Kujtohet Dom Prekë Ndrevashaj

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Në një njoftim paraprak për komunitetin shqiptaro-amerikan në Detroit dhe për publikun e gjërë, famullitari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield afër Detroitit, në shtetin Miçigan, i përndershmi Dom Ndue Gjergji, ka njoftuar para disa javësh se kjo famulli do të organizojë festimin e 50-vjetorit të themelimi të kishës së tyre. Dom Ndue Gjergji e cilësoi kremtimin e jubileut të 50-vjetorit të themelimit të saj (më 8 dhe 9 tetor 2022) si një gurthemel i punës, përpjekjeve dhe historisë së saj gjatë 50 dekadave të kaluara. “Këto 50 vite kanë qenë vite sfidash të mëdha për famullinë tonë, është shprehur ai. Kemi pasur probleme, humbje njerëzore, aktivitete të shumta dhe arritje të mëdha, por falë ndihmës së Zotit tonë Jezu Krishtit, dhe ndihmës dhe kontributeve tuaja, famullia jonë ka ecur vetëm përpara dhe historia e saj në këtë 50-vjetor ka qenë e suksesshme”, ka thenë i përndershmi Dom Ndue Gjergji për famullinë e tij dhe për mbështetësit e bashkëpuntorët e Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, që ai drejton.
Duke iu referuar themeluesit të kësaj kishe 50-vite më parë, të ndjerit Dom Prekë Ndrevashaj, Dom Ndue Gjergji në njoftimin e tij shprehet: “E kemi kujtuar në çdo festë dhe në lutjet tona, edhe sot shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për themeluesin e kësaj famullie, të përndershmin Dom Prekë Ndrevashaj, emri i të cilit është i gdhendun përjetësisht me shkronja të arta në historinë e kësaj kishe, si dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin. I kujtoj me respekt të gjithë atë brez kontribuesish që janë nda nga kjo jetë, si dhe jam mirënjohës për të gjithë ju anëtarë të mrekullueshëm të kësaj famullie, që në ditë të mira dhe të vështira që kemi kaluar, më keni qëndruar pranë, e që keni qenë energjia, shtysa, motivimi i punës time në këto 25 vite në drejtimin e kësaj kishe”, ka shkruar Dom Gjergji në njoftimin paraprak të programit për përkujtimin e 50-vjetorit të themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, përsa vijon e ku thuhet:
“Festa jonë do të mbahet në ambientet e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës tonë me datat 8 dhe 9 tetor 2022.
Festa konsiston në tri aktivitete madhore:

  1. Simpoziumi shkencor mbi jetën e Famullisë së Kishës Zoja Pajtore, ditën e shtunë, datë 8 tetor,
    2.Mesha Shenjte kushtuar këtij përvjetori, datë 9 tetor,
    3.Darka Festive Gala e këtij jubileu, ditën e diele, datë 9 tetor.
    Do të ketë edhe detaje të tjera për të ciat do të njoftoheni në ditët në vazhdim.
    Do të jenë të ftuar personalitete të larta të Kishës, përfaqësues të shteteve tona shqiptare, përfaqësues të shtetit amerikan, si dhe figura të shquara të diasporës shqiptare.
    Ftoj Këshillin e Kishës dhe anëtarët e Famullisë që të punojmë të gjithë së bashku dhe të përgatitemi në mënyrë që ky jubile, të jetë një festë e madhe, e gëzueshme dhe e paharruar për Famullinë tonë dhe komunitetin. Le të jetë ky përvjetor edhe një frymëzim për brezat më të ri për një jetë të gjatë, të suksesshme dhe nën dritën e Zotit të Famullisë tonë.
    I juaji, Dom Ndue Gjergji”, përfundon njoftimi për publikun dhe median në lidhje festimet e 50-vjetorit të kësaj kishe.
    Një dokuementar kushtuar themeluesit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prekë Ndrevashaj dhe pasuesve të tij të denjë në Miçigan – SHBA: Dokumentar, Dom Prek Ndrevashaj, Kisha Zoja Pajtore, Zef Pergea, Marash Mirashi – YouTube.
    Emri dhe vepra e Dom Prekë Ndrevashaj janë të njohura dhe të vlerësuara nga të gjithë ata shqiptarë që e kanë njohur, por sidomos në radhët e mijëra shqiptaro-amerikanëve në jetën e të cilëve Dom Preka ka luajtur një rol kyç, përfshirë autorin e këtyre rreshtave përkujtimor, për fatin e tyre dhe të familjeve të tyre. Në një kohë kur shumë prej nesh kishim mbetur rrugëve të Italisë dhe nuk dinim kah t’ia mbanin, ai u bë mbrojtësi ynë dhe i të huajve. Ai u bë shpëtimtari ynë. Pa kujdesin e Dom Prekës, shumë prej nesh do të kishim mbaruar rrugëve të Evropës, pa asnjë përspektivë as udhëzim, të arratisur nga trojet tona shekullore prej murtajës së komunizmit. Pasi na ndihmoi të vinim në Amerikën e bekuar, ai këtu u bë për shumë prej nesh edhe frymëzimi për të përparuar, për të shkuar përpara, duke mos harruar kurrë se kush jemi, nga vijmë dhe nga duhej të shkonim.
    Andaj ky përkujtim – në këtë 50-vjetor të themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij komuniteti në Miçigan. E tashmja dhe e ardhmja janë në dorë të pasardhësit të Dom Prekës, Dom Ndue Gjergjit dhe famullisë së tij. E kaluara është e të ndjerit Dom Prekës. Prandaj, Dom Ndou me bashkëpuntorët e tij po organizon këtë ceremoni, me plot kuptim fetar dhe kombëtar, por edhe për t’u përulur me nderim e respekt para kujtimit dhe kontributit të Dom Prekë Ndrevashaj, themeluesit të kësaj famullie.
    Përvjetorët shënohen dhe shërbejnë si një kujtesë! Në 50-vjetorin e themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, kujtojmë themeluesin e saj Dom Prekë Ndrevashaj, jo vetëm si besimtar e kishtar, por edhe si atdhetar. Për t’u përulur me respekt dhe nderim të madh para kujtimit të tij, që së bashku të shprehim me të gjithë ata që e kanë njohur Dom Prekë Ndrevashajn, njërin prej klerikëve më të shquar të Kishës Katolike Shqiptare, jo vetëm në në diasporë, por edhe anembanë trojeve tona.
    Dom Prekë Ndrevashaj, i cili u përket atyre burrave të kombit, të cilët me besimin dhe me patriotizmin e tyre ditën të frymëzojnë breza të tërë shqiptarësh, drejt së ardhmes. Të asaj të ardhme që sot është Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve me Dom Ndue Gjergjin në krye. Një të ardhme më të mirë, më demokratike dhe më të lirë për shqiptarët, anembanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor, por edhe në diasporë, përfshirë sot Kishën Zoja Pajtore të Shqiptarëve me Dom Ndue Gjergjin në krye, në 50-vjetorin e themelimit të saj. Kjo kishë dikur udhëhiqej nga Dom Prenkë Ndrevashja e tash nga Dom Ndou, i ka dhenë dhe i jep edhe sot këtij komuniteti, kombit dhe Kishës Katolike Shqiptare, në përgjithësi, nam e za, si një prej qendrave më të njohura fetare e kombëtare ndër shqiptarët. U ofron shqiptarëve, jo vetëm besim në Zotin, por edhe gjuhë e kulturë, atdhetarizëm, nder e tradita. Kjo në traditën më të mirë të klerikëve shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut, klerikë si Dom Prekë Ndrevashaj, Imam Vehbi Ismaili, Peshkop Fan Noli e Artur Liolini, Mons. Zef Oroshi e Baba Rexhepi, ndër shumë e shumë të tjerë përfaqësues të tre feve kryesore të shqiptarëve.
    Pasi jemi në përvjetorin e kujtimit të Nënës tonë Shën Nënë Terezes që kujdesej për të gjithë të varfërit pa dallim. Ajo nuk pyeste para se të kujdesej për dikë nëse ishte katolik, mysliman, ortodoks ose ateist. Është meritë e kësaj kishe, e themeluesit të saj Dom Prekë Ndrevashajt dhe e famullitarit aktual, Dom Ndue Gjergjit, që ndonëse Kisha Pajtore e Shqiptarëve në thelb dhe në temel është një qëndër e krishterë katolike, kjo ka qenë, është dhe jam i bindur se do të mbetet një qëndër, ku përveç fjalës së Zotit predikohen me zemër e me shpirt ndjenjat e shqiptarizmit, bashkjetesës, harmonisë dhe vëllazërimit midis të gjithë shqiptarëve të Amerikës, pa dallim feje a krahine.
    Më në fund në këtë 50-vjetor të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve të themeluar nga Dom Prekë Ndrevashaj, i kam boxh një falënderim të madh personal dhe mirënjohje të thellë mikut tim dhe mikut tonë të përbashkët, klerikut të madh të Kishës Katolike Shqiptare, patriotit të shquar të idealeve për një Shqipëri me Zotin, të përparuar në qytetërimin perëndimor, besim ky që pasqyrohej gjithmonë në veprat dhe fjalët e tij, pra të Dom Prekë Ndrevashajt.
    I kemi shumë borxhe Dom Prekë Ndrevashajt – mirënjohje për miqësinë dhe ndihmën e dhenë në kohën më të vështirë për mua personalisht dhe për shumë shqiptarë. Dom Preka më njoftoi me Ernest Koliqin, më njoftoi prej së largu me Prof. Martin Camaj, se ai në atë kohë nuk ishte në Romë por në Mynih të Gjermanisë, dhe me personalitete të tjera të shquara të emigracionit anti-komunist shqiptar të asaj kohe në Romë dhe në Shtetet e Bashkuara. Mbi të gjitha, Dom Preka me njoftoi me veprat e At Gjergj Fishtës, të cilat i ruaj edhe sot si kujtimin më të mirë prej tij dhe për të cilin deri atëherë nuk dijaa asgjë, përveç emrit të Fishtës që kisha dëgjuar në familje. Siç dihej emri dhe veprat e Fishtës ishin të ndaluara, jo vetëm në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, por edhe në ish-Jugosllavinë sllavo-komuniste të Titos. Shkurt me i ra bisedës, Dom Preka ishte njeriu i parë që më njoftoi me njerëzit, që më dhuroi librat (e ndaluar nga komunizmi) dhe me këshillat e porositë që më jepte, më hapi sytë, mendjen dhe zemrën ndaj një bote tjetër, ndaj fjalës së lirë, lirisë në përgjithësi dhe demokracisë perëndimore, krejt ndryshe nga bota komuniste ku isha lindur e rritur deri në atë moshë.

Urimet e mia më të përzemërta Dom Ndue Gjergjit dhe bashkëpuntorëve të tij të ngushtë për nismën për të festuar 50-vjetorin e Kishës, dhe për të kujtuar themeluesin e Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prenkë Ndrevashaj. Sepse ju jo vetëm po kujtoni të shkuarën, por njëkohësisht edhe po ndërtoni të ardhmen. 50-vjetori i themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, është një përvjetor i artë – golden aninnversay – që ven në dukje trashëgiminë e lënë pas nga Dom Prekë Ndrevashaj, por që shënon edhe arrijtjet dhe sukseset e udhëheqësit aktual të kësaj kishe Dom Ndue Gjergjit dhe antarëve të famullisë, në përgjithësi. Urimet e mia më të përzemërta për këtë jubile historik. Uroj që të vazhdoni lumnisht si deri tash në veprimtarinë tuaj fetare dhe atdhetare, si përherë në dobi të Kishës dhe të kombit.
Unë kam nderin dhe privilegjin të jem i ftuar në këtë ceremoni më 8 dhe 9 tetor, por tani për tani po dërgoj edhe me anë të këtij shkrimi edhe njëherë urimet e mia Dom Ndue Gjergjit dhe famullisë, që kështu po kujtoni e përjetoni trashëgiminë e mikut tonë të përbashkët – mikut të shumë shqiptarëve, pa dallim feje a krahine, Dom Prekë Ndrevashajt. Sepse kështu nderoni veten dhe trashëgiminë e Dom Prekës me të cilën pasurohet shpirti i kësaj famullie e i këtij komuniteti, dhe njëkohësisht rritet bujaria dhe begatohet edhe shpirti i kombit.
Bekimet e të Madhit Zot sot dhe përgjithmonë! Zoti e bekoftë Amerikën dhe kombin shqiptar ndër shekuj!

Të fundit

më të lexuarat