Dhurata me vlerë për festat e fundvitit

Veprimet humane të vajzës bujare nga Amerika, Adelina Shaban Sinanaj, janë vërtet dëshmi konkrete se zemra, shpirti dhe ndjenja e përkatësisë fisnore nuk njeh largësi. Gjestet e tilla janë shembull frymëzimi e solidariteti, në veçanti në kohën e shënimit të festave

Plavë/Guci – Në vigjilje të festave të fundvitit ka ardhur në shprehje një veprim vërtet i qëlluar, i bukur, human dhe solidar nga vasha e çiltër, bujare, shpirtmirë e zemërgjerë nga Amerika e largët, por me origjinë nga Plavë-Gucia, Adelina Shaban Sinanaj, e cila kishte vendosur që ca fëmijë të trevës së Plavë-Gucisë t’i gëzojë me dhurata me rastin e Vitit të Ri.
Adelina kishte përgatitur donacione në veshmbathje për 10 fëmijë (nxënës) që mësimet i ndjekin në shkollën fillore katërklasëshe në fshatin Martinaj të komunës së Gucisë dhe për 12 fëmijë të lagjes Kumanica në afërsi të Plavës, duke iu siguruar atyre dhurata enkas nga SHBA – për secilin fëmijë nga një pako me veshmbathje: xhaketë dimri, nga një palë çizme, doreza dhe pizhame për t’i përballuar ditët e ftohta të dimrit.
Me profesion arkitekte, Adelina Sinanaj ka lindur dhe është rritur në SHBA. Ajo është bija e biznesmenit të mirënjohur nga Plava, Shaban Sinanaj. Edhe pse jeton dhe vepron në Amerikë, ajo mban lidhje të forta me vendlindjet e prindërve të vet.
Fshati Martinaj është vendlindja e nënës së saj Arbëresha, ndërsa Kumanica është vendi ku ka lindur dhe është rritur babai i saj Shabani, të dhëna këto që këtë nismë e bëjnë edhe më me peshë dhe vlerë.
Përveç dhuratave të përmendura për fëmijët, Adelina ka shprehur ndjenja humanizmi e solidariteti edhe për tre fëmijë në nevojë, duke u siguruar artikuj të nevojshëm ushqimorë për festat e fundvitit. Ajo po ashtu ka kontribuar edhe në repartin e pediatrisë së Shtëpisë së Shëndetit në Plavë duke siguruar pelena për foshnja.
Veprimet humane të vajzës bujare nga Amerika, Adelina Shaban Sinanaj, janë vërtet dëshmi konkrete se zemra, shpirti dhe ndjenja e përkatësisë fisnore nuk njeh largësi. Gjestet e tilla janë shembull frymëzimi e solidariteti, në veçanti në kohën e shënimit të festave.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat