Guci – Gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj së bashku me stafin e tij dhe Ambasadoren e Shqipërisë, Zhaklina Peto, u prit të dielën në mënyrë vëllazërore nga këshilltarët e Kuvendit Komunal të Gucisë si dhe disa aktivistë të komunitetit.
Së bashku me Presidentin ishin edhe zonja e parë e Shqipërisë, Armanda Begaj, drejtori i kabinetit Hemion Braho, këshilltarët e tij Ilir Melo, Arta Sakja, Erjola Shia, sekretari i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë, Igli Pira etj.
Në takim morën pjesë këshilltarët e Lëvizjes për Gucinë – Fadil Ulaj dhe Asdren Çelaj, ndërsa nga Forumi Shqiptar – Salih Gjonbalaj, Myftar Balidemaj, Bujar Hasangjekaj, Hasnije Kukaj – Gjonbalaj, Sefedin Dedushaj dhe Gani Kukaj. Për shkaqe personale në takim nuk mori pjesë këshilltarja e Forumit Shqiptar, Tina Sinanaj – Qosaj, ndërsa takimin e udhëhoqi aktivisti Tahir Gjonbalaj.
Në takim Presidenti Begaj kërkoi nga këshilltarët që secili të shfaqë mendimet e tyre për bashkëpunim sa më të mirë mes shtetit amë dhe komunave të Plavës dhe Gucisë. U diskutua rreth infrastrukturës, shkollimit në gjuhën amtare, teksteve shkollore, vendkalimeve të reja kufitare etj.
Një moment emocional ishte kur këshilltarja e Forumit Shqiptar, Hasnije Kukaj – Gjonbalaj recitoi vargje të poezisë së saj “Çamëri, motra ime”, e cila u përcoll me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Bajram Begaj theksoi se ishte i habitur që gjatë gjithë rrugës nuk kishte parë asnjë tabelë me mbishkrim në gjuhën shqipe.
Ai iu premtoi këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Gucisë se Republika e Shqipërisë do ta mbështesë popullatën shqiptare me krejt mundësitë, por kërkoj disa herë që t’i lënë anash problemet personale dhe të bashkohen.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Begaj tha se ju keni pasuri të papërshkrueshme natyrore dhe potencial të madh për turizëm dhe ekonomi, por dini të rrisni edhe udhëheqës ushtarak si Jakup Ferri dhe akademik si Rexhep Qosja, pra keni edhe pasuri njerëzore.
Pas takimit shumë pozitiv, nikoqirët shtruan për mysafirët një drekë vëllazërore.
Gj. Nikçi