Plavë – Komuna e Plavës ua ka ndarë para pak ditësh 48 bursa studentëve nga kjo komunë, për vitin akademik 2025/2026.
Me rastin e nënshkrimit dhe të dorëzimit të kontratave studentëve fitues të bursave, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ka theksuar se me këtë akt vazhdojmë orientimin e qartë që investimi në arsimim dhe të rinjtë të jetë njëri prej orientimeve themelore të politikës lokale. “Me këtë dëshmojmë se dituria, përpjekja dhe përkushtimi çmohen e vlerësohen dhe se komuniteti qëndron pranë atyre të cilët e ndërtojnë ardhmërinë e vet përmes arsimit. Kjo mbështetje studentëve, nuk është veprim i njëhershëm, por pjesë e mirëmenduar e zhvillimit, ku njerëzit e ri të arsimuar duhen të bëhen bartës të avancimit të Plavës”, ka theksuar ai, duke përfunduar me thënien se studentët pa dyshim janë ardhmëria e saj.
Gjatë përzgjedhjes së studentëve të cilëve u janë ndarë bursat, fokus i veçantë është vënë në mbështetjen e profileve deficitare arsimore si orvatje që në afat të gjatë të përgjigjen ndaj nevojave reale të shoqërisë dhe të zvogëlohet divergjenca mes sistemit arsimor dhe tregut të punës në komunën e Plavës.
Sh. Hasangjekaj
