Laureatët u zotuan se do tëvazhdojnë shkollimin në universitete brenda dhe jashtë Malit të Zi

Të mërkurën, më 19 qershor 2024, në ambientin e qendrës mësimore të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, janë tubuar maturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit kujdestarë të klasëve, stafi drejtues i shkollës, në krye me drejtoreshën Snezhana Bojoviq dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, me bashkëpunëtorë, për të marrë pjesë në ndarjen e diplomave “Lluça” (“Pishtari”) nxënësve maturantë, për rezultate të larta në mësim, që kanë shënuar gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm në këtë shkollë dhe në shkollat fillore në Plavë dhe Guci.
Nga 115 maturantë të pesë paraleleve mësimore, një prej të cilave është edhe paralelja e drejtimit të gjimnazit të përgjithshëm me 15 maturantë në gjuhën shqipe, 23 maturantë gjatë shkollimit fillor nëntëvjeçar dhe të mesëm tre dhe katërvjeçar, kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, 14 praj të cilëve notat në të gjitha lëndët mësimore i kanë pasur të shkëlqyera, u janë dorëzuar diplomat “Lluça I” (“Pishtari I”), kurse nëntë të tjerëve të cilët kanë pasur sukses të shkëlqyer, por jo në të gjitha lëndët mësimore, u janë dorëzuar diplomat “Lluça II” (“Pishtari II”).
Për suksesin e lartë të arritur në mësim dhe sjelljen shembullore, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, maturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Maturantët e shkëlqyer, laureat të diplomës “Lluça” (“Pishtari”) edhe Komuna e Plavës i ka shpërblyer me një vistër dhuratash: me nga një libër, me nga një kopje të fletushkës lokale “Komuna”, me nga një bllok shënimesh me mbi shkrim të komunës dhe me nga 100 euro të holla.
Drejtoresha e shkollës, Snezhana Bojoviq, e cila bashkë me kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, maturantëve ua kanë dorëzuar diplomat, pasi ka përshëndetur gjithë të pranishmit në ceremonialin e akademisë solemne, në fjalën e rastit ka thënë: “Dita e dorëzimit të diplomave ‘Lluça’ (‘Pishtari’) për maturantët të cilët me suksesin dhe sjelljet e veta kanë merituar ta bartin epitetin e nxënësve më të mirë të gjeneratës së maturantëve të sivjetmë. Për shkollën tonë është solemniteti më i rëndësishëm gjatë vitit shkollor”. Ajo në vazhdim ka theksuar se “ne si shkollë u jemi mirënjohës nxënësve maturantë, të cilët para katër vitesh kanë trokitur në dyert e kësaj shkolle dhe në të kanë aplikuar për të vijuar shkollimin e mesëm, e sot mu atyre ua dorëzojmë solemnisht diplomat ‘Lluça’ (‘Pishtari’)”.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e vet përshëndetëse, maturantëve të suksesshëm – laureatëve të diplomës “Lluça” (“Pishtari”) u ka dëshiruar fat, shëndet dhe sukses në vazhdimin e shkollimit të tyre universitar dhe në vazhdim ka konfirmuar: “Mbi ju dhe për ju s’ka çka të thuhet shumë, sepse të gjitha nota pesëshe që gjenden në dëftesat tuaja, më së miri flasin dhe dëshmojnë për ju. Para jush është një udhëkryq i madh, por ai mos t’u frikësojë, përkundër, ai duhet t’u trimërojë, nxis dhe motivojë”.
Profesoresha e gjuhës frënge – kujdestarja e paraleles së maturantëve me mësim në gjuhën shqipe, Hasnije Kukaj Gjonbalaj, në fjalën e rastit ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, e në veçanti maturantët laureatë të diplomës “Lluça” (“Pishtari), me theks të veçantë në gjashtë maturantët shqiptarë, duke u dëshiruar të gjithëve sukses në shkollimin e mëtejmë universitar, e pas përfundimit të kthehen për t’i kontribuar vendlindjes.
Maturantja Zada Medunjanin, laureate e diplomës “Lluça I” dhe nxënëse e gjeneratës në drejtimin e gjimnazit në gjuhën malazeze, në emër të maturantëve fitues të diplomës në fjalë dhe në emër të vetin personal përshëndeti gjithë të pranishmit duke evokuar dhe shprehur fjalë mirësie dhe falënderimi për të gjithë ata të cilët kanë dhënë kontributet e veta maksimale dhe të pakursyera për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre në arritjen e rezultateve vërtetë të larta e madhore, duke veçuar prindërit, mësimdhënësit, stafin drejtues të shkollës, por edhe të tjerë, sidomos qeverisjen lokale të Plavës në krye me kryetarin e Komunës, Nihad Canoviq.
Në akademinë solemne të dorëzimit të shpërblimeve maturantëve, stafi drejtues i shkollës në fjalë ia dorëzoi fletë falënderimin maturantit të vet, Ivan Mitroviq, për rezultate vërtetë të larta letrare-poetike i cili e ka përfaqësuar shkollën në shumë gara e manifestime letrare në kuadër të komunës dhe jashtë saj.
Laureatë të diplomës “Lluça I” janë maturantët e paraleleve me mësim në gjuhën malazeze: Zada Medunjanin, Daris Bashiq, Ellma Cecunjanin, Anesa Kollashinac, Fikret Krciq, Nafija Markishiq, Mejrema Rexhiq, Mallik Toskiq, Desa Arsenijeviq, Sabrije Kukaj, Elmin Krciq, Minea Shehoviq dhe Marija Stijoviq dhe në paralelen me mësim në gjuhën shqipe: Arlina Hasangjekaj, kurse laureatë të diplomës “Lluça II” (Pishtari II”), janë maturantët e paraleleve me mësim në gjuhën malazeze: Marko Stesheviq, Omar Kuçeviq, Mellina Feratoviq e Saud Pejçinoviq dhe në paralelen me mësim në gjuhën shqipe: Adi Hasangjekaj, Erjon Ulaj, Mithat Selimaj, Stuhi Qosaj dhe Zymer Ahmetaj.
Kolektivi i mësimdhënësve të shkollës, për nxënës të gjeneratës në drejtimin e gjimnazit me mësim në gjuhën malazeze shpalli maturanten Zada Medunjanin, nxënëse të gjeneratës në drejtimet profesionale të shkollës shpallën maturantin Ellmin Krciq, kurse nxënëse të gjeneratës në paralelen e gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe shpallën maturanten Arlina Hasangjekaj. Të gjithë maturantëve të gjeneratave në fjalë, shkolla ua ndau certifikatat përkatëse dhe i shpërbleu edhe me nga një libër.
Laureatët e diplomës “Lluça I e II” (“Pishtari I e II”) dhe shpërblimeve të tjera u zotuan se do të vazhdojnë shkollimin superior në universitete brenda dhe jashtë Malit të Zi.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat