Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale në Evropë, me shtab në Shqipëri

Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR), bëri të ditur vendimin për të patur në Shqipëri një shtab të bazës së Forcave të Operacioneve Speciale.
Sipas njoftimit “vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprim më të madh me aleatët shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan, dhe fleksibilitet më të madh logjistik. Kjo vendndodhje, redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit, dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”, thuhet në njoftimin e Komandës Amerikane, duke shtuar se “Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s, dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm”.
Siç thekson edhe Gjeneral Major David H. Tabor, komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Evropë “aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”.
Kryeministri shqiptar Edi Rama e përshëndeti vendimin duke e cilësuar atë si “shprehje të një besueshmërie shumë të lartë dhe të një bashkëpunimi shumë të afërt”.
SOCEUR vë në dukje njoftimi, “luan një rol të rëndësishëm për të demonstruar përkushtimin e SHBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Ballkan. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal”.
SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien e SHBA-së me aleatët dhe partnerët, për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprimin, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin, dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulmet.

Të fundit

më të lexuarat