Përfaqësues të opozitës nga partitë shqiptare dhe të Demokratëve edhe gjatë kësaj seance kanë vënë në dukje se ka pasur shkelje të statutit dhe të rregullores së kuvendit, duke e quajtur të paligjshëm ri-kandidaturën e të njëjtit person, i cili në votimin e parë nuk kishte fituar numrin e mjaftueshëm të votave
Tuz- Kuvendi i Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit vetëm dy ditë pas përfundimit të seancës së dytë të mbajtur më 13 mars 2018, zhvilloi seancën e tretë më 15 mars 2018 me një pikë të rëndit të ditës: emërimi i kryetarit të Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit.
Këtë seancë e thirri urgjentisht kryetari i Kuvendit, Fadil Kajoshaj, pasi në vazhdimin e seancës së dytë pas shumë debatesh, opozita parlamentare evidentoi një sërë shkeljesh procedurale të statutit dhe të rregullores, të cilat sipas tyre i kishte bërë shumica qeverisëse gjatë votimit për emërimin e kryetarit të komunës.
Në këtë seancë, me 20 vota pro të këshilltarëve të koalicionit qeverisës (PDS-UDSH-PB-SD) dhe 0 kundër, Z. Abedin Axhoviq, u emërua kryetar i komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit, ndërsa 12 këshilltarë të LDSH-së, ASH-së dhe Demokratëve nuk votuan.
“Dua t’ju falënderoj që më keni votuar. Falënderoj edhe qytetarët e Malësisë të cilët ndoshta kanë edhe më shumë besim tek unë. Do të vazhdojë të punoj me përkushtim dhe përgjegjshmëri ashtu sikurse kam punuar dhe të të kaluarën”, theksoi Axhoviq në fjalën e rastit.
Ndërkohë, përfaqësues të opozitës, të partive shqiptare dhe të Demokratëve edhe gjatë kësaj seance kanë vënë në dukje se ka pasur shkelje të statutit dhe të rregullores së kuvendit, duke e quajtur të paligjshëm ri-kandidaturën e të njëjtit person i cili në votimin e parë nuk kishte fituar numrin e mjaftueshëm të votave. Nga ana tjetër, këshilltari i PDS-së, Halil Dukoviq, theksoi se nëse dikush dyshon se është shkelur sërish ligji, mund të ngre padi në Gjykatën Administrative.
Në seancën e tretë, propozimin e kandidatit për kreun e komunës e paraqiti në emër të koalicionit qeverisës, kreu i grupit parlamentar të PDS-së, Hilil Dukoviq, i cili propozoi që për kryetar të komunës të emërohet Dr. Abedin Axhoviq, për të cilin shpalosi edhe një jetëshkrim të shkurtër si një mjek me përvojë dhe politikan.
As në këtë seancë nuk pati kundër-kandidat nga subjektet e tjera politike edhe pse nga “Alternativa Shqiptare” sqaruan se do ta kishin propozuar kandidatin e tyre, por siç theksuan ata e anuluan atë për shkak se sipas tyre, edhe kjo seancë u mbajt në kundërshtim me statutin dhe Ligjin për vetëqeverisjen lokale. Se seanca ishte në kundërshtim me statutin dhe rregulloren theksuan edhe këshilltarët e LDSH-së dhe të Demokratëve. t. u.
Kuvendi i komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit vazhdoi seancën e dytë të mbajtur në fillim të muajit mars
Tuz – Në vazhdimin e seancës së dytë të kuvendit të komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit e cila ishte mbajtur më 02.03.2018 e që vazhdoi më 13. 03. 2018, këshilltarët konstatuan se gjatë seancës së dytë, përkatësisht më 02.03.2018 ka pasur shkelje procedurale, shkelje të rregullores dhe të statutit të këtij kuvendi gjatë votimit që rezultoi me emërimin e kryetarit të komunës, Z. Abedin Axhoviq.
Këshilltarët e partive shqiptare por edhe të Demokratëve gjatë një debati mbi dy-orësh e kanë quajtur këtë kuvend si një kafene dhe jo si një institucion ku merren vendime të rëndësishme për përfaqësimin e interesave të popullit, pasi sipas tyre shumica qeverisëse nuk respekton ligjin, statutin dhe rregulloren por përkundrazi i shkel ato.
Nga ana tjetër, këshilltarët e mazhorancës u shprehën se ata u mblodhën në këtë seancë pikërisht për ta pranuar gabimin e bërë, duke konfirmuar se gjatë votimit për emërimin e kryetarit të kuvendit, janë bërë shkelje procedurale, statutore dhe të rregullores së kuvendit.
Pas shumë debateve të ndërsjella në mes këshilltarëve të pozitës dhe opozitës, para përmbylljes së kësaj seance, me 19 vota për dhe 12 kundër u miratuan propozimet që kreu i grupit të PDS-së, Halil Dukoviq i identifikoi si shkelje procedurale, e të cilat i shpalosi para këshilltarëve. Ai më tutje propozoi që kuvendi të miratojë këto konkluzione;
“Në bazë të lëshimeve të evidentuara dhe gabimeve në procedurën e votimit të kryetarit të komunës, anulohet procedura e votimit të fshehtë; obligohet kryetari i kuvendit që të udhëheq me procesin e votimit të fshehtë sipas nenit 79 të statutit, të formojë trupin punues i cili i ndihmon në atë procedurë; kryetari i kuvendit si person i autorizuar për udhëheqje të procesit të zgjedhjes së kryetarit të komunës është i obliguar që në procedurën e zgjedhjes dhe të votimit të fshehtë t’u përmbahet saktësisht dispozitave të statutit të cilat kanë të bëjnë me procedurën e zgjedhjes së kryetarit të komunës (nenet 77- 85 të statutit); Obligohet kryetari i kuvendit që urgjentisht me procedurë të përshpejtuar të thërrasë seancën me pikën e rendit të ditës: Zgjedhja e kryetarit të komunës”, tha Dukoviq, propozim i cili u miratua me shumicë votash. t. u.