Plavë – Edhe përkundër paralajmërimeve dhe kërkesave të shumta, as në vitin që po e lëmë pas, asgjë më seriozisht nuk është bërë në drejtim të mbrojtjes dhe rivitalizimit të Liqenit të Plavës. Kjo nuk ka ndodhur, edhe pse ekspertët e shumtë eminent, kohëve të fundit tregojnë se për shkak të një vistër ndikimesh negative dhe të dëmshme, është vënë në pyetje ekzistimi i mëtejmë i Liqenit të Plavës, i liqenit më të madh glacial në Mal të Zi. Ekspertët bëjnë me dije që për shkak të faktorit njerëzor, dimensionet e liqenit, respektivisht sipërfaqja, thellësia dhe gjatësia e bregut të tij, prej vitit në vit zvogëlohen, dhe se liqeni sot gati dy herë është më i vogël se para 100 vjetësh.
“Të dhënat dëshmojnë se Liqeni i Plavës në vitin 1913, ka pasur sipërfaqe prej 5,4 kilometrash katror, ndërsa 55 vjet më vonë, 3,4 kilometra katrorë. Sot, sipërfaqja e tij është diku rreth 2 kilometra katrorë, që vetvetiu tregon që ai edhe më shumë është duke shkuar kah zhdukja, nëse sa më parë nuk do të merren masa përgjegjëse”, është ky konstatim dhe vlerësim i përbashkët i shumë ekspertëve, të cilët janë marrë me problematikën e shprehur të Liqenit të Plavës.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, konfirmon se organet gjegjëse të Administratës lokale janë të njoftuar me këtë problem serioz dhe se vazhdimisht bëjnë apel në organet shtetërore që të shtrijnë dorën e ndihmës me qëllim të shpëtimit të Liqenit të Plavës nga zhdukja që po i kanoset.
“E vërtetë është se as në këtë vit asgjë nuk është bërë në drejtim të mbrojtjes dhe rivitalizimit të Liqenit të Plavës, sepse për këtë nuk ka pasur mjete, e që gjithsesi nuk është mirë. Jemi njoftuar se Qeveria për vitin e ardhshëm ka planifikuar që nga Buxheti kapital të orientojë 110.000 euro për hartimin e dokumentacionit projektues të domosdoshëm që të fillohet me punën në mbrojtjen e liqenit. Duam të shpresojmë se më në fund do të pason punimi i projektit kryesor dhe ca investime shtesë, ngase nëse shteti më me seriozitet nuk i qaset zgjidhjes së këtij problemi, dhe nëse nuk siguron mjete nga Fondi evropian, Liqenit të Plavës nuk i pritet ardhmëri e mirë”, ka theksuar kryetari i komunës, Nihad Canoviq.
Në administratën lokale të Plavës përkujtojnë se është bërë studimi në bazë të së cilit do të duhet të fillohet puna në procesin e ruajtjes së të gjitha vlerave të cilat Liqeni i Plavës i bartë në vete.
“Është bërë studimi i mbrojtjes dhe rivitalizimit të Liqenit të Plavës, për çka janë ndarë 250.000 euro. Ai studim ka dhënë orientimet kryesore se cilat janë ato probleme, për shkak të të cilave vjen deri te zvogëlimi i sipërfaqes dhe thellësisë së Liqenit të Plavës. Në çfarë mënyre të zgjidhet ai problem dhe sa do të kushtonin shpenzimet e punëve të parapara”, deklarojnë kompetentët e Administratës lokale të Plavës, duke përkujtuar se vlera parallogaritëse e punëve të mbrojtjes dhe rivitalizimit të Liqenit të Plavës sillet rreth 16 milion euro.
Ekspertët konfirmojnë se Liqeni i Plavës zvogëlohet si pasojë e shumë shkaqeve. Së pari për shkak të pendës që vjen ka lumenjtë Luça e Gerçari, pastaj për shkak të çështjes së pazgjidhur të kanalizimit në vendbanimet përreth Liqenit të Plavës, por edhe për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të njerëzve, të cilët me aktivitetet e veta ndikojnë që liqeni të zvogëlohet.
Sh. Hasangjekaj