Plavë – Në mjediset e Komunës së Plavës, të hënën, më 8 dhjetor 2025, është mbajtur takimi i parë i kryetarëve të kuvendeve të komunave të Malit të Zi, me iniciativë të kryetares së Kuvendit të Kryeqytetit dhe të Kuvendit të Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi, Jelena Boroviniq – Bojoviq, në kuadër të projektit “Komunat për BE-në”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Takimin e kanë hapur solemnisht kryetari i Kuvendit të Komunës së Plavës, Allen Balliq, kryetarja e Kuvendit të Kryeqytetit, Dr. Jelena Boroviniq – Bojoviq, dhe shefi i sektorit për bashkëpunim në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Malin e Zi, Bernar Brune.
“Parlamentet lokale janë kyçe në procesin e integrimeve evropiane, ngase mbi 70 për qind e legjislacionit evropian dhe ligjit zbatohen në vetëqeverisjet lokale. Integrimet evropiane nuk do të përfundohen me firmosje në Bruksel. Ato përfundohen në shkolla, kopshte parashkollore, shtëpi të shëndetit, administrata lokale, buxhete të komunave dhe marrëdhënieve ndaj qytetarëve dhe qytetareve”, është shprehur Boroviniq – Bojoviq.
Ajo ka rikujtuar Konferencën e parë të kryetarëve të kuvendeve te komunave të Malit të Zi, të cilën e ka iniciuar në muajin qershor, kur është miratuar Deklarata mbi lidhshmërinë e parlamenteve lokale, duke theksuar se takimi që po mbahet paraqet kapërcim përfundimtar nga iniciativa në nivelin operativ dhe institucional të bashkëpunimit.
“Takimi i sotëm është dëshmi se institucionalisht jemi pjekur të bashkëpunojmë pa kotësi dhe ndarje dhe se rrugëtimi evropian i Malit të Zi ka pikëmbështetje të fuqishme në nivelin lokal”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit të Podgoricës.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Komunës së Plavës, Allen Balliq, në fjalën përshëndetëse ka thënë se si nikoqir dhe kryesues i takimit të parë të kryetarëve të kuvendeve të komunave të Malit të Zi, në Plavë, ka pasur nderin të drejtojë një tubim jashtëzakonisht cilësor dhe përmbajtjesor, i mbajtur në atmosferë të nderimit dhe respektit reciprok, dialogut të hapur dhe përkushtimit të vërtetë ndaj vlerave evropiane.
“Nga ky takim është dërguar porosia e fuqishme që integrimet evropiane nuk ndërtohen vetëm në nivelin shtetëror, por pikërisht në bashkësitë lokale, nëpër institucione të fuqishme, administrim të përgjegjshëm dhe kujdes të drejtpërdrejtë mbi nevojat e qytetarëve. Në veçanti gëzon fakti se ka qenë atmosferë pune, konstruktive dhe motivuese, me përgatitje të qartë të të gjithë pjesëmarrësve që të marrin përgjegjësinë për proceset reformuese”, ka theksuar ai.
Në fund të fjalës së tij, kryetari Balliq ka thënë se “Plava edhe një herë ka treguar se mundet dhe di të drejtojë procese të rëndësishme për ardhmërinë e Malit të Zi” dhe se si kryetar i Kuvendit të Komunës së Plavës mbetet i përkushtuar ndaj fuqizimit të demokracisë lokale dhe krijimit të kushteve reale për rrugëtimin evropian të Malit të Zi.
Në takim është marrë Vendimi mbi formimin e Rrjetit të kryetarëve dhe sekretarëve të komunave të Malit të Zi. Për anëtarë të kryesisë së këtij Rrjeti janë zgjedhur Dr. Jelena Boroviniq – Bojoviq, Allen Balliq dhe Milan Markoviq.
Në takimin në fjalë kanë qenë të pranishëm kryetarët e kuvendeve lokale, sekretarët dhe këshilltarët nga shumë komuna malazeze, sekretarja e përgjithshme e Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi, Mishella Manojlloviq, si dhe përfaqësuesit e projektit “Komunat për BE-në”.
Nikoqir i takimit të ardhshëm të Rrjetit do të jetë Komuna e Tivatit.
Sh. Hasangjekaj
