.
8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua edhe në Tuz me një koncert, ku në Sheshin e Ri të qytetit, performoi këngëtari, Alban Skënderaj.
Nga Komuna e Tuzit janë shprehur se ky institucion mbështet plotësisht barazinë gjinore, angazhimin e femrave në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike.
8 marsi, konsiderohet një datë me rëndësi të veçantë, duke qenë se ajo simbolizon arritjen e të drejtave të grave, bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por nga ana tjetër, kjo datë reflekton përpjekjet për barazi, paqe dhe drejtësi ndaj grave.
Dita Ndërkombëtare e Gruas nuk duhet të shërbejë vetëm si një festë urimesh e dhuratash ndaj nënave, motrave, gjysheve, bashkëshorteve, etj., por edhe si ditë reflektimi e falënderimi për gjithë kontributin që jep gruaja në familje, punë, shoqëri e në tërësi në jetën e përditshme.
8 marsi i çdo viti, do të duhej të bëhej shkas për të vepruar në përmirësimin dhe avancimin e drejtave të gruas, e mbi të gjitha, kjo datë do të duhej të tërhiqte vëmendjen e shoqërisë civile, organizatave joqeveritare, mediave dhe institucioneve shtetërore që të mobilizohen për mbrojtjen ndaj dhunës dhe diskriminimit ndaj gruas, por edhe që gruaja të ketë gjithnjë e më shumë një status të admirueshëm dhe të barabartë në shoqëri.
t. u.