“Korridori Ndërkombëtar Adriatik-Alpe, aorta eKombit Shqiptar. Lugina e Drinit një ‘Parnas’ shqiptar”

Shaban Hasangjekaj

Studiuesi, publicisti dhe veprimtari i denjë dhe i paepur i çështjes kombëtare shqiptare, Azgan Haklaj, nga Shqipëria, me punën e vet studimore e publicistike në vazhdimësi, padyshim, është duke dhënë kontribut të rëndësishëm dhe të pamohueshëm në shqyrtimin, trajtimin, shpalosjen, ndriçimin dhe reflektimin e rrjedhave të identitetit kombëtar shqiptar ndër shekuj. Ai përmes materialeve shumëpërfshirëse në formë shënimi, të publikuara në faqet e mediave të shkruara dhe portaleve të ndryshme në gjuhën shqipe, opinionin e gjerë – lexuesit shqiptarë është duke i pajisur me dituri të bollshme mbi çështjen e kombit që i përkasin. Ndër shënimet e shumta të tij në këtë drejtim është edhe shënimi me titull “Korridori Ndërkombëtar Adriatik-Alpe, aorta e Kombit Shqiptar. Lugina e Drinit një ‘Parnas’ shqiptar”.
Shënimin e vet në fjalë, vërtetë me peshë dhe vlerë të lartë, autori Azgan Haklaj e fillon: “Rrugët janë po aq të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, kulturor e civilizues të një kombi, siç është sistemi i venave dhe kapilarëve për qarkullimin e gjakut në trupin e njeriut” dhe në vazhdim shton se “Qysh në kohët e lashta dhe krijimit të dinastive të mëdha, unifikimi administrativ, territorial dhe politik i rajoneve, është bërë i mundur veç tjerash falë ndërtimit të veprave të mëdha inxhinierike rrugore, të cilat kanë bërë të mundur qarkullimin më të shpejtë të njerëzve, mallrave, shkëmbimin ekonomik e kulturor.
Në vazhdimin e shtjellimit në tekstin e shërimit, autori Haklaj thekson se ishte Perandoria Romake ajo që me gjeninë e saj krijuese i dha hov të jashtëzakonshëm zhvillimit ekonomik dhe tregtisë së lirë në kohën antike. Ajo ndërtoi në tre kontinente, në Evropë, Azi dhe Afrikë, një sistem të përsosur rrugor, i cili i lidhte qendrat e provincave e rajoneve me kryeqendrën perandorake. Vija “Egnatia”, e cila lidhte Dyrrahun me Kostandinopojën është dëshmi e kësaj trashëgimie.
Autori Haklaj më pas konfirmon se të parët tanë ilirë, e më vonë arbërorë, i shfrytëzuan luginat e lumenjve për ndërtimin e rrugëve, të cilat lidhnin ultësirën bregdetare me pjesën e brendshme të viseve lindore kontinentale të trojeve tona me Kosovën e viset tjera Dardane, rajone me pasuri të mëdha, me burime ekonomike, bujqësore, blegtorale, pyjore e minerale. Ata ndërtuan kala e fortifikata mbrojtëse të tyre për të garantuar zhvillimin e pandërprerë e komunikimin në çdo stinë dhe shkëmbimin e tregtisë, të eksportit e importit të mallrave.
Një nga arteriet më të rëndësishme të rrugëve kombëtare e përdorur që në lashtësi e në mesjetën e hershme, është ajo e Luginës së Drinit, e pagëzuar së fundmi si Korridor Adriatik-Alpe, i cili fillon në Portin e Shëngjinit e kalon pranë ish-qyteteve të Dejës, Sardës e përmes luginës së Komanit, një panoramë mahnitëse e natyrës së cilësuar si një “Parnas” shqiptar, mbërrin në pikëtakimin e Drinit me Valbonën, aty ku shpaloset natyra madhështore e alpeve shqiptare, muri natyror që ndan trojet tona iliro-dardane dhe vazhdon drejt Rrafshit të Dukagjinit e viseve lindore të Kosovës, shprehet me përkushtim autori Haklaj në tekstin e shënimit të vet duke shtuar se nuk është vetëm panorama mahnitëse që e bëri këtë rrugë të ketë një rëndësi kaq të madhe për vendin e rajonin e Ballkanit.
Autori Haklaj në vazhdimin e shtjellimit të brendisë së shënimit bën me dije se trashëgimia kulturore e Luginës së Drinit është aq e pasur e autentike për historinë tonë se me të drejtë është cilësuar si një dëshmi e certifikatës autentike e qytetërimit iliro-dardano-arbëror dhe e vazhdimësisë së tij të pandërprerë deri në ditët tona. Ai shton se në trevat që njihen si Korridor i Alpeve, janë ruajtur mrekullisht margaritarët e kulturës së vjetër shqipe, mitet, legjendat, Eposi i Kreshnikëve, e drejta zakonore, lahuta iliriane, derisa iu dhurua serbëve. Në këtë kontekst ai pohon se janë ruajtur plisi, xhubleta e xhamadani, kullat e fortifikuara, si dëshmi e qëndresës ndaj pushtuesve, e mbi të gjitha gjeni autentik i racës shqiptare, i cili arriti mrekullisht deri në ditët tona, pa u asimiluar nga rrebeshet e shekujve dhe erozioni i kohërave.
Tekstin e shënimit të vet, autori Azgan Haklaj e argumenton me të dhënën se qysh para dy shekujsh, udhëpërshkrues, studiues e autorë të njohur evropianë si Han, Ami Bue, Nopça, Edit Durham etj., janë mahnitur me thesarin kulturor të Luginës së Drinit, me natyrën dhe njerëzit e saj. Autori Haklaj më pas veçon se për këtë rrugë kaq të rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë kombëtare është lobuar prej 16-të vjetësh, në Parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës, në kohën e Qeverisë Haradinaj dhe janë organizuar tre workshope, në Shkodër, Gjakovë e Lezhë, dhe shton se ky korridor kalon në një panoramë mahnitëse të natyrës, në një terren të favorshëm për ndërtimin e mirëmbajtjen e tij, me një kosto të ulët.
Autori i shënimit, Azgan Haklaj, shkruan se studimi dhe fizibiliteti kanë treguar se kostoja e ndërtimit të kësaj rruge shkon rreth 263 milionë euro, afërsisht sa rruga e Balldrenit.
Korridori Adriatik-Alpe, është jetik për zhvillimin ekonomik sepse i shërben një popullsie mbi një milion banorë, thekson autori Haklaj dhe shton se ai kalon në një zonë me pasuri të mëdha natyrore, siç janë burimet minerale, hidroenergjetike e pyjore, e më në fund bën të mundur konfigurimin e unazës së alpeve, perlave të natyrës, si Thethit të Valbonës, Sylbicës, Currajt e Epërm, Plavë-Gucisë, Malësisë së Madhe, Grykës së Rugovës, Bjeshkëve të Deçanit e të Junikut. Bën funksionale unazën shqiptare Tropojë-Junik-Deçan-Plavë-Guci-Tropojë.
Autori Haklaj konfirmon me shkrim në shërimin e vet se kjo rrugë që lidh mbi 5000 km katrorë tokë shqiptare është premtuar në të gjitha fushatat elektorale, por fatkeqësisht ka mbetur në letër dhe në dëshirën e mirë të ideatorëve dhe atyre që lobuan fort për ndërtimin e saj.
Për rëndësinë kombëtare e rajonale të këtij projekti, mjafton të theksohet fakti se Sllovenia, vendi më i zhvilluar i Ballkanit, e ka theksuar së fundmi rëndësinë e këtij korridori dhe e ka quajtur domosdoshmëri realizimin e projektit për jetësimin e tij – konfirmon autori Haklaj duke shtuar se në rrafshin kombëtar Korridori Adriatik-Alpe ka rëndësi fondamentale, jo vetëm për të vënë në efiçencë të plotë potencialin e madh ekonomik të alpeve shqiptare, për zhvillimin turistik, shfrytëzimin e burimeve të mëdha minerale e atyre ujore, por edhe për të shndërruar Portin e Shëngjinit në një nyje me rëndësi kombëtare, për zhvillimin ekonomik, për lëvizjen e njerëzve e të mallrave, e për të vënë atë realisht e pa mëdyshje në shërbim të Kosovës. Atyre që mendojnë ndryshe, autori Haklaj ua kujton faktin se vërtetë shqiptarët janë komb që jetojnë në dy shtete, por kanë ADN-në, historinë, gjuhën dhe flamurin e përbashkët. Kanë të përbashkët hapësirën e trojeve etnike, detet, lumenjtë, malet dhe qiellin shqiptar, si dhe faktin se luftërat e fuqishme dhe kuvendet e mëdha të Kosovës, kanë jetësuar pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912-të në Vlorën historike të Ismail Qemalit.
Është vepër e ulët antikombëtare t’u japësh Portin e Shëngjinit kinezëve, turqve, italianëve apo të huajve të tjerë e të privosh Republikën e Dardanisë antike “Kosovës” e qytetarët e saj nga dhënia e një porti në atdheun e tyre, është shprehur me shkrim autori Azgan Haklaj në fund të tekstit të shënimit të vet, duke e përmbyllur atë me fjalët: “Ne, ideatorët e këtij Korridori jetik kombëtar, shpresojmë që realizimi i këtij projekti madhor do të bëhet realitet, sepse është premtuar disa herë në fushata elektorale, por pastaj është lënë në harresë”.

Të fundit

më të lexuarat