Krim perfid dhe i organizuar

Ulqin – Komuna e Ulqinit ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Ekonomike lidhur me prishjen e pushimores së Kosovës në Plazhin e Madh, të njohur si rasti “K1”, duke vlerësuar se me këtë vendim “pothuajse sillet në fund tentativa e personave të pautorizuar, të cilët joligjshmërisht dhe me punë korruptive kanë përvetësuar dhe privatizuar BVI-në për pushim dhe rekreacion të Kosovës”.
Me vendimin e fundit, të datës 20 korrik 2017, Gjykata Ekonomike obligon Komunën e Ulqinit që për prishjen e objekteve në lagjen K1 t’i paguajë ndërmarrjes “Rekreaturs” nga Budva shumën prej 5 557 000 euro dhe kamatën nga data 20 prill 2012, si dhe shpenzimet e procesit gjyqësor, që sipas Komunës së Ulqinit, kapin vlerën e përgjithshme prej rreth 8 milionë euro.
Në deklaratën për shtyp të Komunës së Ulqinit thuhet se gjatë tërë procesit gjyqësor kjo komunë ka dëshmuar të gjitha paligjësitë që e kanë përcjellur procesin e transformimit, privatizimin dhe ndërrimin e selisë dhe pronarin e ndërmarrjes së lartpërmendur, mirëpo “Gjykata Ekonomike, siç shihet, nuk ka pasur sukses që të zbulojë këtë krim perfid dhe të organizuar”.
“Veçmas theksojmë që Komuna e Ulqinit gjatë tërë procesit ka veçuar mungesën e legjitimitetit pasiv, nisur nga fakti që objektet që janë prishur e për të cilët kërkohet kompensimi, janë prishur në bazë të Aktvendimit të Komitetit Republikan për urbanizëm, ndërtimtari dhe punë banesore komunale të Malit të Zi e jo në bazë të vendimit të ndonjë organi komunal”, thuhet në reagim.
Komuna e Ulqinit thekson se për dëmin e krijuar nuk është ajo fajtore sepse nuk e ka anuluar lejen e ndërtimit, por këtë e ka bërë inspektori republikan në vitin 1983.
“Inspektori republikan më 1983 ka sjellë aktvendimin për anulimin e lejes, katër vite pasi që ajo u bë e plotfuqishme, e kjo tregon që shteti është fajtor për prishjen e objekteve e jo Komuna që me dhënien e lejes i ka mundësuar BVI-së për pushim dhe rekreacion të punëtorëve të Kosovës që të ndërtojë, e në asnjë rast nuk mund të jetë bazë për dëmshpërblim”, sqaron deklarata për opinion.
Komuna e Ulqinit ka paralajmëruar se do të ankohet ndaj këtij vendimi të Gjykatës Ekonomike dhe iu ka bërë ftesë organeve përkatëse që të kyçen në këtë çështje gjyqësore.
Në të kundërt, në rast se vendimi do të bëhet i plotëfuqishëm në dëm të saj, nga Komuna e Ulqinit kanë theksuar se kjo do të krijonte një kolaps shumëvjeçar në funksionimin e organeve dhe ndërmarrjeve publike të kësaj komune, me pasoja të papara për të drejtat e qytetarëve dhe subjekteve ekonomike në Ulqin.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat