Përpos Kalajt, laureatë të Çmimit Vjetor 13 Korriku për vitin 2017 janë edhe skulptori akademik Miodrag Shqepanoviq dhe agronomi dr. Svetozar Saviq. Çmimi 13 Korriku jepet për nder të Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi dhe është njëri ndër çmimet më të larta shtetërore për vepra ose të arritura në të gjitha fushat e punës dhe krijimtarisë, që janë me rëndësi të jashtëzakonshme për Malin e Zi
Laureatë të Çmimit 13 Korriku për vitin 2017 janë matematikani i shquar prof. dr. David Kalaj, skulptori akademik Miodrag Shqepanoviq dhe agronomi dr. Svetozar Saviq.
Ata janë përzgjedhur nga juria e përbërë nga Gojko Kastratoviq, kryetar, dhe anëtarët prof. emeritus Ilija Vujosheviq, prof. dr. Igor Llakiq, mr. Miomir Vojinoviq dhe prim. Dr. sci. med. Asim Dizdareviq, në mesin e 32 kandidatëve për këtë çmim.
Vendimi është marrë në mbledhjen e jurisë, të mbajtur të hënën në Cetinë.
Përpos laureatëve, në listën e kandidatëve për fitimin e Çmimit 13 Korriku kanë qenë edhe kritiku i filmit Aleksandar Beçanoviq, shkrimtari Andrej Nikolaidis, gjuhëtari Dr. Adnan Çirgiq, Aleksandar Damjanoviq, poeti Boris Jovanoviq Kastel, gazetarja, publicistja dhe shkrimtarja Branka Bogavac, shkrimtari Dushan Gjurishiq, boksieri Dejan Zllatiçanin, piktori akademik Ismet Haxhiq, artisti Mr. Igor Rakçeviq, Instituti për Shëndetin Publik, skulptori Krsto Andrijasheviq, historiania e artit Liljana Zekoviq, shkrimtari Milenko Ratkoviq, shkrimtari Momir M. Markoviq, aktori Mirko Vllahoviq, Amza Malazeze, shkrimtari Mirash Martinoviq, Millovan Gjuriçkoviq, Ndërmarrja për Mbrojtjen Sanitare dhe Ekologjike “Hemosan” – Tivar, gazetari dhe publicisti Sllobodan Vukoviq, Prof. dr. Sllobodan Radonjiq, kompozitori dhe kantautori Sllobodan Kovaçeviq, filatelisti Tomo Katuriq, regjisori Vlladimir Peroviq, inxhinieri i makinerisë Zoran M. Ilinçiq, akademiku Zllatko Buliq, historiani prof. dr. Zhivko Andrijasheviq dhe regjisori Zhelko Soshiq.
Çmimi 13 Korriku jepet për nder të Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi dhe është njëri ndër çmimet më të larta shtetërore.
Në bazë të Ligjit për Shpërblimet shtetërore, Çmimi Vjetor 13 Korriku i jepet qytetarit ose shtetasit të Malit të Zi, grupit të personave ose personit juridik me seli në Mal të Zi, për vepra ose të arritura në të gjitha fushat e punës dhe krijimtarisë në dy vitet e mëparshme, që janë me rëndësi të jashtëzakonshme për Malin e Zi.
Çmimi do t’u ndahet laureatëve nga kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, në Podgoricë, më 13 korrik.
Prof. dr. David Kalaj ka lindur në vitin 1971. Ka mbaruar Fakultetin Matematiko-Natyror në Podgoricë në vitin 1995, si studenti më i mirë i gjeneratës me notën mesatare 9.52. Studimet pasdiplomike i ka vijuar në Fakultetin e Matematikës në Beograd, në degën Analiza matematikore, dhe i ka përfunduar me notën 10. Ka doktoruar në vitin 2002. Që nga viti 1998 punon në Fakultetin Matematiko-Natyror në Podgoricë.
Kalaj është autor i disa librave dhe i dhjetëra punimeve shkencore të publikuara në revistat prestigjoze ndërkombëtare. Ai është po ashtu recensent i një numri të madh të artikujve shkencorë dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe disa tekste mësimore të matematikës për shkollën fillore dhe shkollën e mesme.
Përpos punës si pedagog në Fakultetin Matematiko-Natyror, ai është udhëheqës i Programit studimor për arsimimin e mësuesve në gjuhën shqipe pranë Universitetit të Malit të Zi, që nga themelimi i tij në vitin 2004.(Kohapress)