Vazhdimi i rikonstruksionit pas tetë vitesh pritjeje

Shpallja e tenderit ka ardhur pas tetë vitesh pritjeje, prej se ka filluar rikonstruksioni i kësaj rruge me gjatësi dhjetë kilometra. Deri më tani është kryer pjesa e parë e rrugës - prej Plavës deri në Vojno Sellë, derisa viteve të kaluara është theksuar se rikonstruksioni i pjesës tjetër të rrugës, e cila nëpër Krushevë shpie deri në Guci, pret që të krijohen parakushtet e domosdoshme

Guci – Fundvitin e kaluar, Ministria e Punëve Publike ka shpallur tenderin për kryerjen e punimeve në rikonstruksionin e rrugës rajonale, e cila prej fshatit Vojno Sellë të komunës së Plavës përmes fshatit Krushevë çon për në Guci.
Ky projekt infrastrukturor ka për qëllim avancimin e aksit rrugor ekzistues përmes rikonstruksionit të linjës së komunikacionit, me çka dukshëm do të përmirësohet siguria dhe cilësia e komunikacionit, kanë deklaruar për media zyrtarët e Ministrisë së Punëve Publike, duke theksuar që edhe përmes këtij projekti dëshmojnë se vazhdojnë me investime strategjike në zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore në tërë Malit të Zi me qëllim të zhvillimit të barabartë racional, forcimit të lidhshmërisë së komunikacionit dhe avancimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Shpallja e tenderit ka ardhur pas tetë vitesh pritjeje, prej se ka filluar rikonstruksioni i kësaj rruge me gjatësi dhjetë kilometra. Fjala është për projektin, realizimi i të cilit me planin e mëparshëm ka paraparë ndarjen e mjeteve prej më se katër milionë euro. Deri më tani është kryer pjesa e parë e rrugës – prej Plavës deri në Vojno Sellë, derisa viteve të kaluara është theksuar se rikonstruksioni i pjesës tjetër të rrugës, e cila nëpër Krushevë shpie deri në Guci, pret që të krijohen parakushtet e domosdoshme.
Vendasit theksojnë që rruga prej Vojno Sellës deri në Guci gjendet në gjendje jashtëzakonisht të keqe, duke konstatuar se është mirë që meremetimi i saj definitivisht ka ardhur në radhë.
“Vite me radhë kemi dëshmuar se rruga e cila prej Gucisë kah Plava, që kalon nëpër Krushevë, gjendet në gjendje katastrofike. Qëmoti është premtuar se në kuadër të modernizimit të rrugës Plavë-Guci nëpër Vojno Sellë, edhe kjo pjesë e rrugës do të vendoset në rend. Mirëpo, është kryer vetëm faza e parë e rikonstruksionit të rrugës, derisa faza e dytë e cila nënkupton meremetimin e vijës së trafikut prej Gucisë deri në Vojno Sellë, një kohë të gjatë ka pritur në radhë, për ne për shkaqe të panjohura. Për shkak të rrugës së tillë, vendasit janë përballur me probleme serioze. Për këtë ka qenë koha e fundit që kompetentët të kuptojnë që duhet qasur modernizimit të kësaj vije të komunikacionit”, pohojnë banorët vendas.
Ata presin që punimet e paralajmëruara do të kryhen në afatin e paraparë pasi që rruga ekzistuese, e cila kalon nëpër fshatin e tyre, është plot me gropa të thella dhe plotësisht e papërshtatshme për zhvillimin normal të trafikut.
Në Komunën e Gucisë thonë se gjatë gjithë këtyre viteve kanë bërë përpjekje që të arrihet te zgjidhja më e mirë për fillimin e rikonstruksionit të pjesës së rrugës prej Plavës nëpër Vojno Sellë dhe Krushevë.
“Problemi ka qenë që projekti i mëparshëm i rikonstruksionit të rrugës prej Vojno Sellës deri në Guci ka qenë i vjetër 16 vjet. Ai projekt, përveç ndërtimit të vijës së trafikut me dy korsi, ka paraparë edhe ndërtimin e shtegut për këmbësorë dhe çiklistë. Për diçka të tillë, ka qenë i nevojshëm shpronësimi i tokës. Mirëpo, të hollat për këtë qëllim nuk janë siguruar, që ka ndikuar në vonesën e fillimit të punimeve në këtë pjesë. Pas të gjithash, ne kemi vendosur që të financojmë hartimin e projektit të ri, i cili parasheh vetëm ndërtimin e korsive të rrugës së trafikut, që nuk kërkon shpronësimin e tokës kah ajo kalon. Me këtë janë krijuar kushtet që të vazhdohet me rikonstruksionin e mëtejmë të rrugës kah Gucia”, kanë sqaruar në njoftimin për media nga administrata lokale në Guci.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat