Koncert tradicional kushtuar bashkatdhetarëve në mërgim

Tuz – Shoqëria Kulturore-Artistike “Liria”, në bashkëpunim me Komunën e Tuzit dhe QKI “Malësia”, organizoi të mërkurën mbrëma (9 gusht 2023) në fshatin Milesh koncert folklorik me këngë dhe valle të titulluar “Diaspora me ne”. Në këtë mbrëmje që i kushtohet pikërisht bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë, por që pushimet po i kalojnë në vendlindje, qe i pranishëm një publik i konsiderueshëm, i cili për disa orë kishte mundësi të shijojë tingujt melodik dhe koreografi vallesh që solli për të pranishmit SHKA “Liria” nga Mileshi. Kryetari i SHKA “Liria”, Admir Nikaj për gazetën “Koha Javore” shprehet se koncerti kushtuar diasporës është bërë tashmë tradicional – i përvitshëm. “Ky koncert u mirëprit nga publiku i pranishëm, ashtu sikurse është mirëpritur çdo vit që e kemi organizuar. Qytetarët edhe këtë vit erdhën masovikisht, si nga vendi, ashtu edhe nga diaspora”, shprehet Nikaj. Ai më tutje thotë se qëllimi i organizimit të këtij koncerti të përvitshëm gjatë muajit gusht është prezantimi dhe ruajtja e folklorit burimor autokton vendas, të këngëve dhe valleve që ndër shekuj u ruajtën në këto treva. “Në këtë mënyrë, edhe të rinjve dhe të rejave që jetojnë nëpër shtete të ndryshme të botës, t’ua transmetojnë këtë thesar të çmuar të traditave tona, me qëllim që edhe ata ta ruajnë dhe kultivojnë”, shprehet Nikaj. Ndërkaq, në këtë koncert performoi edhe SHKA “Koha” nga Dinosha me këngë dhe valle folklorike burimore, e më pas koncerti vazhdoi me performacën e këngëtarës nga Ulqini, Egzona Salaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat