Kryetar dege emërohet Marash Dedvukaj, nënkryetarë: Agron Berishaj dhe Anton Gegaj

“Mesazhi im nga ky takim është organizimi. Në qoftë se politikisht nuk je i organizuar, je i destinuar të humbësh, të mos ekzistosh. Lidhja Demokratike në Mal të Zi në programin e vet ka për qëllim që të ketë përfaqësues që do ta përfaqësojnë votuesin në mënyrë të denjë. Ne kemi pasur katër deputetë në Kuvendin e Malit të Zi në mandatet e para, dhe të gjithë kanë qenë të Lidhjes Demokratike. Pra, kemi qenë faktorë. Ata na pëfaqësuan në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ndër të tjera kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti

Tuz – Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë, mbajti të dielën (12.2.2023) Kuvendin e VI zgjedhor në Tuz, në të cilin morën pjesë një numër i konsiderueshëm i delegatëve dhe ithtarëve të kësaj partie politike.
Në këtë kuvend u emëruar kryetari i degës, nënkryetarët dhe sekretari.
Për kryetar dege me shumicë votash u zgjodh Marash Dedvukaj, nënkryetarë: Agron Berishaj dhe Anton Gegaj, ndërsa sekretare Marina Junçaj.
Kryetari i Degës së Malësisë dhe njëherësh nënkryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Marash Dedvukaj tha se që nga themelimi më 9.9.1990, nuk i është ndarë asnjëherë këtij subjekti politik, dhe siç tha, as nuk do t’i ndahet.
“Kjo parti përherë ka mbështetur më të mirën. Ka mbështetur ato çështje të cilat kanë qenë të hijeshme për shqiptarët, e kjo ka qenë lufta për arritjen e të drejtave të shqiptarëve në këto treva”, theksoi Devukaj i cili shpalosi rrugëtimin e gjatë të partisë së parë politike shqiptarë në pluralizëm në Mal të Zi.
Me të emëruar kryetar Dege i Malësisë i LD në MZ, Dedvukaj u zotua se gjatë mandatit të tij do të jetë nxitës për gjeneratën e re, që zëri i tyre të dëgjohet kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave të përgjithshme të shqiptarëve në Mal të Zi.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti tregoi për misionin që ka pasur kjo parti në këto 33 vite për mbrotjen dhe arritjen e të drejtave të shqiptarëve në çdo sferë dhe kontributin shumëdimensional që kanë dhënë personalitete të shumta ndër vite në këtë parti.
“Nuk duhet t’i harrojmë as ata individë që sot nuk janë në mesin tonë, por kontributi i tyre ka qenë shumë i madh”, tha Mehmeti duke shtuar se “atë që ne e kemi mbjellur para më shumë se tridhjetë vitesh, sot e kanë të gatshme që ta marrin gjeneratat e reja”.
Z. Mehmeti u shpreh se obligim i tyre dhe i gjeneratave pasardhëse është që ta bartin atë që e kanë filluar të parët e tyre, por të cilët kanë qenë në rrugën e drejtë.
“Lidhja Demokratike ka një rrugë dhe është e hapur për të gjithë që dëshirojnë që këtë rrugë ta çojnë përpara. Kur jemi në Malësi kemi shumë punë pa kryer. Kur vjen puna të bashkohemi për çështje madhore, ne jemi aty. Dhe çdo tentativë për ta përcarë këtë trung të shqiptarëve në parti politike unë mendoj se i bën dëm shqiptarisë”, theksoi Mehmeti.
Kryetari i kësaj partie tha se e ardhmja e kësaj force politike është gjenerata e re, sepse siç tha, perspektiva është në duart e të rinjve dhe të rejave të cilët i ftoj që të ndërmarrin nisma dhe të mos jenë indiferentë.
“Por në radhë të parë duhet që të mbarojnë shkollën. Jo të marrin diploma, por të mbarojnë shkollën, e kjo ka dallim. Unë besoj që këtu nuk ka nga ata që kanë interes që vetëm të kenë një diplomë në shtëpi, por të japin kontributin më të mirë për identitetin tonë kombëtar”, theksoi në mes tjerash Mehmeti.
Për të, kushdo që synon të kyçet në një subjekt politik ai duhet të sakrifikojë për të dhënë më të mirën për interesa të përgjithshme, dhe jo të resht pas përfitimeve personale.
“Mesazhi im nga ky takim është organizimi. Në qoftë se politikisht nuk je i organizuar, je i destinuar të humbësh, të mos ekzistosh. Dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi në programin e vet ka për qëllim që të ketë përfaqësues që do ta përfaqësojnë votuesin në mënyrë të denjë. Ne kemi pasur katër deputetë në Kuvendin e Malit të Zi në mandatet e para dhe të gjithë kanë qenë të Lidhjes Demokratike. Pra, kemi qenë faktorë. Ata na pëfaqësuan në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ndër të tjera kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti.
Ai shtoi se ne duhet të bëjmë përpjekje gjithmonë që të kontribuojmë në të mirën tonë si shqiptarë në Mal të Zi, në interesin e përgjithshëm dhe jo për atë individual.
“Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve në Malësi, parimi ynë ka qenë që vetëm partitë shqiptare duhet të dalin bashkë dhe jo të dalin në koalicion me një parti tjetër. Sot në Malësi kemi rast ku një parti shqiptare është bashkuar në koalicion me parti joshqiptare. Kjo për mua nuk është parimore dhe votuesi do t’ua japë verdiktin edhe këtyre veprimeve”, tha Mehmeti duke nënvizuar se kur shqiptarët bashkohen janë më të fortë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat