Plavë – Në ambientin e Komunës së Plavës, të premten më 9 janar 2026, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, nënshkroi marrëveshjen mbi donacionin për ndërtimin e objektit të Sahat kullës në Plavë me përfaqësuesin e Bashkësisë Islame dhe Qendrës Kulturore Plavë-Guci nga Nju Jorku, haxhi Smail Srdanoviqin.
Nisma për realizimin e këtij projekti ka ardhur nga mërgimtarët plavjanë në diasporë.
Detyrim i Komunës së Plavës është hartimi i dokumentacionit të plotë projektues, kurse e donatorit sigurimi i mjeteve financiare për realizimin e ndërtimit të objektit.
“Komuna e Plavës vazhdon bashkëpunimin cilësor dhe përmbajtësor me Bashkësinë Islame në Nju Jork, e cila vite me radhë ofron kontribut të rëndësishëm për Plavën, Gucinë dhe Malin e Zi, si përmes aktiviteteve humanitare, ashtu edhe përmes mbështetjes së projekteve me rëndësi të gjerë shoqërore e zhvillimore”, është shprehur kryetari i Komunës së Plavës me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes.
Sh. Hasangjekaj
