Ulqin – Në Hotelin Plaza në Ulqin, mbrëmjen e 13 shkurtit 2026 u mbajt Konventa themeluese e Forumit të Gruas të Lëvizjes Qytetare URA – dega Ulqin, ku kryetare u zgjodh njëzëri Arijana Kurmemoviq.
Në konventë morën pjesë mbi 100 delegate dhe përfaqësues të strukturave lokale e qendrore të këtij subjekti politik.
Sipas LQ URA – Ulqin, formimi i Forumit të Gruas përbën “një hap të organizuar dhe të vendosur drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në proceset shoqërore dhe politike në qytet”. Nga kjo strukturë theksuan se prania e madhe e grave në sallë dëshmon interesimin dhe nevojën për organizim më të fuqishëm rreth çështjeve të barazisë gjinore.
“Fakti që mbi 100 gra iu përgjigjën ftesës sonte tregon qartë se tema e barazisë gjinore është e rëndësishme dhe se ekziston vullnet, energji dhe vendosmëri për të kontribuuar në ndryshime pozitive në komunitet”, u tha në konventë.
Programi u hap me një pjesë teatrale nga Teatri “Teuta”, ndërsa fjalën përshëndetëse e para e mbajti sekretarja e përgjithshme e Forumit të Gruas të LQ URA në nivel qendror, Ivana Karagjinoviq.
Ajo theksoi se roli i gruas në politikë është “vendimtar, i pazëvendësueshëm dhe thelbësor për një shoqëri demokratike dhe të drejtë”.
“Ulqini sonte bëhet hapësirë e energjisë së re, e ideve të guximshme dhe e një kapitulli të ri për gratë në Lëvizjen Qytetare URA”, u shpreh Karagjinoviq.
Në vijim, pjesëmarrësve iu drejtua edhe nënkryetarja e partisë Ana Novakoviq, e cila vlerësoi organizimin e Forumit si dëshmi të pjekurisë politike dhe organizative të strukturave lokale.
Procesi zgjedhor u administrua nga komisioni i përbërë nga Doris Vuçiq, Albiona Paleviq dhe Bica Murati. Sekretare e Forumit të Gruas u zgjodh Merisa Aliq, specialiste e shkencave juridike, ndërsa nënkryetare u zgjodhën Pashe Dragovoja, Afërdita Gorana, Hristina Dragoviq dhe Bilana Bevenja.
Pas shpalljes së rezultateve, politologia Bilana Bevenja, në cilësinë e nënkryetares së sapozgjedhur, falënderoi delegatet për besimin, duke theksuar se Forumi do të jetë “hapësirë solidariteti, mbështetjeje dhe iniciativash konkrete për avancimin e pozitës së gruas në çdo segment të shoqërisë”.
Momenti kulmor i konventës ishte zgjedhja e kryetares. Me votim unanim, kryetare e Forumit të Gruas të LQ URA Ulqin u zgjodh Arijana Kurmemoviq, specialiste e menaxhmentit dhe një nga gratë e para që iu bashkua kësaj lëvizjeje. Ajo ka shërbyer për dy vite këshilltare e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
“Ky është një moment besimi dhe përgjegjësie. Pa pjesëmarrjen aktive dhe të barabartë të grave nuk ka zhvillim të vërtetë dhe as shoqëri të drejtë”, u tha në konventë me rastin e zgjedhjes së saj.
Në përmbyllje, të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, i cili theksoi se fuqizimi i grave në vendimmarrje mbetet prioritet i këtij subjekti. “Barazia nuk duhet të mbetet vetëm fjalë, por të përkthehet në veprim konkret”, u shpreh ai.
Konventa u mbyll me mesazhin se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri drejt përfaqësimit më të madh dhe rolit më të fuqishëm të grave në jetën publike të Ulqinit.
D. Teliqi
