
Rrëfimi 1
Fillimi i dekadës së shtatë. Ishte koha për ndërtimin e rrugës magjistrale prej Tivarit deri në Ulqin. Rruga deri në Tivar ishte përfunduar para shumë viteve. Ulqinin, si gjithmonë e kanë lënë mbrapa.
Para se të ndërtohet rruga, u takova me kryetarin e Komunës së Ulqinit Fadil Taipin. Fadili ishte atëherë prej vitit 1968 kryetar në mandatin e parë, energjik, komunikativ. U bë fjala për mundësinë që rruga e re me e përcjellë bregdetin e Ulqinit. Por ndodhi ndryshe: prej Tivarit rruga e re kaloi në afërsi te Dobra Voda (Ujmirit), pjesësës me ullinjë e qujtuar Kamin dhe Utjeha, dhe kështu deri te tuneli ku fillon territori i komunës së Ulqinit.
Prej aty rruga magjistrale shkon mbrapa maleve-kodrava të Mavrijanit dhe Malit të Bardhë, duke lënë mbrapa shpine pjesët e bukura të bregdetit shkëmbor të Ulqinit: Gjirin e Valdanosit, Mendrën (Hijën), Bashbylykun dhe Limanin.
Rrëfimi 2
Fusha e Ulqinit ishte e kultivuar me ullinjë dhe agrume. Por, pas kthimit ish-pronarëve, pushteti vendor aprovoi Planin Urbanistik dhe aty po ndërtohen shumë objekte me leje.
Isha duke vizituar Nikola Gojniqin, mikun e babait tim. Ai deri në tërmet ka jetuar nën Kala pranë detit. Tash ishte në banesë të re në afërsi të Shtëpisë së Shëndetit. Dola në dritare dhe i thashë Stanës gruas së Nikollës:
„Stano, što imate lijep pogled odavde” (Stano, sa pamje të bukur keni prej këtu), (po shikoja nga Gjerana).
“E moj sine, ovo mi je kao kod moje Rade u Bijelo Polje, ja sam navikla da gledam more”.( Eh djali im, unë jam mësua me pa detin, këtu jemi si te vajza ime në Bijello Pole), ishte përgjigja e plakës.
Edhe kështu, me ndihmesën e pushtetit vendor u prish Fusha e Ulqinit dhe gjelbërimi. U ndërtua një lagje e re si në Bijello Pole në qytetin kontinental të Malit të Zi.
Rrëfimi 3
Jallija-Kacemja (jallia, nga turqishtja – fushë në bregdet) gjendet në pjesën juglindore nën Kalanë e Ulqint. Në anë të majtë është Moli i Vogël, kurse në anë të djathtë Moli i Madh. Plazhi i Jallisë ka qenë me zhavor, me cektinë ranore, gjatësi prej 50 metra, kurse gjërësi deri në 7 metra. Në pjesën e majtë të bregut gjendet Guri i zi dhe shkëmbi i madh – Kacemja e lartë deri në tri metra mbi sipërfaqen e detit. Sipër Jallisë-Kacemes është Bedeni i Kanunes, Pallati Venediku dhe Tabja. Në rrugë që shkon për në Kala është Porta (hyrja) e Kalasë në pjesën jugore.
Në Jalli jemi larë në det, kemi bërë notimin e parë. Edhe katër fëmijët e mi, si edhe tre nipat e mbesat e kanë filluar notimin e parë dhe larjen në det aty. Më të vegjëlit kanë notuar deri te Guri i Zi, më të rriturit kanë hypur dhe kërcyer prej Kacemes. Ndërmjet dy moleve djemtë e rinj kanë lujtuar vaterpol. Më kujtohen në dekadën e pestë-gjashtë të shekullit XX lojtarët: Xhavid dhe Sani Ismajlaga, Rashko Zhivanoviq, Sllobo Markoviq, Sabri Kapllanbegu, Mustafë Nimanbegu. Më vonë kanë lujtuar edhe Lluka Gjuroviqi, Zuhdi Dema. Edhe ne nxënësit e shkollës tetëvjeçare kemi bërë gara në det. Më kujtohen edhe djemtë të cilët notonin dhe u zhyteshin në det: Jakup Nimanbegu, Selatin-Tino Vogliqi, Zuhdi Bushati e të tjerë.
Në Molin e Madh janë gastuar barkat e vogla, kurse në Molin e Vogël sandallat dhe fllugat e peshkatarëve. Në pjesën tjetër të Molit të Madh kanë ardhur barka më të mëdha si edhe anijet për transport të mallërave dhe udhëtarëve. Pas tërmetit të vitit 1979 niveli i i sipërfaqesë së detit u ngrit 50-60 cm. Guri i Zi humbi në rërë, por larja në det ishte prap e këndshme.
Sot…
Në vend të Jallisë-Kacemes u ndërtua një marinë e vogël. Plazhi i Jallisë u zhduk, Kacemja u thye, Moli i Vogël humbi pamjen e dikurshme. Sot në Molin e Madh parkohen automobilat. Nuk ka ma anije dhe barka të ankoruara. Edhe larja në det në këtë vend u prish…
Me siguri edhe marina e sotme ka bukurinë e vet.
Edhe një gjë tjetër: të gjithë e kemi vërtetetuar se marina e sotme nuk është vendstrehim i sigurt kur deti trazohet.
Jallija-Kacemja e dikurshme ka pasur zemër e shpirt, ka qenë një ndër simbolet e Ulqinit të vjetër.
Një gjë e bukur: në Molin e Vogël janë barka dhe flluga për transportin e turistëve.
Rrëfimi 4
Ulqini mbeti vendi i vetëm në bregdet i cili nuk ka limanin (portin). Para disa dekadave ishte ideja që prej Molit të Madh të formohet rruga deri në Puntën e Nuradinit, dhe pastaj bashkimi i kësaj me Gurin e Vogël në Lima. Ideja tjetër ishte që të hapet nën Kala tuneli prej vendit ku ishin Shkallat e Peshkaxhive deri nën Kala.
Por, nuk u bë asgjë. Një detar i vjetër shprehet:
“Deti na ka dhan të gjithë të mirat, detit nuk i kemi kthye kurgja..”
Rrëfimi 5
E dielë, ditë prilli, Pashktët e përbashkëta, nga deti erdhi stuhia, dielli u mbyll, toka filloi të dridhet, shtëpitë u rrënuan, rrugat u mbyllën.. Tërmeti më 15 prill 1979 i rrënoi shumë shtëpi në Kala. Shkaktoi edhe 6 viktima. Më vonë, kam dëgjua si kanë thënë:
“Kalaja ishte e mbuluar me tym, kemi mendue se askush nuk shpëtoi prej aty..”
Kështjella shumëshekullore qëndroi në këmbë, tërmeti e dëmtoi, por ajo mbijetoi..
- kalalitë e ruajtën vendlindjen e tyre
- nuk lejuan që të mbyllen portat e saja.
Jeta vazhdonte edhe pas tërmetit. Në kampin ku ishin të strehuar dy të rinjë u fejuan, pas disa ditëve u bë edhe martesa e parë pas tërmetit..
Tërmetin e përcolli solidaritet i madh prej të gjithë Malit të Zi, si edhe prej republikave të tjera të ish-Jugosllavisë.
Në atë ditë, para sëmundjes Josip Broz Tito ishte në rezidencën e tij në Igalo. Me helikopter e vizitoi bregdetin e Malit të Zi ku ishin pasojat dhe rrënimet më të mëdha. Prej atëherë u nis ndihma dhe lufta që të tejkalohen pasojat e tërmetit. Por, rindërtimi në Ulqin shkoi shumë ngadalë. Një herë ishte në vizitë një delegacion e urbanistëve, arkitektëve dhe ata thanë:
“Për planifikim duhet t’u drejtoheni arkitektëve nga Spliti të cilët kanë dituri për ndërtimin mediteran. Ulqinin e vjetër duhet me e rindërtua, por Ulqinin e Ri duhet mee ndërtua në Pllazhin e Madh. Nuk duhet të ndërtohet në pjesën e Mahallës së Re dhe Fushës së Ulqinit. Ato janë zona e 9-të për tërmet.”Ndodhi fare ndryshe: projektantët kryesorë për Ulqin ishin nga Titogradi dhe Shkupi. Këta me siguri nuk kanë pasur dituri ( po as dashuri të madhe) për detin dhe bregdetin. Filloi ndërtimi edhe në Fushën e Ulqinit, u lanë të paurbanizuara pjesët e bukura shkëmbore prej hotel “Albatrosit” deri te Kepi Gjeranave, pjesët e Mendrës (Hija), Bashbylykut. U lejua ndërtimi i parregullt në Liman.
Në vend të konkludimit:
Magjistralja Ulqin-Tivar u largua prej detit.
Jallija-Kacemja, një ndër simbolet e Ulqinit u prish.
Ulqini u bashkua me Pllazhinë e Madh (Zalli) nëpër Fushën e Ulqinit, duke lënë mbrapa Pyllin e Pishave dhe pjesën deri te Kepi i Gjeranave.
Limani (porti) nuk u ndërtua kurrë.
Ulqinit të njohur me detari të madhe dhe të famshme i nevojitet muzeu i detarisë.