Plavë – Koha e bukur në Plavë gjatë muajit shkurt ka mundësuar intensifikimin e punëve në avancimin e infrastrukturës rrugore, kurse Komuna e Plavës shfrytëzon kushtet e favorshme të motit për realizimin e projekteve të rëndësishme.
Punët në rrugën kah trapet (ajkat) në liqenin e Plavës janë në vazhdë, ndërsa momentalisht janë duke vazhduar aktivitetet përgatitëse për vendosjen e ndriçimit, rrethojës mbrojtëse dhe përfundimit të elementeve tjera të rrugës. Qëllimi është që qyteti i përgatitur të presë sezonin e ardhshëm veror, me sigurim të avancuar dhe funksionalitet të linjave të komunikimit.
”Që sezonin veror ta presim të përgatitur”, ka porositur kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në faqen e vet publike në rrjetin social Facebook.
Përveç kësaj, në qendër të qytetit do të fillojë ndërtimi i rrugës së re, e cila do të lidhë rrugët Hridska te Shtëpia e Shëndetit, Racinës te Qendra për Kulturë dhe vendbanimin Meteriz. Fjala është për projektin e ndërtimit të tërësishëm të infrastrukturës së re dhe rregullimin e njërës prej pjesëve të rëndësishme të qytetit.
Sipas kryetarit të Komunës së Plavës, në këtë mënyrë do të zgjidhet problemi shumëdekadash, duke mënjanuar bluzhdën që për më se pesë dekada zë hapësirën në vetë qendrën e këtij qyteti.
“Hap pas hapi, Plava po ndryshon fytyrën”, ka theksuar Canoviq.
Me realizimin e këtyre projekteve, administrata lokale vazhdon me investime infrastrukturore, me qëllim të avancimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në Plavë.
Sh. Hasangjekaj
