Liqeni i Rikavecit, perlë e turizmit malor dhe e natyrës piktoreske

Gjekë Gjonaj

Atë mëngjes të së dielës së muajit gusht të këtij viti, mendimi im i vetëm ishte të ikja nga banesa në Ulqin diku në natyrë. Të mos shikoj televizorin dhe kompjuterin gjithë ditën, të përballoj vapën e verës, zhurmën e tollovinë e padurueshme të turistëve që kishin “pushtuar” këtë qytet bregdetar, mora vendimin në një çast pa asnjë përgatitje a planifikim. Kam parë vetëm titullin në portal: “ Në Ulqin ditë me diell deri në 35 gradë , kurse në Podgoricë deri në 39 gradë”. Me shpejtësi bëra gati një këmishë me mëngë të gjata, këpucët malore dhe kapelën.

Liqeni i Rikavecit ndodhet në lartësinë 1.313 metra mbi nivelin e detit pranë kufirit me Shqipërinë mes Alpeve Shqiptare. Në të derdhen ujërat e përroit të Rikavecit dhe ujërat fundosen në Lumin Cem dhe Ribnicë. Ai ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, biologjike dhe turistike

U nisa në drejtim të Podgoricës. Kur mbërrita në kryeqytetin e Malit të Zi, u ndala për pushim dhe për disa telefonata shokëve të mi në bjeshkën e Koritës dhe Koshticës. I njoftova se jam nisur për të vizituar Liqenin e Rikavecit dhe i luta të më shoqërojnë dhe mundësisht të na sigurojnë një automjet të lartë apo me dy diferenciale. Caktuam vendin dhe kohën e takimit në Koritë. Gjithçka shkoi ashtu siç e kisha menduar. Nga Podgorica u nisa drejt vendlindjes- Trieshit për në Koritë, megjithëse deri në këtë bjeshkë mund të arrihet edhe drejt Kuçit. Derisa kaloja përmes Trieshit, u çmalla me pamjet e bukura të kësaj krahinë shqiptare ku u linda dhe i kalova tri dekada. Termometri në makinë binte gjithnjë e më shumë. Kur zbrita nga makina në Koritë u përballa me flladin i freskët që më priti. Pa humbur kohë me shoqëruesit e mi, adhurues të natyrës, vazhduam ekspeditën tonë rrugës me gropa të gërryera nga erozioni drejt Koshticës dhe Liqenit të Rikavecit me automjet për terrene të vështira. Pas diçka më shumë se dy orë vozitje nga Korita, arritëm në brigjet e Liqenit të Rikavecit, në ora 12.30. Atje në mesditë temperatura ishte 18 gradë. Çfarë ndryshimi i madh temperaturash! Nga 39 gradë në Podgoricë, në 18 gradë në Liqenin e Rikavecit.

Legjenda thotë se në liqen jetonte një djall (kuçedër) i cili çdo verë rrëmbente një vajzë bareshë dhe pas lutjeve të barinjve bjeshkatarë, Zoti (Perëndia) e përzuri duke hedhur gurë të nxehtë në liqen


Liqeni ndodhet në lartësinë 1.313 metra mbi nivelin e detit dhe në të derdhen ujërat e përroit të Rikavecit dhe ujërat fundosen në lumin Cem dhe Ribnicë. Ai ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, biologjike dhe turistike. Teksa udhëtuam rrugës që na çoi deri në këtë perlë të turizmit malor dhe natyrës piktoreske të fshehur mes kodrave pranë kufirit me Shqipërinë mes Alpeve Shqiptare (Bjeshkëve të Nëmuna),përjetuam një udhëtim në histori. Një kuriozitet për ditët e sotme është se atje nuk ka mbërritur as energjia elektrike dhe as sinjali i celularit, përveçse në pjesë të rralla të kësaj zone malore jashtëzakonisht të bukur. Dikur gjatë stinës së verës, siç e mbaj mend edhe unë, ka qenë vendqëndrim i blegtorëve-bjeshkatarëve nga Koja, Trieshi e Kuçi. Sot nuk është më kështu. Viteve të fundit është bërë mjaft i shkretë.
Uji i kaltër dhe i ftohtë i këtij liqeni të bukur që të lë pa fjalë dhe pamja e natyrës përreth i kanë dhënë bjeshkës së Rikavecit tiparet e një oaze qetësie. Fushat e gjelbëruara me lule shumëngjyrëshe, pishat e larta dhe shkëmbinjtë monumentalë që e karakterizojnë, të gdhendur nga vetë natyra ndër shekuj, krijojnë një peizazh natyror vërtet miklues.
Për Liqenin e Rikavecit ekzistojnë disa legjenda dhe tregime të cilat i rrëfenin bjeshkatarët malësorë e malazezë. Njëra prej tyre thotë se në liqen jetonte një djall (kuçedër), i cili çdo verë rrëmbente një vajzë bareshë dhe pas lutjeve të barinjve bjeshkatarë, Zoti (Perëndia) e përzuri duke hedhur gurë të nxehtë në liqen.

Ky liqe me ujë të kaltër e të ftohtë dhe pamja e natyrës përreth i kanë dhënë Rikavecit tiparet e një oaze qetësie. Fushat e gjelbëruara me lule shumëngjyrëshe, pishat e larta dhe shkëmbinjtë monumentalë që e karakterizojnë të gdhendur nga vetë natyra ndër shekuj, krijojnë një peizazh natyror vërtet miklues


Ky liqen akullnajor është i rrethuar me disa maja të larta ndër të cilat po përmendim majën e Vilës (të lartë 2.o93 metra), ku gjendet pika e orientimit dhe guri kufitar. Nga kjo maje impozante prej së cilës ditëve me diell mund të shihen si në pëllëmbë të dorës Lugina e Vermoshit, kanioni i Lumit Cem, Selca, madje edhe Qafa e Përdolecit, syri të joshet nga peizazhi me mrekullitë e natyrës së bukur të Bjeshkëve të Nëmuna, që të befasojnë me pamjen e tyre, të emocionojnë e të frymëzojnë me koloritin mbresëlënës që i karakterizon ato.
Vizitorët apo turistët e paktë vendas e të huaj vijnë këtu për të shijuar natyrën e virgjër, për të ikur nga civilizimi dhe për të përjetuar flladin e freskët e të shëndetshëm, cilësi këto të cilat i bëjnë të qëndrojnë atje për një kohë të gjatë. Andaj, nëse jeni në kërkim të aventurës e dëshironi të shihni “piktura” të natyrës të cilat janë pak të vizituara, por mund të ofrojnë shumë, po ju sugjerojmë ta vizitoni këtë atraksion, respektivisht këtë thesar turistik, meqë jemi të bindur se ia vlen të vizitohet për shkak se adhuruesit e natyrës mund ta gjejnë parajsën mbi tokë.

Të fundit

më të lexuarat