Kurrë nuk kam pretenduar që jam një studiues i mirëfilltë

Kur unë kam trajtuar temën “Shtëpia e vjetër krajane, karakteristikat dhe roli i saj”, kryesisht shkrimi im është bërë dhe analizuar në mënyrë kronologjike për shtëpinë krajane, ashtu siç e kam përjetuar unë, duke u bazuar në shtëpinë time (të prindërve të mi) të vjetër dhe jetesën që unë kam kaluar aty në atë shtëpi deri në një moshë timen, gjithsesi duke përdorur edhe referenca aty-këtu, për të gjetur sqarime gjuhësore pasi që në Krajë kanë emërtime tjera elementet shtëpiake, kështu që referencat kanë shërbyer për një shkrim gjuhësor më të pastër

“Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh”.
(Faik Konica)

Të reagosh me anë të një shkrimi në formë kundër-përgjigjeje, atëherë kur dikush të shënjestron me anë të një shkrimi për interesa të veta personale dhe për ego karrieriste, nuk do të thotë se shpreh urrejtje apo armiqësi ndaj atij individi, përkundrazi, urrejtja dhe armiqësia mund të bëhen lidhje më miqësore kur i kundërpërgjigjesh shkrimit me të cilin të ka shënjestruar personalitetin tënd, duke mos pasur njohuri të mjaftueshme se për çfarë shkruan.
Prandaj, ky reagim i përket një rasti të tillë me të cilën gjë nuk do të kisha pasur dëshirë të merrem, përkundrazi ndërgjegjja nuk më lejon ta lë pas dore një reagim të tillë ndaj personalitetit tim. Kurrë nuk kam pasur rastin të merrem me një gjë të tillë, sepse nuk kam pasur arsye që dikush të më shënjestrojë në këtë rast si ky, por as t’i ofrohet këtij rasti që t’i përgjigjem apo kundërpërgjigjem dikujt pse më shënjestron, madje edhe më ofendon në median gazetareske duke më quajtur “i dobët dhe joprofesionist”. Nuk jam përgjigjur kurrë edhe nëse më kanë sulmuar apo akuzuar në mediat sociale në këtë mënyrë, mbase kam pasur raste. Nuk jam pëgjigjur kurrë sa herë është marrë dikush personalisht me mua, ashtu si nuk i përgjigjem ndonjë të marri në rrugë që “llomotit” e nuk di se çfarë thotë. Të njëjtën gjë vendosa të bëj edhe kësaj radhe, por he, ç’e do, se u soll mendja ndryshe. Do kisha heshtur duke e injoruar sikur mos të kishte diçka të veçantë, mbase personale ndaj figurës dhe personalitetit tim.
Pse po shkruaj këtë reagim ka arsye dhe shkaqe të ndryshme. Po i shkruaj atij personit që në një shkrim timin më ka etiketuar si “i dobët dhe joprofesionist”. Pra, shkrimi im e ka nisur rrugën reaguese dhe po e shkruaj, jo për respektin ndaj tij, por për interes të publikut që ta dinë se çfarë teme kam trajtuar, mbase ai që më shënjestroi dhe akuzon duket se nuk e ka kuptuar mirë dhe ashtu siç duhet shqyrtimin që unë kam bërë në artikullin e shkruar me temën “Shtëpia e vjetër krajane, karakteristikat dhe roli i saj”, publikuar në gazetën “Koha javore”, nr. 1086, fq. 18-19.
Pra, edhe një herë dua ta theksoj se nuk po i përgjigjem për respekt ndaj tij, por për interes publik dhe opinion të gjerë.

I nderuar Korab (Kraja)!
Me plot dëshirën time, si njeri i ndërgjegjshëm dhe me plot fjalën e gojën si njeri me zemër të madhe, me merita dhe me kontribut të pazëvendësueshëm në komunitet dhe atë gjithëkombëtar dhe jo vetëm, do të doja të përgëzoja, por ja që së pari nuk të përgëzoj për faktin se ia dolët të bëheni protagonist (subjekt) i këtij shkrimit tim, apo thënë më qartë i kësaj letre që mora ta shkruaj, për t’ju drejtuar figurës tuaj, pa marrë parasysh rivalitetin (Unë nuk merrem me rivalitete) që e hapët me këtë rast, gjë që nuk keni pasur nevojë. Ajo ka qenë dëshira juaj dhe kjo që unë po shkruaj është dëshira ime. Pra, a duhet të na plotësohen dëshirat tona, vlen për t’u parë në vazhdim.
Shohim!
Korab, ti e din shumë mirë se si funksionojnë gjërat, që ka ardhur deri te ky rast që më keni bërë ta nisi të shkruaj këtë reagim për të njoftuar opinionin publik. Pra, nuk mundet askush t’i çelë sytë dhe të të zgjojë ndërgjegjen tënde për atë se çfarë të ka shtyrë të vish deri në këtë pikë konfrontimi mes nesh, pasi që ndrëgjegjja juaj lë për të menduar, patjetër për të dyshuar.
Disa ditë më parë, gjegjësisht më 12 qershor 2025, në gazetën “Koha javore”, nr. 1163, dhe i publikuar në Facebook, u botua një shkrim i juaji, i titulluar “Studiuesit e vetëshpallur”, faqe 14-15 dhe vazhdon në fq. 16, aty ku unë me qëllim e nisa ta shkruaj këtë njoftimin tim. Me këtë rast, për mos ta zgjatur shumë, me keqardhje të thellë më duhet t’ju them se, shkrimin tuaj kur e lexova u binda plotësisht se është një shkrim krejtësisht i shpifur dhe qëllimkeq ndaj asaj që ju keni trajtuar, në emër të “studiuesit të vetëshpallur”. Unë nuk do ta marr rolin e kritikut, por as nuk do të shkruaj në emër të atyre që ju pretendoni se janë “studiuesit e vetëshpallur”, por as nuk do të lë anash pa ju pëgjigjur dhe reaguar ndaj asaj që ju pretendoni se ju paskam marrë shënime nga libri juaj kur unë kam trajtuar temën “Shtëpia e vjetër krajane, karakteristikat dhe roli i saj”, publikuar në gazetën “Koha javore”, nr. 1086, fq. 18-19. Nuk largohem nga ajo se kur kam trajtuar atë temë, aty-këtu kam përdorur edhe referenca, ku janë përfshirë pesë (5) libra, që arsyen do ju tregoj në vazhdim.
Kur unë kam trajtuar temën “Shtëpia e vjetër krajane, karakteristikat dhe roli i saj”, kryesisht shkrimi im është bërë dhe analizuar në mënyrë kronologjike për shtëpinë krajane, ashtu siç e kam përjetuar unë, duke u bazuar në shtëpinë time (të prindërve të mi) të vjetër dhe jetesën që unë kam kaluar aty në atë shtëpi deri në një moshë timen, gjithsesi duke përdorur edhe referenca aty-këtu, për të gjetur sqarime gjuhësore pasi që në Krajë kanë emërtime tjera elementet shtëpiake, kështu që referencat kanë shërbyer për një shkrim gjuhësor më të pastër. Unë jam i bindur se kur ju e keni lexuar shkrimin tim, ju nuk e keni kuptuar esencën e shkrimit, mbase ju jeni lidhur me atë se unë shkrimin tim e kam analizuar në mënyrë arkitektonike, çka nuk përputhet me atë që ju keni shkruar, pasi që shkrimi im ka të bëjë me një analizë të përgjithshme të shtëpisë së vjetër krajane, në përpjekje me atë çfarë unë kam kaluar në një nga ato lloj shtëpish. Kurrë nuk kam pretenduar të bëj një shkrim sipas atij vizioni që ju e keni parë dhe sigurisht që edhe e keni gjykuar. Gabimi, plotësisht gabim. Pra, unë mendoj se këtu nuk ka kurrgjë të bëjë me atë që ju më shënjestroni në shkrimin tuaj se gjoja jam “i dobët dhe joprofesionist”.
Tani më duhet këtu të ndalem. “I dobët” – Unë kurrë nuk kam pretenduar se kam forcë kur shkruaj, përkundrazi unë merrem me shqyrtimin e temave që mua më thotë mendja se mund t’ia dal, gjë që jam krenar me atë që e bëj dhe nuk do të rreshti së bëri. Pra, dobësinë time nuk mundesh ti të ma matësh pasi që unë e di vetë se për çka jam “i dobët” dhe për ku jam i dobët, e jo për atë që puna ime vlerësohet deri aty ku të tjerët e vlerësojnë me dinjitet.
Sa i përket “jo profesionist” – Unë kur kam shqyrtuar temën në fjalë mund të them se “nuk jam profesionist” në aspektin që ju më shënjestroni, pra nuk jam arkitekt, por një gjë e di se jam profesionist për atë që shqyrtoj në temat e mia, mbase mund t’ju bëj “qeder” juve një profesionalizëm i tillë.
Sa i përket asaj që ju më shënjestroni, madje edhe si “studiues i vetëshpallur”, unë nuk kam marrë përsipër barrën e të tjerëve “studiuesve të vetëshpallur”, por unë dua të mbështetem aty ku ju më shënjestroni në shkrimin tuaj të datës 12 qershor 2025, në gazetën “Koha javore”, nr. 1163, në fq. 16, ku keni cekur shkrimin tim të publikuar në gazetën “Koha javore”, nr. 1086, fq. 18-19, ku në ato dy faqe të gazetës është pëfshirë shkrimi im me fotografinë time. Pra, ju më shënjestruat aty, madje duke më përfshirë nën ombrellën e “studiuesit të vetëshpallur”. Ju bëj me dije se në shkrimet apo librat e mi, të botuar deri më tani, kurrë, pra kurrë nuk kam pretenduar se jam një studiues i mirëfilltë, por puna ime, pasioni, dëshira dhe ajo që është më kryesorja – temat që unë kam trajtuar, jam i sigurt se i kam trajtuar ashtu siç duhet dhe me një gjuhë krejtësisht të pastër krajane. Kur t’i lexoni parathëniet e librave të mi, aty mund të hasni në atë se sa unë kam pretenduar se jam një studiues i mirëfilltë. Aty gjithmonë kam thënë se unë “e kam hapur një rrugë për t’ia lënë ‘studiuesit të mirëfilltë’ që të vazhdojë për temën në shqyrtim. Pra, kurrë nuk kam pretenduar se jam një studiues, madje për herë të parë studiues më pat quajtur një akademik dhe pastaj kanë vazhduar disa të tjerë.
Sa për dijeninë tuaj, pasi dyshoj se ju nuk e keni kuptuar termin “studiues” dhe se kush mund të jetë studiues. Studiues mund të jetë çdokush që ka prirje dhe studion sistematikisht subjekte apo tema për të zbuluar dhe për të parë fakte, teori rreth asaj se për çka studion një person. Pra, një diplomë universitare nuk është gjithmonë e detyrueshme për një studiues. Kurse, “studiues i mirëfilltë” mund të një individ së paku me titull shkencor “master” dhe merret me studime dhe hulumtime shkencore me tema të ndryshme profesionale, duke ju lejuar të hyjë në arkiva të ndryshme, shtetërore, institucionale, sekrete etj., i propozuar nga ndonjë institucion shkencor, për hulumtime e studime të mëtejshme, gjë që është e nevojshme një diplomë universitare për kërkime cilësore.
Unë nuk marr në mbrojtje asnjë individ, për atë çfarë ju keni shënjestruar – kritikuar si gjoja “studiues të vetëshpallur”, pasi që ju me atë shprehje keni prekur edhe të tjerët në shkrimin tuaj, por unë thjesht po i përgjigjem asaj se çfarë është shkruar nga ju dhe si më keni shënjestruar pikërisht në shkrimin tim të cekur më lart. Njëkohësisht gjithë ky mlef i juaji ndaj personalitetit tim dhe atyre që ju i shpallët si “studiues të vetëshpalluar” tregon se ju kërkoni atë që nuk e keni arritur deri më tani. Nga kjo del se juve ju mungon “publiciteti” dhe për këtë arsye doni një “viktimë”, ashtu siç na keni shënjestruar me qëllim që të merret me ju, andaj ju mungon mbështetja nga autor seriozë, të cilin po e kërkoni me çdo kusht. Mos harroni (më duket se po!) se një autor shkruan për lexuesin dhe ai “lexuesi” është ai që vlerëson dhe të shpallë “studiues” apo “profesionist”. Mos harroni se një libër profesionistësh shkruhet me një gjuhë të thjeshtë dhe të kapshme për të tjerët, se jo të shkruhet dhe citohet diçka çka zor se din dhe vetë autori se çfarë thotë në botimet e tij, me qëllim që të duket më “profesionist”.
Pra, shkrimi im pretendoj se është shënjestruar krejtësisht në mënyrë të padrejtë, por me qëllim që ju të përfitoni sa më shumë “publicitet” ndaj një “viktime”, në këtë rast unë.
Sa për dijeninë tuaj, unë si “studiues i vetëshpallur” kurrë nuk kam pretenduar që jam një studiues, historian, gjeograf, arkitekt, etnolog, muzikolog, regjisor, dramaturg dhe i shumë gjinive tjera shkencore, përkundrazi aq më shumë t’i marr dikujt titullin shkencor apo të luaj rolin e një studiuesi nga këto disiplina shkencore të cekura më parë, andaj me plot fjalën e them se e gjithë rruga ime studimore (vetëshpallur – KK) qëndron aty ku e kam nisur dhe do e mbaroj për aq kohë sa Zoti të më japë jetë, si studiues me pasion, vullnet, forcë, kurajo, kohë, sakrifica e mbi të gjitha me një shumë të konsiderueshme shpenzimesh, do të vazhdoj të punoj, studioj, botoj edhe shumë libra tjerë për trevën dhe vendlindjen tonë të dashur Krajën. Mos harro unë jam Ai. Mendoj dhe jam i bindur se Ju nuk do ia arrini kurrën e kurrës një gjë të tillë, për aq sa kam bërë, po bëj dhe do të bëj për trevën tonë Krajën, sepse ju punoni për përfitime publicitare, madje edhe financiare, kurse mua publicitetin ma jep lexuesi i mirëfilltë.
Ju falënderoj me kthjelltësi, për atë që më shënjestruat si “studiues i vetëshpallur”, jo në një ndejë, tubim, kafene, por në gazetën “Koha javore”, para disa ditësh, shkak i një shkrimi tim për “shtëpinë e vjetër krajane”, gjë që u bë shkak shkruarja e kësaj letre. Sikur ta kishit lëshuar shënjestrimin tuaj diku privatisht, nuk do kisha kokëçarje fare, por ju sulmuat në mënyrë publike duke më bërë, shtyrë dhe detyrohem për një saktësim për publikun ndaj asaj se për çfarë shënjestrohem nga Ju.
Me bindjen time më të madhe do të sugjeroja që punët tona të vejnë në atë çfarë i konvenon shoqërisë e mbi të gjitha të jenë punë të dobishme komunitare, pasi që jemi i të njëjtit komunitet (krajan), me ide, sugjerime, rekomandime etj., të cilat duhet të merren parasysh e të jenë të mirëpritura nga njëri-tjetri për të ndarë në të njëjtën tryezë të përbashkët diskutimet tona në ditët në vijim.
“Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.”
(Mit’hat Frashëri)

Hamid Alaj (Nju Jork)

Të fundit

më të lexuarat